“Fjongo që flet” në Mitrovicë

Në Mitrovicë të hënën u hap ekspozita “Fjongo që flet”, në këndin tani të njohur në Mitrovicë, “Këndin 7arte”.
Këndi 7arte tashmë është një hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe funksionon si një qendër alternative për të gjithë ata që kanë ide kreative dhe krijojnë art bashkëkohor. Këtë herë dha mundësinë e hapjes së një ekspozite të llojit të veçantë. Është kjo ekspozitë kolektive e cila vjen krejt ndryshe, për të synuar vetëdijesimin e të rinjve rreth AIDS-it dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
“Fjongo qe flet” është një emër i cili në fakt na shpie edhe deri tek ideja. Një fjongo me ngjyrë të kuqe, e gjatë 25 metra, u ka shërbyer artistëve mitrovicas që të shprehin idetë e tyre kreative duke pikturuar dhe shprehur në të, secili në mënyrën e tij.
Sipas drejtuesit të këtij këndi, Lulzim Hotit, ideja për një ekspozitë të tillë ka ardhur nga grupi i piktoreve që veprojnë në kuadër të 7arte.
“Ne vetëm e kemi mbështetur idenë drejt implementimit”, thotë Hoti.
Pjesëmarrja e rreth njëqind vizitorëve në ekspozitë e ka bërë aktivitetin edhe më të fuqishëm, me ç’rast të pranishmëve u është shpërndarë material informues rreth AIDS-it dhe u janë prezantuar hapat tjerë që do ndërmerren nga artistët vendor për zhvillimin e mëtejshëm të kulturës në vend.
“Nganjëherë idetë kreative arrijnë efekte më të mëdha drejt sensibilizimit dhe vetëdijesimit, sesa ndonjë formë tjetër e transmetimit të mesazhit, siç ngjanë shpesh herë përmes ligjëratave apo debateve”, tha Hoti.
Ekspozita në këtë formë si erdhi, pati efektin e vet, ngase për të është folur gjatë gjithë javës në mesin e të rinjve dhe qytetarëve mitrovicas dhe si rezultat ishe e vizituar.
Ekspozita ka gjetur mbështetje nga programi "Make Love Not Aids" i OJQ “INTEGRA” si dhe nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, ndërkaq është implementuar nga grupi i piktorëve që vepron në kuadër të asociacionit 7arte.
Për të interesuarit “Fjongo që flet” do të jetë e hapur deri më datën 7 shkurt 2010.