Rama: Punësimi, themeli i programit të PS-së
Kryetari i PS-së, Edi Rama, vijoi dje takimet me qytetarët e Kuçovës. Një ditë më parë prezantoi kandidatët në Berat
BERAT- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se punësimi është themeli i programit të ri socialist, dhe se, çdo njeri, pas 28 qershorit do të ketë të drejtën të jetojë me punë të ndershme.
Rama është ndalur dje në Kuçovë, në një takim masiv në këtë qytet. Edhe në këtë takim, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka prezantuar kandidatët e Qarkut të Beratit, duke theksuar mundësinë e jashtëzakonshme që qytetarët kanë në këto momente.
"Vota e 28 qershorit është e madhe aq sa është ëndrra jonë për të ndryshuar Shqipërinë, duke u ndarë me këto 18 vjet pambarim premtimesh, dështimesh e zhgënjimesh.
Vota juaj është e jashtëzakonshme aq sa është sfida jonë përballë varfërisë, papunësisë, korrupsionit, injorancës dhe dhunës. Vota juaj është e rëndë aq sa është barra jonë për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.
Prandaj, atë votë, votën tuaj të vetme, ndajeni për Partinë Socialiste",- tha ai gjatë takimit. Një tjetër takim të përmasave të mëdha, kryetari i PS-së, Edi Rama, kishte zhvilluar edhe në qytetin e Beratit.
Rama është shprehur në këtë qytet se PS-ja vjen në këtë garë elektorale me një program të ri me ide dhe vullnet të ri për të ndryshuar Shqipërinë. "Sfida kryesore nuk është mundja e kundërshtarit politik, por ngritja e Shqipërisë që të gjithë e kemi ëndërruar, po nuk e shohim të realizuar.
Duam të ndahemi nga Shqipëria e papunësisë dhe e varfërisë, për të ndërtuar Shqipërinë e punës, Shqipërinë e shkollave evropiane, Shqipërinë ku sipërmarrja nuk denigrohet, por stimulohet në aktivitetin e saj",- tha kryetari i PS-së. Ai u ka kërkuar qytetarëve që t'i besojnë forcës së një bashkimi qytetarësh përballë një pazari të vjetër kryetarësh.
"Mjaft 18 vjet me ndryshimet e qeverive që ndryshojnë vetëm qimen, por jo zakonet e këqija të zakonit, që në 28 vjet ju kanë dhënë shqiptarëve shfaqjen bajate të pazarit të vogël politik, të interesave të vogla.
Prandaj unë dua të jem Kryeministri juaj, prandaj unë dua që bashkë me ju të sfidojmë historinë e vjetër, që një grup politikanësh e shkruajnë prej 18 vjetësh dhe të hapim një faqe të re, ku së bashku t'i shkruajmë gjërat sipas interesit të madh të Shqipërisë, të së ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë pa dallim", - tha ai.