Rexhep Qosja: Në Kosovë policia nuk i vret protestuesit

Vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila shpalli të pafajshëm gardistët e akuzuar për "21 Janarin" është cilësuar nga akademiku Rexhep Qosja sivrasje të dytë për protestuesit.
Sipas tij gardistët evropianë nuk i vrasin protestuesit as kur hyjnë në ndërtesën e qeverisë, e lëre më kur protestojnë rreth saj. Shembuj të tillë po shohim përditë në Evropë, por para një kohe edhe në Prishtinë. Policia kosovare nuk i rrezikoi protestuesit as kur hynë në oborrin e qeverisë.
I pyetur nga "Gazeta Shqiptare" për deklaratën e Sali Berishës pas vendimit, ai tha se, "Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka adet t'i komentojë krimet e tij: Nuk i ka komentuar dhe nuk i komenton në asnjë fushë të jetës kombëtare".
"Shpalljen të pafajshëm të vrasësve të katër protestuesve në protestën e 21 janarit prej Gardës Kombëtare e përjetova si vrasje të tyre të dytë, po aq kriminale sa vrasja e tyre e parë. Ky vendim i Gjykatës së Tiranës tregon qartë se gjyqësori shqiptar është gjyqësor stalinist, i cili mendon, gjykon dhe burgos siç mendohej, gjykohej e burgosej në gjyqet staliniste.", shprehet Qosja.
Akademiku ka folur edhe për sfidat që ka përpara Shqipëria por edhe Kosova të cilat janë korrupsioni dhe papunësia.
"Në pjesën më të madhe të kohës në politikën shqiptare, si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë, korrupsioni po luftohet me fjalë, me retorikë, me parulla, me demagogji! E korrupsioni sistemor mund të luftohet, mund të parandalohet vetëm në qoftë se luftohet institucionalisht në burimin e tij: në sistemin, domethënë, aty ku prodhohet. Për ndalimin, të mos them për zhdukjen e korrupsionit, nuk ka nevojë fare që të filozofohet: janë vendet shembuj në botë, në Perëndim dhe në Lindje, që kanë vuajtur shumë prej korrupsionit, por që kanë arritur ta ndalin." shprehet me tej ai./Indeksonline/