E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shmanget përballja e emrave “big”

Shorti ndan skuadrat në 4 grupe. Ecuria do të jetë njësoj si në Champions League

16 skuadrat e kualifikuara për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë kanë njohur kundërshtarët e tyre në raundin tjetër të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar. Shorti i hedhur në selinë e Federatës ka përcaktuar katër grupe, ndërsa ka eliminuar përballjet mes skuadrave të mëdha dhe pretendente për të fituar trofeun në fund të sezonit. Fituesja e edicionit të kaluar, Tirana është vendosur në Grupin A, bashkë me Laçin, Shkumbinin dhe Apoloninë. Në grupin B do të luajë Flamurtari, Teuta, Pogradeci dhe Kamza, ndërsa një rrugë më të lehtë, shorti ka përcaktuar për Skënderbeun. Kampionët në fuqi janë vendosur në grupin C, ku Kastrioti shihet si rivali më i fortë për korçarët, ndërsa dy skuadrat e tjera janë Luftëtari dhe Besa, të cilat luajnë në Kategorinë e Parë. Në grupin D të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë do të luajnë Vllaznia, Bylis, Dinamo dhe Elbasani, ku skuadra shkodrane shihet si favorite për të kaluar në raundin tjetër të këtij kompeticioni, i cili në këtë sezon do të vijë me një format të ri. Sektori i garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka vendosur të heqë sistemin me eliminim direkt, ndërsa turi i dytë do të luhet si kopje e Ligës së Kampioneve. Skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën dhe dy skuadrat e çdo grupi që do të grumbullojnë më shumë pikë do të kualifikohen në raundin tjetër. Ndeshjet e para në grupet e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen më 19 tetor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›