Banda e Durrësit, futja në konflikt me Gaxhain dhe grupin e Denis Ginës
Hetimi i plotë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për kronologjinë e vrasjeve të bandës së Durrësit. Pengmarrja e turqve të heroinës që bashkoi Lulzim Berishën me Klodian Saliun dhe përplasjet e përgjakshme me bandën e Marsel Sotirit
Coli: Pazari 200 mijë euro me Dritan
Dajtin për të vrarë Lul Berishën
I penduari i Bandës së Durrësit ka dëshmuar në gjykatë pazarin mes Endrit Dokles dhë grupit të Dritan Dajtit për të eliminuar Lulzim Berishën. Coli: Këtë histori e mësova nga Aleks Keka, kur më ndihmoi të arratisesha në Itali
I pandehuri Lulzim Berisha dhe shtetasi i vrarë Klodjan Saliu rezultoi e provuar se janë bashkuar me njëri-tjetrin në vitin 1998 dhe kanë krijuar një organizatë kriminale, fillimisht me qëllim për t`iu kundërpërgjigjur kundërshtarëve të përbashkët të tyre, e në vijim për të kontrolluar duke mbizotëruar me dhunë trafiqet e ndryshme, kryesisht në rrethin e Durrësit. Fillimisht, si i pandehuri Lulzim Berisha, ashtu dhe shtetasi i vrarë Klodjan Saliu, kishin lidhje dhe shoqëri të ndryshme në qytetin e Durrësit, kjo për shkak të origjinës dhe vendndodhjes së banesave të tyre, por e përbashkëta e tyre ishte identifikimi i prirjeve të tyre të theksuara kriminale. Lidhur me njohjen e të pandehurit Lulzim Berisha, e shtetasit të vrarë Klodjan Saliu dhe bashkimit të tyre duke krijuar organizatën kriminale, i pandehuri Adriatik (Dritan) Coli është shprehur: “…në vitet 1994-1995 kam njohur e takuar Lul Berishën në Itali në qytetin Monza nëpërmjet shtetasit Neritan Sheqi, me të cilin jetonin së bashku në një shtëpi. Në atë kohë, Lulzim Berisha ishte së bashku me Plaurent Dervishin, Tanin e Sanijes, Lumin…, të cilët janë banorë të Durrësit. Ka qenë muaj qershor i vitit 1998, koha në të cilën unë jam lidhur, jam bashkuar me të. Kjo ndodhi pas një sherri banal te klubi i “Xhoxhit të Norës” midis Lulzim Berishës, Festim Coles dhe Krenar Plakut. Mes tyre u shtie me armë te të dyja palët. Këtu u plagos Lulzim Berisha dhe një person i quajtur Koli Xhafës, i cili ishte rastësisht në kafe”.
Pra, në muajin shtator të vitit 1998, i pandehuri Lulzim Berisha, së bashku me shtetasin e vrarë Klodjan Saliu, bashkohen me njëri-tjetrin duke themeluar organizatën kriminale, e duke i bashkëngjitur kësaj organizate, si anëtarë të saj permanentë, të pandehurit Adriatik (Dritan) Coli e Plaurent Dervishaj dhe shtetasit e vrarë Ilir Xhunga e Arjan Paja. Fillimisht, qëllimi kriminal i organizatës ishte bashkimi lidhur me kundërpërgjigjen ndaj kundërshtarëve të përbashkët të tyre, e në vijim për shkak të forcës kriminale goditëse edhe për të kontrolluar duke mbizotëruar me dhunë trafiqet e ndryshme kryesisht në rrethin e Durrësit. Për këtë, i pandehuri Adriatik (Dritan) Coli deklaron se “Klodian Saliu i forcoi lidhjet me Lulzim Berishën, sepse porositën 15 kg heroinë, për të cilën kemi mbajtur peng 2 shtetas turq. Kam qenë prezent, i çuam te shtëpia e Jetës, i mori Luli, i kishte gjetur me anë të agjencisë në Tiranë. Kishin bashkuar lekët me Klodin për të blerë heroinë tek ata. Turqit i mbajtëm dy javë, derisa të vinte porosia nga Turqia, të vinte heroina. Me turqit ndenja unë dhe Yllin. Shpenzimet për ushqimin e tyre i paguante Luli. Një personi i tretë ishte nisur për në Turqi. Klodi bashkë me Lulin kishte paguar 160 mijë marka, e mësova nga Lul Berisha dhe Klodian Saliu. Nga porosia që erdhi, u pa se nuk ishte tamam. Erdhën vetëm 3.5 kg heroinë e pastër, tjetra erdhi zhavorr. Atë që erdhi e mori Klodi, ndërsa lekët e Lulit shkuan kot”.
Ekzekutimi i Dritan Sallakut
Organizata kriminale e drejtuar prej të pandehurit Lulzim Berisha e shtetasit të vrarë Klodjan Saliu organizon, drejton dhe kryen me datë 17.10.1998, rreth orës 18.30 vrasjen me paramendim të shtetasit Dritan Sallaku, si dhe tenton për të vrarë me dashje shtetasit Agim Rexhepaj e Ilir Nelaj. Viktima e parë, pas themelimit të organizatës kriminale, është shtetasi Dritan Sallaku, lindur dhe banues në Durrës. Viktima njihej për tendenca të theksuara kriminale në qytetin e Durrësit dhe i grupuar rreth shtetasit Marsel Sotiri, i cili në këtë periudhë predominonte trafiqet dhe kontrabandën në portin e Durrësit. Para datës 17.10.1998, shtetasi Klodjan Saliu e i pandehuri Plaurent Dervishaj së bashku me vëllanë e tij Redinald Dervishaj kishin pasur kontradikta të theksuara me viktimën Dritan Sallaku, por kulmi i këtyre kontradiktave arrin nga goditja me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Njazi Dervishaj, me datë 16.10.1998. Në këtë banesë ndodhej i pandehuri Plaurent Dervishaj, e nëna e tij, dëshmitarja Liljana Dervishaj dhe nga goditja me armë ata personalisht nuk pësuan dëmtime, por dëmtime pësuan pjesë të ndryshme të shtëpisë si brenda dhe jashtë saj, kryesisht te dritaret e guzhinës së saj... Të nesërmen në mëngjes i pandehuri Lulzim Berisha së bashku me shtetasin Klodjan Saliu vendosin për të vrarë shtetasin Dritan Sallaku, gjatë një takimi që ata kanë pasur te vendi i quajtur “Klubi i Latës” në qytetin e Durrësit, ku ishin të pranishëm përveç tyre edhe të pandehurit Adriatik Coli, Plaurent Dervishi dhe shtetasi i vrarë Ilir Xhunga. Me qëllim që të mos njiheshin makinat e tyre që kishin në përdorim gjatë realizimit të vrasjes, i pandehuri Lulzim Berisha dërgon të pandehurin Adriatik Coli në Tiranë te dëshmitarët Geri Beja e Denis Xhilaga për të marrë një makinë tip “BMW” të cilën e kishin të paregjistruar si në pikat e kalimit kufitar ashtu dhe në Drejtorinë e Transportit Rrugor... Pas sinjalizimit se shtetasi Dritan Sallaku kishte shkuar te shkolla “7 Nëntori”, në një lokal përballë saj rreth orës 18.30, i pandehuri Lulzim Berisha së bashku me shtetasit e vrarë Klodjan Saliu e Ilir Xhunga dhe të pandehurin Plaurent Dervishaj nisen me autoveturën tip “BMW” me ngjyrë gri që ishte pa targa. Me paruke në kokë dhe makinën e drejtonte i pandehuri Lulzim Berisha si shofer, Klodian Saliu ishte në vendin e parë si pasagjer, ndërsa Ilir Xhunga dhe Plaurent Dervishaj ishin mbrapa të ulur. I pandehuri Adriatik Coli u ngarkua të qëndronte me makinën tip “Benz” 240, duke i pritur te zdrukthëtaria në lagjen Spitallë në Durrës, për t`i ndihmuar në tërheqje pas vrasjes. Të pandehurit sapo shkojnë në afërsi të lokalit përballë shkollës “7 Nëntori”, e cila nuk është larg vendit nga ku u nisën, konstatojnë se viktima Dritan Sallaku ndodhej jashtë lokalit duke biseduar me dy shokët e tij, të dëmtuarit Agim Rexhepaj e Ilir Nelaj, ata frenojnë menjëherë makinën tip “BMW”, duke ndaluar dhe qëllojnë në drejtim të viktimës Dritan e të dëmtuarve Agim e Ilir. Fillimisht ka tentuar për të qëlluar me pistoletë nga vendi i parë i makinës ku ndodhej shtetasi Klodjan Saliu, por pistoleta e tij është bllokuar pa qëlluar, por e menjëhershme ka qenë goditja me automatik tip “skorpions” e të pandehurit Plaurent Dervishaj nga sedilja pas Klodjanit, goditje të cilat kanë vrarë në vend viktimën Dritan Sallaku e plagosur rëndë të dëmtuarit Agim Rexhepaj e Ilir Nelaj. Pas kësaj goditje, makina e autorëve është larguar me shpejtësi, ndërsa si viktima ashtu dhe të dëmtuarit janë dërguar në spital. Menjëherë pas ngjarjes, pjesëtarë të grupimit kriminal ku bënte pjesë viktima Dritan Sallaku si dhe familjarë e bashkëpunëtorë të tij, organizohen të mësojnë rreth ngjarjes dhe autorëve të saj. Për shkak se ditën e ngjarjes kishte dalë nga burgu dëshmitari Petrit Sulejmani, i njohur ndryshe me nofkën “Lumi i Myfitit” dhe faktit se viktima bashkëjetonte me të dashurën e tij, dyshimet e para natën e ngjarjes binin mbi të. Bashkëpunëtorët e viktimës marrin peng nipin e dëshmitarit Petrit, shtetasin Artan Ilmiu, pasi Petritin nuk e gjejnë rrugëve të Durrësit. Shtetasin Artan Ilmiu e dërgojnë te shtëpia e Dritan Sallakut përballë spitalit civil Durrës dhe në disa ambiente të errëta të spitalit. Në këto ambiente ata e torturojnë duke e pyetur rreth ngjarjes, por ai nuk kishte se çfarë t`u tregonte. Për t’u interesuar lidhur me këtë ngjarje shkon te shtëpia e Dritan Sallakut, babai i shtetasit Artan Ilmiu, viktima Nuri Ilmiu. Ai duke u interesuar për djalin e tij, vritet përballë shtëpisë së viktimës Dritan Sallaku në hyrje të spitalit civil Durrës.
Vetëvrasja e të dashurës së Sallakut
Dëshmitari E. Bajrami ndër të tjera dëshmoi se “…Pas vrasjes së tij, kam shkuar te shtëpia e Dritan Sallakut dhe kam qëndruar rreth një gjysmë ore. Aty kishte shumë njerëz. Atë natë takova Erion Lamen, i cili erdhi te spitali me një person tjetër, nuk e mbaj mend kush ishte. Më mori Erion Lame në spital me zor, sepse ishte kushëri i tij, Iliri i plagosur dhe më tha se mos kisha parë gjë. Unë i thashë se nuk kam parë gjë. Ai më tha do vish me mua. Nuk pashë nëse kishte armë me vete në atë moment. Rrugës e pashë se kishte pistoletë. Ai më drejtonte dhe me çoi drejt rrugës "30 Dhjetori". Ai kërkonte një person me emrin “Lumi”. Aty e mora vesh se Ilirin e kishte çunin e hallës dhe se e kërkonte Lumin për këtë ngjarje. Atë nuk e gjetëm. Erjoni pa një makinë dhe e ndaloi makinën, duke më thënë zija rrugën dhe ai personi ndaloi direkt. Mesa mora vesh më pas se ishte nipi i Lumit, nuk e njihja unë. Erjoni komunikoi me të. Erjoni i tha se do të vish me ne se dua të pyes për Lumin. Natën e vrasjes së Dritan Sallakut më është kërkuar nga Dashamir Sallaku, vëllai i Dritanit, të marr në shtëpinë e saj të dashurën e Dritan Sallakut. Atë natë kam takuar shtetasin Marsel Sotiri, pasi kam zbritur nga shtëpia e Dashamir Sallakut, që ka qenë ora 10:30 ishte dy orë pas ngjarjes. Dashi më kërkoi të lajmëroj të dashurën e Dritanit. Unë nuk pranova, ishte vonë. Unë e kisha bluzën me gjak dhe Marseli më pyeti lidhur me ngjarjen që ishte vrarë Dritani. Unë i thashë çfarë më tha Dashi dhe ai me tha ik në shtëpi. Di që Dritan Sallaku kishte një të dashur dhe kjo vajzë quhej Dorina, mbiemri nuk më kujtohet. Di që ka vdekur të nesërmen e varrimit të Dritanit. E mora vesh se ishte vetëvrarë. E mora vesh nga njerëzit… Dëshmitari Pëllumb Sulejmani, në dëshminë e tij në gjykatë ndër të tjera dëshmoi se “Kam njohur dhe kam dashur një vajzë, Dorina quhej. E di se ka vdekur.. ».
Si i shpëtoi Sotiri atentatit të parë
Pas vrasjes së shtetasit Dritan Sallaku, rreth 3-4 ditë më pas, grupimi i drejtuar nga Marsel Sotiri godet me armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të afërt të Lulzim Berishës, siç ishte Redinal Dervishaj. Kjo goditje ka ndodhur në afërsi të shtëpisë që ndërtonte i pandehuri Lulzim Berisha në hyrje të qytetit Durrës, ku me armë zjarri është qëlluar në drejtim të Redinald Dervishajt, por pa pasoja, pasi ai ka shpëtuar pa u goditur. Kjo goditje e menjëhershme ku është dyshuar se njëri prej tyre ka qenë shtetasi Arben Paja, bashkëpunëtor i Marsel Sotirit, ka nxitur edhe më shumë organizatën kriminale të drejtuar nga i pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi Klodjan Saliu të godasin në drejtim të Marsel Sotirit. Për këtë, ata fillimisht kanë menduar se mund ta godasin në Shkozet, rrugës nacionale që vjen nga Tirana, pasi shtetasi Marsel Sotiri punonte në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe bënte përditë rrugën Durrës-Tiranë. Fillimisht të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Adriatik (Dritan) Coli e shtetasit e vrarë Klodjan Saliu e Ilir Xhunga u zhvendosën nga shtëpitë e tyre ku rrinin për te shtëpia e xhaxhait të të pandehurit Lulzim Berisha, që ndodhet te dogana në Shkozet dhe një herë te shtëpia e shtetasit Mehmet Saliu (i vrarë në vitin 2000). Edhe pse në këto shtëpi kanë qëndruar dy-tre net të armatosur në ruajtje të ardhjes së shtetasit Marsel Sotiri, nuk është bërë e mundur goditja e tij. Më datë 29.10.1998, 12 ditë pas vrasjes së Dritan Sallakut, rreth orës 16.00 drejtuesit e organizatës lajmërohen me telefon se shtetasi Marsel Sotiri kishte kaluar Maminasin për në drejtim të Durrësit me makinën e tij të punës. Pas marrjes së lajmërimit të mësipërm, i pandehuri Lulzim Berisha organizon planin duke urdhëruar të pandehurin Adriatik Coli të lëvizte me makinën tip “Lança” vetëm përpara tyre dhe t`i priste pas vrasjes tek unaza, rrugës për në plazh afër shinave të trenit, ndërsa vetë me shokët e tjerë Plaurenti, Klodjani e Iliri hipën në makinën tip “Volkswagen Golf” pa dokumente, të marrë në Kavajë, të cilës i vendosin targa të rreme me targa DR 6104 A. Në makinë marrin me vete katër armë automatike, tre kapele dhe një paruke. Si në vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, i pandehuri Lulzim Berisha hipën në timonin e makinës, Klodjan Saliu në vendin e parë të saj, ndërsa mbrapa i pandehuri Plaurent Dervishaj e shtetasi Ilir Xhunga… Pas pak çastesh, në drejtim të tyre vjen makina tip “Nisan” me targa TR 5926 A me ngjyrë blu, në të cilën ndodheshin viktimat Viron Curri e Arjan Paja e shtetasi Marsel Sotiri i ulur në sediljet e pasme. Në drejtim të makinë së mësipërme qëllojnë me armë zjarri të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj e shtetasit Klodjan Saliu e Ilir Xhunga e si rezultat i këtyre goditjeve gjejnë vdekjen e menjëhershme Viron Curri e Arjan Paja e plagoset rëndë Marsel Sotiri. Pas goditjes me armë zjarri dhe të bindur se shtetasi Marsel Sotiri është vrarë, të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj e shtetasit Klodjan Saliu e Ilir Xhunga largohen me makinë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes për nga unaza e plazhit te shinat e trenit ku sipas planit do t’i priste i pandehuri Adriatik Coli me autoveturën tjetër tip ”Lança”. Viktimat Viron Curri e Arjan Paja të gjetur në makinën e Marsel Sotirit vdesin siç thamë më lart menjëherë, ndërsa shtetasi Marsel Sotiri plagoset rëndë, por për shkak të ndërhyrjeve të specializuara mjekësore, si brenda e jashtë Shqipërisë edhe me ndihmën e strukturave shtetërore ku punonte, arrin të shpëtojë, duke vazhduar të ekzistojë si rrezik potencial për organizatën kriminale të drejtuar prej Lulzim Berishës e shtetasit të vrarë Klodjan Saliu.
Si u fut banda e Gaxhait në konflikt
Shtetasi Marsel Sotiri përmirësohet nga ana shëndetësore dhe në vazhdën e përpjekjeve për të vrarë të pandehurin Lulzim Berisha e shtetasin Klodjan Saliu, në muajin maj 1999 organizon dhe vret dy bashkëpunëtorët e tyre, Ilir Xhunga e Arjan Paja, të cilët po lëviznin me makinën që përdorej nga Lulzim Berisha. Për këtë është arrestuar njëri prej autorëve të vrasjes, Viktor Ymeri ose i njohur ndryshe me emrin “Gaxhai”, i cili kishte ardhur nga Vlora në ndihmë të organizatës që drejtonte Marsel Sotiri në qytetin e Durrësit. Për këtë ngjarje ka deklaruar i pandehuri Adriatik Coli sa vijon: “...Rreth orës 4-5 mbasdite, data nuk më kujtohet, dëgjojmë të shtëna armësh dhe një plasje shumë të fortë në fund. Të shtënat zgjatën rreth 5 minuta, në atë kohë zbresim poshtë unë me Ylli Shabën. Te Muzeumi i Dëshmorëve marrim taksi dhe shkojmë te shtëpia e re e Lulit, ku ndodhej ngjitur me shtëpinë e babës së Plaurent Dervishit. Shkojmë atje unë dhe Ylli dhe gjejmë Klodian Saliun duke qarë, që ndodhej brenda oborrit të shtëpisë së Lulit. Pashë dhe Lul Berishën me lot ndër sy dhe Plaurent Dervishajn, dhe pyesim çfarë ka ndodhur. Klodi tha kanë vrarë Ilir Xhungën dhe Arben Pajën. Në atë kohë vjen Gëzim Seferi dhe e pyet Klodi, i thotë gjallë apo vdekur janë? Gëzimi i thotë që kanë vdekur. Klodi i thotë shko dhe njëherë në spital të marrësh vesh a janë gjallë apo vdekur. Në atë kohë që Gëzimi shkon te spitali, Klodi i thotë Lulit, marrim armët dhe shkojmë t’i gjuajmë Gaxhait dhe atij tjetrit, atje ku janë. Luli i thotë jo, nuk pranon. Luli nuk pranon, kështu që ne që ndodheshim aty, Lul Berisha, Klodian Saliu, Ylli Shaba, Plaurent Dervishi, Gëzin Seferi nisemi te shpia e Klodit në Spitallë. Atje qëndrojmë deri në darke, sa errësohet. Nisemi prapë në këmbë për të shkuar te shtëpia e Ilir Xhungës të gjithë me armë kallashnikov, unë, Lul Berisha, Klodian Saliu, Gezim Seferi, Ylli Shaba, Plaurent Dervishi ka qenë dhe një person tjetër nuk më kujtohet emri. Të nesërmen bëhet varrimi i Ilir Xhungës dhe Arben Pajes. Dua të them se, siç ishim, po atë natë, shkuam dhe të shpia e Arben Pajes. Ne të nesërmen shkuam në varreza të gjithë çunat. Varrimin e shoqëronin, unë, Ylli Shaba, Lul Berisha, Klodian Saliu, Plaurent Dervishi, Red Dervishi, Gëzim Seferi dhe dy persona të tjerë. Ne prapë ishim të armatosur me armë kallashnikov. Gjatë rrugës, nga shpia e Ilir Xhungës, Lul Berisha e Klodian Saliu, shoqëronin arkivolin e Ilir Xhungës dhe ne të tjerët rrinim anës rrugës me kallash në dorë. Kështu vazhduam deri te varrezat……Di që Gaxhai, bashkë me Viktor Ymerin u arrestuan gjysmë ore pas vrasjes, mesa mbaj mend unë. Aty ne morrëm vesh se i kishte gjuajtur Gaxhai me Viktor Ymerin, pasi u bë bujë e madhe, se ishte Gaxhai, erdhi haberi. Të nesërmen, Klodianit i vijnë haberet që Ilir Xhungës dhe Arben Pajës i kishin gjuajtur Marsel Sotiri, Tur Labi, Ed Ongari, Alban Selishta, Kokëlopa, Gaxhai ose Viktor Ymeri”.
Vrasja e Ongarit
Për hakmarrjen e radhës u përzgjodh viktima Eduart Ongari, i cili sipas tyre kishte strehuar autorët e vrasjes së shokëve të tyre Ilir Xhnuga e Arben Paja dhe kishte marrë pjesë në vrasjen e tyre. Pasi u përzgjodh vrasja e shtetasit Eduart Ongari filloi puna lidhur me kryerjen e kësaj vrasje. Fillimisht nga i pandehuri Lulzim Berisha sigurohet autovetura tip “Benz 2400”, ngjyrë jeshile e cila ishte pa dokumente, pasi ishte e vjedhur, e cila do të përdorej në realizimin e vrasjes, strategji e përdorur edhe në dy vrasjet e mëparshme. Më pas sigurohen armët e zjarrit si dy armë automatike tip “skorpions” një automatik “kallanikov” e për t`u maskuar një palë paruke të kuqe dhe një kapele berete, meshine e zezë. Si makina, armët dhe parukja me kapelen i jepen të pandehurit Adriatik Coli me datë 04.07.1999 që t’i mbajë në shtëpinë e tij e t’i ketë gati organizata në momentin e volitshëm për të kryer vrasjen e shtetasit Eduart Ongari… Organizata kriminale kishte marrë dijeni e kryesisht i pandehuri Plaurent Dervishaj, i cili ndodhej në pritje të vrasjes e kontrollit të situatës, se viktima Eduart Ongari ndodhej te lokali i mësipërm duke pirë kafe në një tavolinë përjashta lokalit. Të pandehurit Lulzim Berisha, Indrit Taullai, Adriatik Coli e shtetasi Klodjan Saliu afrohen me makinën e mësipërme deri në cepin e pallatit, ku ndodhej lokali “bar-bufe” i shtetasit Shahin Ollomani dhe në një distancë rreth 10 metra nga ku nuk dukej lokali, zbret i pandehuri Adriatik Coli nga makina. Ky i pandehur kalon afër lokalit ku ndodhej viktima Eduart Ongari dhe pasi e vë re atë të ulur në tavolinë përjashta me dy persona të tjerë, në një pozicion rreth 30 metra larg lokalit, ju tregon shokëve të tij me dorë për numrin e personave në tavolinën e viktimës dhe vetë qëndron në atë pozicion. Menjëherë pas kësaj, në drejtim të tavolinës ku ndodhej viktima shkojnë shtetasi Klodjan Saliu me kapelen meshini në kokë dhe me armën “skorpions” në dorë dhe pas tij i pandehuri Lulzim Berisha me paruke në kokë dhe me automatik në dorë. Sapo i afrohen tavolinës, shtetasi Klodjan Saliu qëllon me breshëri në drejtim të viktimës Eduart Ongari, i cili nga goditjet bie me kokë në tavolinë duke vdekur në vend, ndërsa shokët e tij largohen me shpejtësi nga lokali ku ishin. Pas vrasjes, në timonin e makinës tip “Benz 240” hipën i pandehuri Indrit Taullai, ndërsa si pasagjer hipin i pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi Klodjan Saliu. Menjëherë largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa i pandehuri Adriatik Coli largohet në këmbë për në shtëpinë e tij, duke u përshëndetur me dorë rrugës nga i pandehuri Plaurent Dervishaj i cili gjendej në ballkonin e shtëpisë së dëshmitares L. B. duke ndjekur ngjarjet. Të pandehurit Indriat Taullai e Lulzim Berisha së bashku me shtetasin Klodjan Saliu braktisin makinën tip “Benz 240” në afërsi të shtëpisë së Miri Hotit në Durrës, duke lënë brenda saj armët, kapelen, paruket, etj. Pas kësaj ata shkojnë në këmbë për te shtëpia e të pandehurit Adriatik Coli.
Kurthi me Miss-in për Marsel Sotirin
Për shkak se kishin dështuar një herë me datë 29.10.1998 për vrasjen e shtetasit Marsel Sotiri, tani mendohej më me seriozitet dhe dredhi vrasja e tij. Për të realizuar vrasjen e shtetasit Marsel Sotiri, organizata kriminale mendon t`i bëjë një pabesi atij nëpërmjet mashtrimit me anë të një vajze e për këtë u vendos dëshmitarja Valbona Jaho. Valbona ishte një vajzë e re e sapo ardhur me familjen e saj në qytetin e Durrësit, në gjendje të vështirë ekonomike, por nga paraqitja simpatike e tërheqëse, e cila kishte marrë pjesë edhe në një konkurs bukurie në qytetin e saj të lindjes Çorovodë, ku ishte vlerësuar për këto cilësi. Kjo dëshmitare vihet re nga i pandehuri Klodjan Saliu e nëpërmjet një shoqeje të saj takohen së bashku fillimisht për kafe e më pas krijojnë një lidhje miqësore. Që në fillim të kësaj lidhje, shtetasi Klodjan Saliu kishte si qëllim përdorjen e saj si karrem për të nxjerrë në pritë shtetasin Marsel Sotiri. Pas disa kohë njohjesh, Klodiani ia ofron në një bisedë qëllimin e tij, por ajo e kundërshton. Në këto kushte, Klodjan Saliu në mënyrë të vazhdueshme për disa ditë i ushtron dhunë fizike e psikologjike nga më të ndryshmet derisa dëshmitarja i nënshtrohet vullnet e dëshirës së tij. I pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi Klodjan Saliu gërshetojnë veprimet e tyre si drejtuesit kryesorë të organizatës lidhur me këtë plan për të vrarë shtetasin Marsel Sotiri. Ky i fundit lëvizte me makina të blinduara, ndaj Lulzim Berisha e Klodjan Saliun vendosën të vrasin Marsel Sotirin në afërsi të plazhit, ku ai rrinte duke përdorur si karrem dëshmitaren Valbona Jaho. Për të realizuar këtë skenar, organizata planifikoi të përdorë dy shtëpi në afërsi të plazhit ku rrinte Marsel Sotiri. Njëra shtëpi i duhej atyre për të sjellë dëshmitaren Valbona me familjen e saj në plazh, që veprimi i saj të ishte i kamufluar, ndërsa shtëpia e dytë i duhej afër të parës, që të fshiheshin e të godisnin në befasi Marsel Sotirin. Valbona Jaho fillimisht bisedon me motrën e saj, dëshmitaren Genta, duke i treguar për situatën në të cilën ndodhej e pasi e bind këtë të fundit ta ndihmojë, pasi gjendeshin të kërcënuara për jetën e tyre dhe të familjes në tërësi, i kërkon familjes të shkojnë në plazh. Fillimisht nëna dhe babai i saj refuzojnë, por pas këmbënguljes së vajzave ata pranojnë pa qenë të informuar se çfarë do të ndodhë e kush është pas gjithë këtij organizimi. Më 16 gusht 1999, Valbona Jaho dhe familja e saj shkojnë në plazh dhe deri më 21 gusht, ajo kishte arritur të takonte shtetasin Marsel Sotiri e ta joshte, sipas porosive të dhëna nga Klodjan Saliu. Organizata kriminale strehohet në shtëpinë e dytë dhe fshihen aty. Në këtë banesë shkon më datë 22.08.1999 edhe i pandehuri Adriatik Coli, i thirrur prej tyre ku të gjithë së bashku flasin lidhur me mënyrën se si do ta vrasin shtetasin Marsel Sotiri. Pasi marrin informacion se dëshmitarja Valbona Jaho gjendej me shtetasin Marsel Sotiri në lokal afër pistës ILIRIA dhe se një natë më parë ai e ka shoqëruar me makinë deri në afërsi të shtëpisë ku rrinte me familjen në plazh, në të errësuar të datës 22.09.1999, ata nisen për t’i zënë pritë në afërsi të shtëpisë ku do të vinte dëshmitarja Valbona. Nga shtëpia nisen me makinë ku e drejtonte i pandehuri Adriatik Coli dhe brenda saj ishin të pandehurit Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai e shtetasi i vrarë Klodjan Saliu. Pas pak Marsel Sotiri sjell me makinën e tij tip “BMW” të blinduar dëshmitaren Valbona Jaho për në shtëpinë ku rrinte e sapo ndahet prej saj, ai qëllohet me armë zjarri nga shumë drejtime dhe vritet. Menjëherë pas goditjeve me armë të pandehurit Lulzim Berisha e Plaurent Dervishaj shkojnë për në drejtim të urës dhe vendit ku po i priste i pandehuri Adriatik Coli, i cili me automatik kishte bllokuar lëvizjet në rrugën e unazës së plazhit. Ata pasi interesohen për shokët e tyre, Indritin e Klodjanin dhe shikojnë se ata po vonohen, nga frika të rrinin në pritje të tyre largohen së bashku me të pandehurin Adriatik Coli, i cili ishte në timonin e makinë. Pas tyre po në këmbë largohen edhe i pandehuri Indrit Taullai e shtetasi Klodjan Saliu. Në vendin e ngjarjes autorët kanë lënë disa armë zjarri të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Të nesermen dëshmitarja Valbona Jaho ka imponuar familjen të largohet nga plazhi, duke inskenuar se fëmijët e motrës janë të sëmurë. Pas shkuarjes në shtëpinë e tyre ku jetonin, në Durrës, Valbona Jaho merret nga shtetasi Klodjan Saliu me qëllim ruajtjen e jetës së saj, por në vijim për atë do të fillojë një kalvar vuajtjesh e shfrytëzimi çnjerëzor. Kjo dëshmitare për afro një muaj mbahet e fshehur në shtëpitë e Plaurent Dervishajt, Lulzim Berishës e vjehrrit të këtij të fundit. Më pas dërgohet me anije si klandestine në Itali dhe mbahet atje duke u shfrytëzuar për prostitucion nga i pandehuri Indrit Taullai e kushëriri i tij, deri nga fundi i muajit shtator 2000.
Dani e Gina, kundër bandës së Berishës
Sipas dosjes së prokurorisë, rezulton se Alban Dani, i vrarë më 16 mars 2000 në Durrës
rezulton të jetë lidhje shoqërore e grupit të drejtuar nga Marsel Sotiri. Prania e Alban Danit pranë shtetasit Marsel Sotiri e bashkëpunëtorëve të tij lidhet me faktin se ai është emëruar në të njëjtën ditë së bashku me shokun e tij Ilir Bardhi dhe Marsel Sotiri, Viron Curri e Bledar Zefi si inspektor pranë sektorit të anikondrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave Tiranë. Pas plagosjes së Sotirit e vrasjes së shtetasit Viron Curri, si Marseli ashtu dhe Alban Dani e Ilir Bardhi largohen nga detyra.
Së dyti, pas vrasjes së Dritan Sallakut më datë 17.10.1998, rezulton se bashkëpunëtori më i ngushtë i Alban Danit, Denis Gina interesohet tek dy dëshmitarë lidhur me automjetin tip “BMW 324“ me numër shasie WBAAD310301424028, i cili është përdorur për të lëvizur autorët e vrasjes së shtetasit Dritan Sallakut. Lidhja e tretë ka të bëjë me plagosjen e Erion Lames, bashkëpunëtor i Marsel Sotirit në atentatin ku mbeti i vrarë Alban Dani.
Pazari për vrasjen e Lul Berishës
Sipas dëshmisë së Adriatik Colit, ky i fundit ndihmohet nga Aleks Keka, me porosi të Endrit Dokles dhe largohet për në Itali, nëpërmjet Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë. Në dëshminë e tij, Coli tregon se “me Aleksin kishte hapur muhabetin që kishte bërë me Endrit Doklen, kur kishte ardhur në muajin Tetor 2005. E kishte takuar poshtë shtëpisë së vet, Endrit Doklen. Një ditë para erdhi vetëm dhe zbritëm poshtë unë, Endrit Dokle, Sardiani, dhe Kujtimi dhe Emiljano Shullazi. Ata kishin biseduar për Lulzim Berishën, për të vrarë Lulzim Berishën. Ata i kishin kërkuar 200 mijë euro Endritit për këtë. Kishin kërkuar si parapagim 100 mijë euro”. Coli thotë se ai i ka thënë Dokles që të mos i jepnin paratë, por dëshmon se në takim me Aleks Kekën ka mësuar se Endriti i ishte ofruar edhe një shkëmbim. “Siç thashë më lart, po bisedoja me Aleskin te shelgjet te Klubi para se të ikja në Mal të Zi. Aleksi më tha gjatë muhabetit që Endriti u tregua kalama, sepse ata kishin rënë dakord edhe për të shkëmbyer Altin Ollonin që rrinte me ne. Ata do të nxirrnin Plaurent Dervishajn. Do ta nxirrnin që ta vrisnim ne. Me Altinin, Tan Dajti dhe Emiljano Shullazi kishin problem. E donin Altinin të gjallë, ta merrnin të gjallë. Këtë e di nga Aleksi”,- rrëfehet Coli, ndërsa shton se veç tij dhe Aleksit nuk ishte njeri tjetër prezent në këtë bisedë. Kjo është edhe pjesa e fundit në rend kronologjik e dëshmisë së tij, ku ai edhe arsyeton se përse është dorëzuar. Ai thotë se gjatë kohës kur ishte në Itali në Breshia, ka punuar për Aleksin dhe ka shitur drogë për të. Më pas shpjegon se është nisur për t’u kthyer në Shqipëri me vëllanë e Klodian Saliut, Arjan Saliu, ky i fundit e kishte informuar se Endrit Dokle kishte dërguar njerëz në Itali për ta vrarë. “Gjatë kohës që kam ndenjur në Itali në Breshnja, kam marrë vesh nga njerëz të afërt që Lulzim Berisha kishte nisur njerëz për të më vrarë. Gjithashtu, edhe njerëzit e Ilir Koldashit kishin nisur njerëz për të më vrarë. I kam marrë vesh nga njerëzit e mi të afërt emrat nuk më kujtohen. Kam mësuar se edhe Endrit Dokle kishte nisur njerëz për të më vrarë”, -kujton Coli. Ai thotë se pasi ka marrë vesh këto dhe pas një peripecie në burg në Austri për shkak të identitetit, përfundon në Kosovë, ku vendos të dorëzohet. Telefonon një mikun e tij, i cili duket se njofton policinë dhe në Rinas e presin drejtues të forcave të rendit. “Më morën në pyetje kur arrita tek rajoni ku më çuan ata. Dhe fillova ti tregoj të gjithë ngjarjet. Kjo është e gjitha…..,”, mbyll rrëfimin Coli. I shpallur në kërkim nga për vrasjen e Ilir Koldashit, dhe pasi mëson siç tregon vetë se dy bandat në të cilat kishte marrë pjesë kërkonin ta vrisnin e po ashtu donin ta vrisnin edhe njerëzit e viktimës së tij të fundit, Coli kërkon të dorëzohet e të bashkëpunojë me drejtësinë jo vetëm për këtë ngjarje por edhe për ngjarje të tjera kriminale, ku ai ka qënë i pranishëm apo kishte dijeni për autorët e saj.