Londra përuron pistën e atletikës
Uest Hem dhe Totenhem kërkojnë të marrin stadiumin “Olimpik” pas Lojërave 2012
Londra ka përuruar pistën e re të atletikës, kur mbetet më pak se një vit nga nisja e Lojërave Olimpike 2012. Në stadiumin e ri “Olimpik’, fituesja e medaljes së argjendit në 1500 metra, Hanah Inglënd ka provuar për herë të parë pistën, ku do të zhvillohen garat më të rëndësishme të atletikës botërore. Me një sipërfaqe prej 16.000 metra katror, kjo pistë është projektuar nga një kompani italiane, ndërsa cilësohet si një nga krenaritë e Olimpiadës së ardhshme. Me inaugurimin e kësaj piste, organizatorët e Londër 2012 kanë treguar edhe një herë se do të jenë gati përpara nisjes së turneut gjigant të sportit botëror. Stadiumi “Olimpik” i Londrës do të promovojë edhe kandidaturën e kryeqytetit anglez për të marrë organizimin e Botërorit 2017 të atletikës, por që tani është bërë një objekt gare për dy nga klubet më të njohura londineze.
Skuadrat e futbollit Uest Hem dhe Totenhem kërkojnë të marrin pronësinë e stadiumit në përfundim të Lojërave Olimpike, por problem mbetet pikërisht pista, e cila është e papërshtatshme për një stadium futbolli. Klubet do ta modifikonin, por ministri britanik i Sporteve, Hjuuxh Robertson ka bërë të ditur se pista e atletikës nuk do të preket.