Gjobëvënësi ergjiptianit: Jam polic, mos njoftoni policinë
Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimin për Lulëzim Makishtin e akuzuar për kërcënim të një bankieri të huaj
I akuzuari, djali i pastrueses së familjes, i dërgoi tri sms- kërcënuese gruas së drejtorit të bankës
TIRANË- "Përshëndetje zonjë, mos i tregoni njeriu për këtë mesazh, vetëm burrit tuaj. Nëse bëni ndonjë gabim do t'ju vrasim ose ju, ose bashkëshortin tuaj ose vajzën tuaj të bukur.
Mos merrni në telefon vetëm dërgoni mesazhe, kështu në rast se nuk na jepni 85.000 Euro deri nesër, atëherë kini kujdes. Mos njoftoni policinë, edhe unë jam polic. Pas një ore më dërgoni një mesazh dhe më thoni çfarë keni vendosur."
Ky ishte teksti i mesazhit të Lulëzim Makishtit, djalit të pastrues së bankierit Ehab Saad, që iu dërgua bashkëshortes së këtij të fundit në formë kërcënimi për të marrë një shumë të majme në muajin shkurt të këtij viti.
Dje Prokuroria e Krimeve të Rënda i dha fund hetimit të dosjes së kanosjes për dorëzim pasurie në dëm të Ehab Saad, drejtori i një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, me të pandehur Lulëzim Makishtin, 28 vjeç, nga Tirana.
Kjo pohuar nga burime të akuzës sipas të cilëve, prokurori Gentian Trenova mbylli hetimin dhe dorëzoi për gjykim dosjen në ngarkim të Makishtit, djali i pastrueses së familjes Saad.
Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se i pandehuri Makishti në tre mesazhet kërcënuese dërguar në numrin personal të A. Saad, bashkëshortja e drejtorit të bankës, është vetëidentifikuar si punonjës policie, e madje se vëzhgonte çdo lëvizje të familjes Saad.
"Gjatë fazës hetimore është provuar se më datën 24 shkurt 2009, rreth orës 15:15 të drekës në numrin personal të bashkëshortes së egjiptianit Ehab Saad, ka ardhur fillimisht një mesazh me tekst (SMS) në gjuhën angleze.
Në të, kërcënuesi i kërkonte gruas egjiptiane të mos fliste me njeri veç burrit të saj dhe të paguanin 85 mijë euro. Në të kundërtën do vritej bashkëshorti i saj, Ehab Saad, ose vajza 8 vjeçare",-thuhet në dosje.
Po në mesazhin e parë, kërkonte që për një orë kohë, t'i kthehej përgjigje vetëm me SMS se çfarë kishin vendosur, me qëlim që të binin pre e shantazhit dhe të paguanin ose të jetonin me frikën e kërcënimeve.
Kërcënuesi u identifikua të ishte Lulëzim Makishti, duke u arrestuar 29 prill 2009 si autor i këtyre kërcënimeve. Sipas këtyre mesazheve telefonike, të administruara në dosje, 28- vjeçari Makishti identifikohej si punonjës policie dhe që kishte dijeni për të gjitha lëvizjet e familjes së drejtorit të bankës.
"Pas SMS-së së parë, në numrin e telefonit të bashkëshortes së drejtorit të bankës ka mbërritur mesazhi i dytë, ku i kërkohej të kenë kujdes dhe të mos bënin lojëra duke lajmëruar policinë pasi rrezikonin,- thuhet në kërkesën për gjykim. Pas mesazhit të dytë, familja e egjiptianit, ka lajmëruar policinë e Tiranës, duke kallëzuar mesazhet kërcënuese, në formë "gjobëvënie".
"Pas lajmërimit të policisë, ka mbërritur mesazhi i tretë telefonik, ku i njoftoheshin për "gabimin" që kishin bërë. "Keni bërë një gabim të madh, kini kujdes tani e prapa",- thuhej në SMS-n e tretë, dhe të fundit. Nga ai moment numri i telefonit nga i cili janë dërguar mesazhet është mbyllur theksohet në kërkesën për gjykim.
Pas marrjes së kallëzimit, prokuroria ka kryer verifikimin e numrit në kompanitë e telefonive lëvizëse, ku rezultuar se numri i telefonit nga ku janë dërguar SMS-t është regjistruar me çertifikata të falsifikuara.
Ndërkohë, pas hetimeve operative të kryer nga prokuroria në bashkëpunim me policinë, është identifikuar IM-i i telefonit nga i cili janë dërguar mesazhet telefonike, që ka rezultuar se është telefoni i të pandehurit Lulëzim Makishti, i arrestuar me 29 prill 2009. Ndaj 28- vjeçarit Makishti rëndon akuza e "Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë".
MESAZHET
Mesazhi i parë:
"Përshëndetje zonjë, mos i tregoni njeriu për këtë mesazh, vetëm burrit tuaj. Nëse bëni ndonjë gabim do të vrasim ose ju, ose bashkëshortin tuaj ose vajzën tuaj të bukur. Mos merrni në telefon vetëm dërgoni mesazhe, kështu në rast se nuk na jepni 85.000 Euro deri nesër atëherë kini kujdes. Mos njoftoni policinë, edhe unë jam polic. Pas një ore më dërgoni një mesazh dhe më thoni çfarë keni vendosur.".
Mesazhi i dyte:
"Mos bëni lojëra, ne i shohim të gjitha lëvizjet tuaja."
Mesazhi i trete:
"Keni bërë një gabim të madh, kini kujdes tani e prapa"