E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucioni i Kate Winslet

Filmi "Revolutionary Road" në ekranin e kinemasë në Tiranë përcjell një Winslet dhe një Di Caprio të shkëlqyer, ndërsa rrëfejnë historinë e çiftit që me çdo kusht kërkon t'i ikë monotonisë së periferisë. Edhe atëherë kur ky ndryshim kushton sa jeta

Është mezi i viteve '50-të. Frank (Leonardo Di Caprio) dhe April (Kate Winslet) kanë mbërritur në vitin e shtatë të martesës. Jeta e tyre për shumë njerëz është perfekte. Pas lindjes së fëmijëve, çifti Uiller zhvendoset në periferi të qytetit Konektikat, në një shtëpizë në "Rrugën e Revolucionit".


Franku punon në Nju Jork dhe çdo ditë bën vajtje-ardhje me tren. Ai, si i ati, është nëpunës zyre për një kompani të madhe që shet makina, ndërsa April shtëpiake.


Kjo është atmosfera, në të cilën regjisori Sam Mendes ka vendosur ngjarjet e filmit "Revolutionary Road".


Drama familjare e çiftit Uiller po shfaqet në sallat e kinemasë "Imperial" në kryeqytet. Është një histori dramatike e një familjeje në dukje perfekte, por jo të lumtur. April nuk ka hequr dorë nga ëndrra e saj për t'u bërë aktore, ndërsa Frenku urren punën e tij.


Ai kurrë nuk është përpjekur të kuptojë se çfarë dëshiron të bëjë në jetë. Në datëlindjen e 30-të, bashkëshortja i propozon të largohen nga vendi i tyre dhe të vendosen në Paris. Madje ajo ka menduar për gjithë jetën që do të kenë në vendin e huaj.


April i propozon Frenkut një model jetese shumë revolucionar për Amerikën e viteve '50-të. Ajo do të punojë për të mbajtur familjen, ndërsa ai do të ketë në dispozicion kohë të mjaftueshme për të kuptuar se çfarë do të bëjë në jetë. Duket si një rrugëtim për të njohur vetveten dhe njëri-tjetrin.


Ajo i ka mbështetur shpresat tek ky udhëtim dhe beson në mënyrë të verbër se kjo është zgjidhja që do ta largojë nga jeta e palumtur në Konektikat. Një ide që bashkëshorti fillimisht e sheh me rezerva, por që dorëzohet dhe pranon. Plani i çiftit Uiller duket shumë i çuditshëm dhe aspak i mundshëm për miqtë dhe fqinjët e tyre.


Pavarësisht këtyre mendimeve dy të rinjtë janë të vendosur që në fillim të vjeshtës të zhvendosen në Evropë. Mirëpo rrethanat mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. Dhe kjo ndodh me familjen Uiller. Pas javëve të tëra jetë me tensionin e përgatitjeve për udhëtimin, Frenkut i vjen një ofertë pune e rëndësishme.


Ai gjendet përpara dilemës: Të qëndrojë dhe t'u sigurojë fëmijëve një të ardhme të mirë apo të vazhdojë aventurën e udhëtimit në Paris.
Frank vendos qëndrojë në Konektikat, një vendim me të cilin nuk është dakord April.


Ajo nuk arrin të pajtohet me idenë se "revolucioni i saj" dështoi dhe se nuk arriti të largohej nga monotonia dhe zbrazëtia e jetës në periferi. Pavarësisht se plani dështoi, April është e vendosur të bëjë gjithçka për të dalë nga jeta e saj e palumtur, madje deri në atë pikë sa t'i bëjë keq vetes.


Është hera e dytë që binomi Winslet-Di Caprio, tregon në ekranin e madh një histori dashurie dramatike. Gati 10 vjet pas shfaqjes në filmin "Titanik", vjen "Revolutionary Road".


Filmi është bazuar në novelën me të njëjtin titull të shkrimtari amerikan Richard Yates (1926- 1992). Kurse regjisori Mendes do të thoshte se e kishte konceptuar këtë vepër për ekranin "si një padi ndaj jetës amerikane të viteve 1950. Sepse gjatë kësaj periudhe, në të gjithë vendin ekzistonte një dëshirë e ethshme për komoditet. Një kacavjerrje e dëshpëruar për mbrojtje dhe siguri me çdo kusht".


Loja e aktorëve është e shkëlqyer, qofshin këta protagonistë apo jo protagonistë. Sa për personazhin që bën "Revoltionary Road", dhe që interpretohet nga aktorja 33-vjeçare Kate Winslet, vlerësimin për të e ka dhënë tashmë edhe kritika. Ajo është vlerësuar me "Golden Globe" dhe me çmimin "Oscar". Dhe Winslet të bind.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›