Kriteret për avokatët shkatërrojnë tregun
Isuf Shehu
Kriteret e propozuara dhe të miratuara nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për amendimin e ligjit Për profesionin e avokatit në R. Shqipërisë janë irracionale, në kundërshtim me parimet baze të një shteti demokratik dhe në kundërshtim të hapur me parimet e tregut të lirë. Në periudhën post-komuniste në Shqipëri janë miratuar tre ligje për avokatinë, në vitin 1990, 1994 dhe ligji që është në fuqi i miratuar në vitin 2003.
Nëse nxjerrja dhe shfuqizimi i këtyre ligjeve ka ardhur si pasojë e nevojës për të garantuar funksionim sa më të mirë të institutit të avokatit në Republikën e Shqipërisë, i cili për një periudhë të gjatë mungonte, bërja e këtyre amendimeve ligjore të propozuara nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare te Avokatisë, nuk vjen aspak si një reflektim i një nevoje të tregut të avokatisë. Këto amendime ligjore nuk vijnë si pasojë e një problematike të hasur nga avokatët apo klientët e tyre gjatë ushtrimit të këtij profesioni, pasi edhe tregu i avokatisë i nënshtrohet parimeve të përgjithshme të ekonomisë së tregut, kërkesë ofertës.
Nuk mund te bëhen kufizime me ligj, për diçka që tregu e rregullon vetë. Kufizimet bëhen kur një nevojë e ngutshme apo një interes publik e dikton atë. Këto amendime kufizojnë në mënyre irracionale të drejtën e klientit për të zgjedhur avokatin e tij mbrojtës dhe cënojnë marrëdhëniet e besimit avokat klient. Është ky i fundit që edhe në përputhje me Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale dhe Civile, si dhe ligjeve të tjera të aplikueshme sipas rastit, zgjedh avokatin e tij mbrojtës dhe jo ti diktohet se midis rreth 5000 avokatëve që ka Shqipëria ai ka të drejtë të zgjedhë vetëm një nga 10 apo 20 avokatë që plotësojnë kriteret për përfaqësim në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.
Vendosja e të tilla kritereve janë në thelb diskriminuese dhe paragjykojnë aftësinë dhe profesionalizmin e avokatëve. Sipas këtyre kritereve, që të përfaqësosh një klient përpara Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese duhet të kesh mbi 10 vjet eksperiencë si avokat apo të kesh ushtruar mbi 10 vjet funksionin e titullarit të Gjykatës se Apelit (përpara avokatisë), ndërkohe kur për tu emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë mjafton të kesh ushtruar për 15 vjet profesionin e juristit. Amendimet propozohen nga persona konkretë, duke pasur si qëllim selektimin dhe favorizimin e personave konkretë apo të zyrave konkrete të avokatisë, që me sa duket po ndjehen të kërcënuar nga tregu i avokatisë.