E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Press: Filmi “Anna Karenina”

Ja edhe një çpikje tjetër e kohës: kryeveprat e literatyrës botërore bëhen mall i filmit. Filmëzohen. Kalojnë nga perdja e cinemas. Midis prodhimeve cinematografike të këtij lloi, në kohët e fundit kemi për të shënuar dy :”Romeo e Julia” e Shakspeare-it, dhe “Anna Karenina” e Tolstoit, e filmëzuar nga Greta Garbo. Të parin s’e kam parë. Të dytin bashkë me një numur të madh tiranas e pash edhe unë muajin e kaluar në cinema “Nacionale” bile dy tri netë me radhë. Është një film nga më të rrallët që u rrotullua një javë të tërë në Tiranë përpara bangove çdo herë të mbushura mirë. Në ket grumbullim, si të jashtëzkonshëm, të spektatorëve, ndofta ka kontribuar edhe përkthimi i mirë shqip i kryeveprës tolstoiane që u shtyp vjet. “Anna Karenina” është një filmëzim e lirë i veprës së Tolstoit. Një punë jo letrare, por vetem cinematografike, me kuptimin teknik të fjalës. Dhe është një nga më të goditurët. Mund të duket si çudi, por është e vërtetë: filmi, me gjithë se është një punim i lirë, prapë, ka mundur të rroj e të ringjall mjaftë gjëra nga vijat origjinale të veprës letrare. Pas Anna Kareninës të Greta Garbos, ndjejmë ndodhjen e një personaliteti që nuk lejon të marrim frymë. Përpara saj askush nuk mund të qëndroj i pa prekur. Shpesh vetëm dukja e sajë imponon heshtje dhe një bindje të plotë. Është një grua, që thua, kjo Garbo një grua e vërtetë midis mijrave karikaturash grash. Këtu kjo rrokullis një film të lirë, shumë të lirë. Një milion hollësira humbën. Terë vija e qëndrimit e Ljevinit dhe Kittit, paraqitet kryekëput e shtrembëruar. Ljevini ka qenë pas Anna Arkaxhenës figura më me rëndësi për Tolstoin. Këtu nuk është. Ka edhe më: tërë antitheza artistike dhe ideologjike midis martesës së Kitti dhe pasionit të Annës, u zhduk krejt nga mesi. Dhe bashkë me të edhe terë ballanci i veprës. Në fund të filmit befas na dalin përpara Kitti si një grua e martuar e lumtur dhe Ljevini si një babë i kënaqur. Dhe ne formojmë përshtypjen se Ljevini s’është gjë tjetër veç një zotëni “Faute - de-mieux” siç thonë frëngjët, dhe gjithë puna paraqitet si një satirë e një martese gënjeshtare të lumtur. Satirë që shërben vetëm për një qëllim: te justifikoj plotësisht jetën aventurioze të Anna Kareninës. Asgjë tjetër. Filmi nuk na tregon gjë mbi mënyrën e zhvillimit të brendshëm të asaj jete bashkëshorte.

Midis veprës dhe filmit ndryshimi është i madh. Mund të themi se Greta Garbo ka krijuar një tjatër Anna Karenina. Vetëm frymëzimi ësht i Tolstoit. Por me gjithë këtë, ç’përshtypje të thellë na le ky film! Nga kryeveprat e mëdha me të hequr edhe gurin më të vogël, rrëzohet përdhe tërë ndërtesa. Greta Garbo ka hequr shumë gurë. Por ndërtesa s’pësoi gjë. Mbi romanin e Tolstoit është shkruar një moto nga bibla.

Ky motto mund të shkruhet edhe mbi filmin e Garbos. Këjo është e tëra.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›