E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Xibraku-gate” dhe disidentët e opozitës

Duhet të kishte kaluar koha e metodave të Luftës së Ftohtë, por ja që vendi ynë surprizon. Në Asamblenë e Socialistëve të mbajtur në një lokal periferie ishin bllokuar valët e celularëve. Kush e ka bërë, nuk ka menduar ruajtjen e sekretit. Hyrja ishte e lirë, tek dera nuk kontrollonte askush mandatet dhe pjesëmarrja e larmishme. Përveç anëtarëve të përhershëm ishin po aq koordinatorë. Domethënë nja katërqind burra e gra. Ideatori dinte maniakërinë e Berishës për t’u informuar mbi imtësitë e kota të kujtdo dhe ka gjetur rastin ta tërbojë. Ia ka arritur. Në Parlament, Kryeministri akuzoi se opozita po futej në bunker, por e kishte të shkruar në ballë që i kishte dalë huq përgjimi. Herën tjetër do matet më mirë, duke infiltruar 007-ët e Visho Ajazit.
Veprimi i bllokimit të valëve celulare u cilësua shkelje e të drejtave të njeriut dhe informimit. Nuk është ndonjë vejushë - e bardhë - protestante - tetëdhjetëvjeçare - milionere - nga Bostoni, por Arben Malaj, deputet - ish ministër - funksionar i lartë i PS, i cili merr spunto nga ky veprim dhe kritikonte kryetarin aktual të tij si autoritarist, shpërfillës, mbytës i debatit dhe cilësime të tjera. Groteskja mbaron këtu, ku edhe fillon problemi serioz i opozitës. Ka mëse katër vjet që kryetari aktual i PS kritikohet haptas dhe nën zë për sa përmenden më lart edhe për defekte të tjera. Shqetësimi është se kjo rrugë do ta mbajë rishtas të majtën në opozitë. Të shqetësohet për fatin e PS është e drejtë e secilit anëtar të kësaj partie. Por mënyra dhe koha se si ngrihet problematika dhe dërgohet mesazhi është e gabuar. Ai bën dëm, bëhet pengesë për të ardhur PS në pushtet. A ka defekte Edi Rama si kryetar i PS? Padyshim, po. Ka gabimet që bën çdo qënie njerëzore në aktivitetin e saj, si dhe ato të një personazhi të profilit jopolitik që u implementua në një fushë për të cilën nuk ka instinktin e lindur. A mund të fitojë në mënyrën si po vepron? Kjo është një pyetje që do marrë përgjigje së shpejti. Por nëse do pyetej një gjeneral, se si do ta cilësonte desidencën e nënkomandantëve ndaj komandantit në prag të betejës, përgjigja pa dyshim do ishte: Tradhti. Por tradhtia ndaj Ramës nuk do kishte fort rëndësi. E keqja është që bashkë me të shkon në fund edhe PS. Me një pushtet që gjithmonë e më shumë po përdor paratë e fituara në dy mandate, për t’i pastruar, duke privatizuar sektorë jetikë, do jetë gjithmonë e më e vështirë të çmontohet në të ardhmen. Pas vitit 2017, nëse Berisha fiton rishtas, një pjesë e konsiderueshme e elektoratit do jenë të punësuar në ndërmarrjet e familjes së tij. Do kemi të bëjmë më shumë me votimin për zgjedhjen e menaxherit të ndërmarrjes me një aksioner të quajtur Shqipëri, se me një sistem politik. Këto pasoja i dinë kritikët e Ramës? Me siguri po. Por ka edhe disa pyetje që lindin vetiu. Për shembull, cila është përgjegjësia e tyre në humbjen e PS në 2005-ën? Pasi gjithë kritikët e Ramës kanë qënë ministra të qeverisë socialiste që humbi zgjedhjet. A ndjejnë ndopak faj që me sjelljet e papërgjegjshme, mefshtësinë dhe korrupsionin bënë që popullata dhe ndërkombëtarët të pranonin rishtas në pushtet një kufomë politike si Berisha? Pse nuk e ndaluan Ramën që të uzurponte PS-në, ndërkohë që ai erdhi pa asnjë përkrahës në radhët e saj? A nuk ishte kjo një miopi e juaja, siç ishte humbja e zgjedhjeve, ndaj nuk ka pse ju dëgjohet vërejtja dhe as t’ju merren mend pas tetë vjetësh? Dhe a duhet të keni kaq qibër për bllokimin e telefonave, ndërkohë që shefi qeverisë nuk lë presion pa bërë ndaj kundërshtarëve, i shan si rrugaç, i pasuar nga një grup parlamentar që nuk ka as dinjitetin e deputetëve të Bashar Asadit dhe kryetare Kuvendi që nuk lë rast pa i cingrisur? A duhet të jeni kaq qibarë për etikën në PS, kur përballë keni njeriun që shan dhe shpif ndaj kundërshtarëve politikë, siç me të përndjekurit sëfundmi, me një fjalor të denjë për një kapter gulagësh siberianë? Kërkesa e etikës protestante në Ballkan është e ekzagjeruar, por është e drejtë e çdokujt. Por a vlen kjo përballë një njeriu që shpif ndaj kundërshtarëve të tij, pa paraqitur asnjë fakt, dokument apo filmim? A është e udhës që përpara zgjedhjeve të përgjithshme, pas tetë vjetësh që socialistët janë në opozitë, të jeni kaq naivë dhe të përmendni autoritarizmin e Ramës, kur përballë është një ndër njerëzit më të korruptuar dhe vrasës i certifikuar? Jeni kaq naivë dhe mendoni se kështu i bëni mirë Partisë Socialiste, pa ju shkuar në mendje se kjo është edhe rruga më e mirë për ta diskretituar forcën politike së cilës i përkisni dhe ta ulni besueshmërinë e saj në sytë e publikut të lëkundur që mund t’i japë fitoren? Që vendi është në zgrip, këtë nuk do shumë mend për ta kuptuar. Që fati mund t’i kishte rezervuar opozitës një kryetar tjetër, është një problem të cilin duhet ta kishit zgjidhur me veten kur e pranuat, dhe jo tani në prag beteje. Që qeverisja e PS në mandatin që vjen ka plot të papritura si objektive për shkak të arkës bosh, ashtu edhe subjektive për arsye se ekipi i ardhshëm është enigmë, nuk do shumë imagjinatë ta perceptosh. Por që Edi Rama nuk është vrasës dhe nuk ka për ta torturuar vendin në mënyrë të papërgjegjshme për hir të karriges së tij, siç po ndodh këto shtatë vjet, nuk duhet të jesh shumë i mençur ta kuptosh. Dhe së fundmi një pyetje që ka lidhje edhe me moralin: a nuk e ndjeni për detyrë që gjashtë muaj para betejës vendimtare të socialistëve, të paktën të heshtni, nëse nuk keni gjë më të mirë për të thënë se të shani kryetarin e PS?

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›