Rexha-Hoxholli, recital në TOB
Pianistja Merita Rexha i rikthehet bashkëpunimit me violinistin Fation Hoxholli, sonte në Teatrin e Operës dhe Baletit, ora 19:00. Për hapjen është zgjedhur Scherzo dhe Sonata nr.3 nga J. Brahms. Kjo e fundit është nga sonatat më të bukura të repertorit të duos piano-violinë. Në vazhdim, nga kompozitori E.Ysaye ekzekutohet Sonata nr.3, dhe nga J.Wieniawski Variacione nga një temë origjinale. Mbrëmja mbyllet me tri pjesë të kompozitorit italian Nikola Paganini.
Merita Rexha e ushtron aktivitetin e saj në skenën shqiptare. Ajo njeh bashkëpunime me zëra operistikë të artisteve si Vikena Kamenica e Zana Frashëri, dhe koncerte recitale përkrah instrumentistëve me përvojë si Gjergj Antoniu, Ibrahim Madhi, Lorenc Radovani, nën shoqërinë e tri orkestrave kryesore në vend, e Radio-Televizionit Shqiptar, Teatrit të Operës e Baletit, Akademisë së Arteve. Festivalet në Gjermani, Austri etj., kanë qenë një hapësirë tjetër për Merita Rexha Tërshanën e cila prej disa vitesh është pedagoge e pianos në Konservatorin e Tiranës, Universiteti i Arteve.
Por bashkëpunëtorë të Rexhës janë edhe instrumentistë të rinj si Fation Hoxholli, që megjithëse i diplomuar në vitin 2009 ka një përvojë të admirueshme koncertore. Rexha e vlerëson Hoxhollin për bravurën, tingullin e bukur, teknikën shumë të avancuar. Ajo e kujton si një nga të paktët studentë që bënte koncert çdo semestër.
Hoxholli kthehet pas një mungese 9-vjeçare. Ai është një nga violinistët shumë aktivë si solist nëpër koncerte, në asamble të muzikës së dhomës dhe pjesëtar i orkestrave si në La Scala, në Operën e Torinos, I solisti di Pavia etj.. Është fitues i çmimit të parë në Konkursin Ndërkombëtar për Orkestrat e Harqeve në Vjenë dhe i shumë çmimeve të tjera ku vlen të përmendet dhe një çmim në edicionin e parë të Konkursit për violinë Petrela në Tiranë, i vetmi çmim që ka marrë në Shqipëri.
Fation Hoxholli diplomohet një herë në Tiranë dhe shpërngulet në Itali për të ndjekur Konservatorin G. Ghedini dhe këtu me rezultate të larta. Luan koncertin për violinë, piano e orkestër të F. Mendelssohn dhe koncertin për violinë e orkestër të J.Brahms. Është fitues i bursës së studimit SuonArt Masterclasses për tre vjet me radhë dhe vazhdon të perfeksionohet me Mjeshtrin Ilya Grubert. Paralelisht u perfeksionua në Altenberg në Akademinë Ndërkombëtare të Muzikës në Pinerolo. Në tetor të 2009 diplomohet dhe mori vlerësimin special si solist në Konservatorin e Lartë të Zvicrës Italiane, Lugano.
Fationi luan me një violinë Paolo Testore të vitit 1728, pronësi e fondacionit Pro-Canale, Milano. Bashkëpunimi i fundit mes Meritës dhe Fationit është në prill 2003, në skenën e Akademisë së Arteve.
