E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucion apo zgjim shpirtëror?

Nga Doriana Metollari

Një miku im më tha dje se Franca është në prag revolucioni me emigrantë që refuzojnë t’i respektojnë ligjet e shtetit francez, po e çonin sistemin e sigurisë publike dhe atë social drejt fundit. “Po krijohet një pakënaqësi e madhe; njerëzit me zor e tolerojnë njeri-tjetrin”, kaos që përshpejtohet nga kriza e rëndë ekonomike.
E gjithë bota është brenda një tuneli dhe sheh vlera që lindin e të tjera që fundosen. Fundi i një epoke dhe lindja e një tjetre. Jemi të gjithë brenda asaj që njeriu e ka krijuar me arrogancë dhe dëshirë për dominim, sot vriten të vegjlit për gabimet e të mëdhenjve.

Tek e fundit nuk është faji i emigrantëve që shkojnë në Francë, për shkak të opresionit që kanë në vendin e tyre, shtypjes sot i ka ardhur fundi, por as i francezëve që zgjohen të privuar nga vlerat brenda vendit, sepse deri sot bota u sillej rreth vetes dhe mirëqenies, mungesa e së cilës i tremb.
Një luftë gjigandësh që mbjellin terror dhe vënë kulturat kundër njëra-tjetrës, shterojnë dëshirat për komunikim, ua bëjnë përherë e më të rëndë rrugën njerëzit të drejtë.

I dashur mik, kjo është një betejë që në ditët tona do t’i vijë dhe fundi. Një fund që i as unë e as ti nuk e vendosim dot. Por mund të vendosim të mos jemi më indiferent ndaj një bote që po shkon drejt greminës dhe të ulemi në një shkallë më poshtë për ta parë. Mund të vendosim të ndryshojmë stilin e jetesës dhe të mos heshtim kur njerëzit vuajnë.

Mund të jemi dhe më pozitiv, të përpiqemi të njohim më shumë e të vuajmë më pak në frikë. Por mund dhe të zgjedhim të mos bëjmë asnjë nga këto që thashë më sipër. Mund të ecim në rrugën tonë, pa e kthyer kokën anash dhe kjo është zgjedhje, por nuk ka për të na mjaftuar kurrë.
As unë as ti nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë më shumë se kaq. Unë e di se dhuna nuk është kurrë një përgjigje, por dhe të durosh pasivisht nuk është rrugëdalje.
Mund të urresh, është gjëja më e thjeshtë për të bërë, por mos kërko shumë prej saj, sepse është ndjenjë e dobët. Ndryshimet tona duhet të na bashkojnë, jo të na ndajnë.
Le të mos i besojmë as të mirës dhe as të keqes, biles le t’i fshijmë fare nga truri, nuk jemi asnjë ditë të përsosur, por kemi një dhuratë më të mirë, mund të zgjedhim dhe të ndryshojmë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›