“Sulmojnë” SHBA-në: Po ndërhyni në gjygjësor

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Tiranës që dha dje vendimin për shpalljen të pafajshëm të ish komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo të akuzuar për 4 vrasjet më 21 janar sulmon ambasadën amerikane duke deklaruar se po ndërhyn dhe paragjykon një proces të drejtë gjyqësor.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, disa orë pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Tiranës, Ambasada amerikane e quajti "vendimin tronditës që do të minonte besimin në aftësinë dhe gadishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente."
Ndërkohë që sot trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Besnik Hoxha, Ardiana Beraj dhe Arjana Gumbardhi tha se ambasada është paragjykuese ndaj një procesi të drejtë, ligjor e të paanshëm dhe reagoi para se të lexonin arsyetimin e vendimit nga trupi gjykues, qëndrimit të prokurorisë dhe përpara mbylljes së proçesit të rregullt ligjor lidhur me këtë çështje.
“Reagimi i Ambasadës amerikane është shqetësues dhe ndërhyn në procesin e rregullt gjyqësor. Reagimi vjen para qëndrimit të prokurorisë dhe para zbardhjes së arsyetuar të vendimit. Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë ligjor e të paanshëm”, thuhet në deklaratën për shtyp të gjyqtarëve Besnik Hoxha, Ardiana Beraj dhe Arjana Gumbardhi, një ditë pas vendimit./Indeksonline/