Reveje: S’do të përsëritet Bullgaria!
Mbrojtësi i djathtë i Olimpik Lionit, Antoni Reveje, mund të jetë titullar në vend të Sanjas të dëmtuar në ndeshjen kundër Shqipërisë ditën e premte
Në Francë janë të shqetësuar në lidhje me mungesat e Benzemas e Sanjas, por trajneri Blank dhe lojtarët e grumbulluar duket se nuk e kanë këtë shqetësim. Kjo pasi besojnë shumë te forca e tyre. Antoni Reveje, mbrojtësi i Olimpik Lionit, ndonëse nuk po kalon një formë të mirë me klubin e tij, duhet të jetë zëvendësuesi i Sanjas së dëmtuar. Sipas tij, Shqipëria nuk do të luajë në sulm, ndaj do të jetë detyrë e Francës për ta nxjerrë golin. Gjithashtu, i ngacmuar nga mediat nëse në këto dy ndeshje mund të përsëritet sindroma e Bullgarisë (referuar ndeshjes së vitit 1993 e vlefshme për Kupën e Botës USA ‘94, ku Franca ndonëse udhëhiqte 1-0 me gol të Kantonas, u mund 1-2 pas golave të Kostandinov në minutat 38’ dhe 90’), ai përgjigjet se “gjithçka mund të ndodhë”, por beson te kualifikimi në Euro 2012 dhe triumfi si ndaj Shqipërisë, ashtu edhe ndaj Bosnjës.
E keni tretur humbjen ndaj PSG-së?
Tani jemi në një nivel tjetër me kombëtaren. Megjithatë është e vërtetë që humbëm shumë raste, ndonëse u përpoqëm që të rikuperonim sa të mundnim. Te Lioni nuk mund të bëjmë shumë tunr-over për shkak të dëmtimeve. Nuk do të ankohemi që po luajmë shumë, por janë disa ndeshje radhazi që kur ka nisur kampionati së bashku me paraeliminatoret e Champions. Duhet të mendojmë ndonjëherë edhe për masazhet, banjot e ngrohta, kurat apo gjumin. Edhe këto janë shumë të rëndësishme.
Sipas të gjitha gjasave do të jeni titullar. E ndryshon kjo përgatitjen tuaj?
Jo, luajmë ose jo, ne përgatitemi në të njëjtën mënyrë, njësoj sikur të ishim titullarë. Vetëm kur e presim të jemi titullarë, mbase përgatitemi diçka më shumë në aspektin psikologjik. Por i gjithë grupi po përgatitet në optikën e fitores dhe të kualifikimit.
Roli juaj ndryshon mes klubit dhe kombëtares?
Në fillim janë shokët e skuadrës ata që ndryshojnë. Shikohemi vetëm gjatë grumbullimeve. Përpiqemi të ruajmë disa gjëra dhe punojmë, por është ndryshe. Megjithatë nuk ka ndryshime rrënjësore. Një mbrojtës krahu është së pari një mbrojtës, ndaj ai duhet të mbrojë mirë. Pastaj mundësitë e tjera vijnë më pas. Kundër Shqipërisë do të na duhet që të furnizojmë mesfushën. Është loja ajo që të komandon, kur ne kemi topin mund të projektohemi me lehtësi në sulm.
Por rrezikoni të mos mbroni mirë…
Nëse ata nuk do të duan të na sulmojnë, nuk do ta bëjnë. Na takon neve të gjejmë zgjidhje, të jemi të qetë, të mos bëjmë marrëzira, të luajmë mirë me topin ulur dhe të lëvizim nga krahët. Nuk duhet të nervozohemi. Duhet të lëvizim shpejt dhe thjesht. Por gjithmonë është më e thjeshtë ta thuash sesa ta bësh.
Janë ndeshje me shumë presion…
Është një presion pozitiv dhe është logjike kur luan me kombëtaren. Ne jemi mësuar në klub dhe në kombëtare me këtë gjë, por nuk duhet të teprohet. Një shans i mirë është se luajmë në shtëpi dhe kemi publikun me vete.
I druheni sindromën Francë-Bullgari?
Gjithçka mund të ndodhë, por mendoj pozitivisht. Ne jemi në një situatë të favorshme, nëse fitojmë dy ndeshjet tona, jemi të kualifikuar.