E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla të pareformuara dhe kundër ligjit

Ligji për arsimin parauniversitar nuk po zbatohet. Në komunat më të vogla të vendit funksionojnë shkolla të mesme të përziera. Katërmbëdhjetë vjet pas luftës, këto shkolla të mesme nuk janë ndarë me objekte, e disa as nuk kanë marrë epitetin e gjimnazit apo shkollës profesionale. Nxënësit dalin me diploma që iu lëshohen nën të njëjtin emër, si shkollë e mesme e lartë, dhe jo si shkollë profesionale të mesme e ndarë, me emërtim të veçantë.

Diplomat e tyre mund edhe të refuzohen pasi sistemi shkollor që kanë kryer nuk përkon me legjislacionin në Kosovë.
Ligji për arsimin parauniversitar, neni 9, “Organizimi i arsimit parauniversitar”, përcakton se llojet e arsimit përfshijnë gjimnazin, shkollën e mesme profesionale, shkollën e muzikës dhe atë të artit.

Kjo dëshmon se “sistem arsimor i reformuar”, është vetëm shprehje e dëgjuar në fjalimet e krerëve të qeverisë dhe atyre të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për të marrë vota, por jo dhe që ka gjetur zbatim. Komuna e Rahovecit nuk ka ende gjimnaz, nuk ka as shkollë profesionale, këto shkolla i mungojnë edhe Shtimes dhe Dragashit.

Udhëheqës të Ministrisë së Arsimit fajin për këtë e hedhin tek mungesa e hapësirës shkollore, e cila thonë se ka stopuar këtë proces që të ndahen si shkolla të pavarura sipas fushës së studimit, si dhe me objekte, ndërsa ekspertë të arsimit thonë se sektorët më të rëndësishëm të vendit po udhëhiqen nga jo kompetentët dhe duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në arsim, pasi ky sektor tashmë po shkon drejt shkatërrimit.

Drejtorët e arsimit nëpër komuna refuzojnë të flasin për mosrespektimin e ligjit për arsimin parauniversitar lidhur me këtë çështje, megjithëkëtë e konfirmojnë se gjimnazi dhe profesionalja qëndrojnë ende bashkë. Ata e shohin si pengesë vetëm mungesën e hapësirës që këto shkolla vazhdojnë të funksionojnë si të përziera.

Në disa komuna, objektet shkollore kanë nisur të ndërtohen, madje janë të premtuara si objekte për t’u ndarë këto shkolla të mesme, ndonëse drejtorët nuk e dinë se kur do të kryhen këto objekte, e si datë kanë dëshirë ta deklarojnë shtatorin. Drejtoresha për arsim në komunën e Rahovecit, Besa Hoxha- Beqiri ka thënë për “Zërin” se kjo komunë nuk ka shkollë profesionale, prej pas luftës. “Ne ende kemi shkolla të përziera në të cilat kemi drejtime profesionale. Kemi drejtimet profesionale në kuadër të shkollave të mesme. Diploma lëshohet si shkollë e mesme-drejtimi profesional.

Pra, i kemi shkolla të mesme të larta, nuk i kemi gjimnaze apo shkolla profesionale të mesme”. Ajo ka theksuar se për t’u ndarë shkolla duhen objekte.
“Tash pritet përfundimi i objektit shkollor që po ndërtohet nga Ministria e Arsimit. Po shpresojmë që do të kryhet këtë vit që të mund të hapim shkollën profesionale”, ka thënë Hoxha-Beqiri. Ndërkaq, thekson se duhet të ekzistojë një vizion më i gjatë për arsim dhe të ketë më shumë njerëz të përgatitur që mund të japin më shumë për këtë sektor.

Edhe Nazmi Iballi, drejtor për arsim në komunën e Shtimes ka konfirmuar se në këtë komunë gjimnazi dhe shkolla profesionale funksionojnë nën të njëjtin objekt, por dhe nën të njëjtin emër - shkolla e mesme “Naim Frashëri” në Shtime. Ai ka thënë se drejtimet e kësaj shkolle ndahen në drejtimet profesionale dhe gjimnazi. Sipas tij mungesa e objektit ka ndikuar që kjo shkollë të vazhdojë të ofrojë mësim si shkollë e mesme e përzier. Iballi ka paralajmëruar se në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal do të paraqes kërkesën për ndarje të shkollës, pasi thekson se do të lirohet një objekt shkollor dhe shpreson se do të ketë mundësinë ta bëjë këtë ndarje duke u transferuar një pjesë e shkollës në këto lokale.

Zyrtarë të lartë të arsimit edhe në komunën e Dragashit thonë se kanë shkollë të mesme, por gjithashtu të përzier. Hajri Ramadani drejtor për arsim në komunën e Dragashit i ka thënë gazetës se në këtë komunë gjimnazi dhe profesionalja funksionojnë nën të njëjtin emër -shkolla e mesme “Ruzhdi Berisha”.

“Nxënësit marrin diplomë të shkollës se mesme, ku i përmendet drejtimi që ka ndjekur shkollën”. Prindërit dhe nxënësi, sipas tij duan që të kenë diploma në përputhje me atë që edukohen, pasi ata të profesionales duan të punësohen dhe ata të gjimnazit të vazhdojnë shkollimin universitar. Mirëpo, për të realizuar këtë kërkesë të tyre, ai përmend se janë në pritje të ndërtimit të një objekti nga MASHT-i, çka beson se do të jetë gati në shtator. Drejtori për arsim në komunën e Klinës, Ramiz Rrusta thekson se në këtë komunë gjimnazi dhe profesionalja janë të ndara sa i përket programit, gjimnazi nën emrin “Luigj Gurakuqi” dhe profesionalja “Fehmi Agani”.

Mirëpo, edhe këto dy shkolla, ai pranon se funksionojnë nën të njëjtin objekt. Rrusta shpreson që në shtator do të përfundohet objekti i ri që ka nisur të ndërtohet në këtë komunë me fondet e ministrisë së arsimit.

Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj vlerëson se rrjeti i shkollave të mesme të larta, duhet të pësojë ndryshime të mëdha, në mënyrë që arsimi i mesëm i lartë të jetë efektiv dhe t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës.”Kjo deri më tani nuk është kuptuar seriozisht sepse ata që sot e udhëheqin arsimin nuk janë marrë asnjëherë me këtë problem. Ne edhe sot e kësaj dite kemi nëntë shkolla profesionale të përziera në të cilat i ndjekin mësimet nxënësit në më shumë se tre lëmenj të punës. Kjo nuk ka qenë e lejuar me ligj as para luftës. Që shkelja të jetë edhe më e madhe përveç Rahovecit edhe në komunën e Dragashit, Shtimes dhe në të gjitha komunat tjera të vogla, nxënësit e gjimnazit ndjekin mësimin në të njëjtën ndërtesë me nxënësit e shkollave profesionale që nuk është e lejuar me ligj”, ka thënë Salihaj.

Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, thonë se shkaktari i mosndarjes së këtyre shkollave është vetëm mungesa e buxhetit për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të shkollave për ndërtim të objekteve. Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Arbër Morina, ka thëne se shkollat funksionojnë nën një objekt për shkak të mungesës së hapësirës. Ai ka thënë se MASHT do të vazhdojë së ndërtuari objektet që kanë nisur më parë dhe me përfundimin e tyre prioritet do t’iu jepet ndërtimit edhe të këtyre shkollave të mesme.

Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, thonë se shkaktari i mosndarjes së këtyre shkollave është vetëm mungesa e buxheti./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›