E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhep Qosja: Topallizonja dhunëprodhuesenë vend

DY GJEDHE SHTETËRORE
Ina Rama
Prej 21 janarit të këtij viti vazhdon fushata politike kundër Ina Ramës, prokurore e përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.
Është kjo një fushatë e pazakonshme, e pashembullt, e padëgjuar dhe e palexuar në botën që e quajmë botë e qytetëruar.
Dhe, është kështu, fushatë e pazakonshme, e pashembullt, e padëgjuar dhe e palexuar në botën që e quajmë botë e qytetëruar sepse nuk është fushatë vetëm kundër prokurores së përgjithshme, Ina Rama, mëvetësia e së cilës sot përnjësohet me shtetin e me demokracinë e shtetit shqiptar.
Kjo është fushatë e pazakonshme, e pashembullt, e padëgjuar dhe e palexuar në botën që e quajmë botë e qytetëruar, sepse është njëkohësisht fushatë kundër një gruaje.
Dhe, është fushatë e quajtur siç e quajta, sado do të mund të quhej edhe më qartë, më drejtpërdrejt, fushatë e paskrupull, sepse është fushatë kundër një bashkëshorteje, një bije dhe, ndoshta, edhe një nëne e një motre.
Dhe, është kjo fushatë e quajtur kështu siç e quajta sepse bëhet me mjetet me të cilat kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pretorianë të partisë e të qeverisë së tij i përdorin edhe në fushatat kundër kundërshtarëve politikë në Shqipërinë shtetërore dhe, kohë pas kohe, varësisht prej leverdive të tyre e të rrogëtarëve të tyre, edhe në Kosovë.
Si edhe fushatat e tjera që organizon regjimi i tij sot, ashtu edhe kjo është e filluar pikërisht prej kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Si edhe në fushatat e tjera që organizon regjimi i tij sot ashtu edhe në këtë fushatë kryeministri i Shqipërisë ka futur në përdorim të njëjtat mjete: mjetin e diskreditimit politik dhe mjetin e diskreditimit, të fyerjes dhe të poshtërimit moral të të përndjekurit, në këtë rast të të përndjekurës.
Dhe, këto mjete të shpikura prej tij, mandej, vetëm sa kanë vazhduar t'i përsërisin, t'i shtjellojnë, t'i plotësojnë e t'i ashpërsojnë punëbërësit e tij, memurët e tij partiakë e shtetërorë!
Do t'i dëgjojmë, madje, edhe prej gojës së çthurur të kryetares së Kuvendit dhunëprodhues të Shqipërisë!
Nuk pranoj t'i përsëris këtu fjalët me të cilat kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe pretorianët e pretorianet e tij duan ta diskreditojnë, ta fyejnë dhe ta poshtërojnë Ina Ramën.
Mund të them, ndërkaq, se me një gjuhë të tillë diskredituese, fyese dhe poshtëruese për një grua, që ka burrë, baba, vëlla, në Kosovë do të mund të flitej vetëm njëherë: gjasën për të folur ashtu për të edhe njëherë tjetër, diskredituesit, fyesit, poshtëruesit nuk do ta kishin më kurrë. Nderin e gruas, të motrës e të nënës, kur nuk e mbron shteti ligjor, do ta mbrosh vetë me Kanun, që është po ashtu një Kushtetutë zakonore e popullit, me disa vlera të tejkaluara dhe me disa vlera që vlejnë përgjithmonë.
Prokuroren e përgjithshme të Shqipërisë, Ina Ramën, nuk e njoh, nuk e kam takuar ndonjëherë. Ina Ramën e njoh aq sa dhe si mund të njihen njerëzit që paraqiten në televizione e në gazeta.
Prej paraqitjeve të saj në mediat kam krijuar përshtypjen: Ina Rama është një vetje e dinjitetshme, me gjest, sjellje e shprehje të Zonjës së vërtetë, në profesionin e vet e aftë e parimore, e ndërgjegjshme se kryen një detyrë të rëndësishme për popullin dhe atdheun e vet.
Sa shumë e shumë dallon prej kiç zëdhënëseve agresive të kryeministrit. Për fat. Për fatin e Shqipërisë.
Por e di se për prokurore të përgjithshme të Shqipërisë, Ina Rama është propozuar prej Partisë Demokratike të Shqipërisë; dhe e di se prokurore e përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama është zgjedhur në radhë të parë me votat e partive që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Shqipërisë.
Pse, atëherë, Partia Demokratike e Shqipërisë, pse atëherë qeveria e Shqipërisë, pse atëherë kryeministri i Shqipërisë, pse atëherë Kuvendi i Shqipërisë, bëjnë tani fushatë kundër Ina Ramës, prokurore e përgjithshme e Shqipërisë?
Pse, vërtet, pse ata që e kanë zgjedhur, pse, vërtet, në radhë të parë ai që e ka zgjedhur, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, bëjnë fushatë të paskrupull kundër së zgjedhurës së vet, Ina Ramës?
Pse dhe si, Ina Rama, juristja, qytetarja, dikur aq e lavdëruar, aq e merituar, kaq shpejt e lehtë na qenka kthyer në të kundërtën e gjithë atyre që atëherë u thanë për të me qëllim që të gjithëve në Kuvend t'u mbushej mendja që të votonin për zgjedhjen e saj.
Pse i bëhet trysni Ina Ramës
Dy janë arsyet kryesore të salto mortales së kryepropozuesit dhe kryezgjedhësit të Ina Ramës prokurore e përgjithshme e Shqipërisë për sjelljet politike dhe fyese ndaj Ina Ramës.
E para, me nënshtrimin e prokurorisë së përgjithshme, kryeministrit të Shqipërisë dhe, në përgjithësi, oligarkisë së tij partiake i krijohet mundësia për ta përdorur shtetin për interesa personale të tij dhe të njerëzve rreth tij pa drojë prej ligjit dhe Kushtetutës. Me nënshtrimin e prokurorisë së përgjithshme ai me njerëzit rreth tij mund të bëjë privatizime ashtu siç i leverdis atij me njerëzit e tij, mund të ligjësojë përkatësi pushtetore të tij dhe të njerëzve rreth tij, mund të ligjësojë vjedhje, plaçkitje, korrupsion, gllabërime të llojeve më të ndryshme pa drojë se personazhet e këtyre krimeve ekonomike dhe politike mund të bëhen lëndë gjykimesh. Të shtiesh në dorë, të nënshtrosh prokurorinë e përgjithshme në kohë të tranzicionit në një vend ish-komunist do të thotë të bësh tranzicion për interesat e klaneve besnike, për nevojat e një oligarkie, shumë-shumë për nevojat e një klase - siç është bërë, më në fund, në Shqipëri, pa drojë se do të jesh i detyruar të japish llogari gjyqësore për cenimin e rëndë të interesave të përgjithshme kombëtare.
Nuk ka dyshim se sikur prokuroria e përgjithshme në Shqipëri të kishte funksionuar prej se është krijuar, pas rënies së komunizmit, shumë padrejtësi ekonomike, shumë afera korruptive, shumë shkelje të Kushtetutës nuk kishin ndodhur, ishin parandaluar, kurse protagonistët e atyre që kanë ndodhur ishin dënuar në procese gjyqësore.
Nuk ka dyshim se sikur prokuroria e përgjithshme të kishte pasur mundësinë të funksiononte lirshëm, si institucion i pavarur, procesi gjyqësor i tragjedisë së Gërdecit do të kishte pasur tjetër zhvillim, kurse në bankat e të akuzuarve do të ishin gjetur edhe fajtorë më të mëdhenj se ata që kemi parë.
Dhe, sikur prokuroria e përgjithshme të kishte pasur mundësinë të funksiononte lirshëm, si institucion, vërtet, i pavarur, shumë paqartësi në lidhje me ndërtimin dhe ndërtuesit e të ashtuquajturës rrugë kombëtare Durrës - Kukës - Morin do të kishin marrë përgjigjen e qartë gjyqësore.
E dyta, me nënshtrimin e prokurorisë së përgjithshme, kryeministrit të Shqipërisë dhe, në përgjithësi, oligarkisë së tij partiake u krijohet mundësia që të mund të shfrytëzojnë lirshëm, pa drojë prej Kushtetutës dhe ligjeve, institucionet e tjera shtetërore: për të bërë "të ligjshme" metoda, sjellje, veprime të paligjshme sikundër ndodhi në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit kur u ndërrua Kushtetuta për një natë, si gjatë dhe menjëherë pas këtyre zgjedhjeve kur u bë vjedhje e votave; për të diskredituar me fjalorin më të kriminalizuar figurat kryesore të opozitës sikundër ngjet tani e sa vjet; për të përndjekur, mundësisht, për të kriminalizuar udhëheqjen e partisë kryesore të opozitës - Partisë Socialiste, sikundër ndodhi dhe vazhdon të ndodhë pas protestës së 21 janarit; për të cenuar lirinë e medieve, madje, për të nënshtruar disa prej tyre sikundër ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë me disa televizione dhe disa gazeta; për të përndjekur kritikët e regjimit përmes policisë, grupeve të mafiozëve, televizioneve a gazetave të nënshtruara sikundër ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë; për të përshtrirë dhe përthelluar trajtat autoritariste të sundimit sikundër janë cezarizmi, despotizmi, musolinizmi - sipas rastit e çastit. E të tjera. E të tjera.
Mendësia e fshatarizmit
dhe mendësia e modernizmit
Nuk ka fije dyshimi se trysnia e jashtëzakonshme me gjuhë fyese, poshtëruese dhe kërcënuese e Sali Berishës dhe oligarkisë së tij partiake ndaj prokurores së përgjithshme të Shqipërisë, Ina Rama, sjellja e tij dhe e oligarkisë së tij partiake pushtetore edhe ndaj kryetarit të shtetit, Bamir Topi dhe shefit të Sigurimit Informues Shtetëror, Bahri Shaqiri, tregojnë fare qartë se çfarë përpjekjesh nuk ngurron të bëjë regjimi i tij për të nënshtruar institucionet e pavarura shtetërore dhe për ta bërë shtetin shqiptar shtet parti e parti shtet, shtet të përdorur dhe të shpërdorur për leverditë e Sali Berishës dhe të oligarkisë së tij partiake pushtetore.
Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, nuk do ta ketë të lehtë as në ditët, në javët, në muajt dhe në vitet që vijnë në qoftë se ky regjim despotik, absolutist nuk mënjanohet. Sado është mbushur një muaj nga protestat e 21 janarit, unë edhe sot kur po e shkruaj këtë artikull pashë dhe dëgjova dy nga memurët e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duke u shprehur cënueshëm dhe fyeshëm, ndaj prokurores së përgjithshme, Ina Rama, siç u shpreh punëdhënësi i tyre menjëherë pas protestës!
Por, prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, nuk duhet të dëshpërohet. Në asnjë çast.
Dua t'ia përkujtoj, asaj dhe fyesve të saj, mendimin e gjeniut të lashtë, Eskilit: "Nga çdo e drejtë e nëpërkëmbur lind një borxh për t'u paguar". Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari i djeshëm i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari njëzetvjeçar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, sekretari i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Universitetin Shtetëror të Shqipërisë, Sali Berisha, ka shumë borxhe për të paguar. Më së shumti ndaj të vegjëlve, ndaj të varfërve, ndaj të pambrojturve, ndaj të ikurve prej atdheut të vet, ndaj sa e sa të vrarëve në vitin 1997, ndaj hallemëdhenjve të vrarë e të plagosur në Gërdec, ndaj protestuesve të vrarë, ndaj protestuesve të plagosur, ndaj protestuesve të burgosur nëpër rrugë, nëpër stacione të autobusëve, nëpër vende të punës apo nëpër shtëpi të veta më 21 janar. Do borxhe për të paguar për shkak të zbatimit kretenik të cenimeve, fyerjeve, kërcënimeve, dhunës së tij ndaj të tjerëve u mbeten edhe memurëve të tij partiakë dhe rrogëtarëve të tjerë. Dua të shpresoj se populli shqiptar, i cili ka ditur dhe ka arritur të mbahet në histori, do ta dijë kur dhe si t'i kërkojë këto borxhe.
Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, duhet të qëndrojë.
Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, duhet të jetë e vetëdijshme se qëndresa e saj nuk është më çështje vetëm e saj: qëndresa e saj është çështje e gjithë Shqipërisë (dhe, më në fund, e Kosovës). Shqipëria ( dhe Kosova) ndodhet në procesin e ndërtimit të shtetit e të demokracisë, sado shtet është tani e nëntëdhjetë vjet. Dhe, në këtë proces shtetndërtimi e demokratizimi të saj, përplasen dy gjedhe botëkuptimore: gjedhja e fshatarizmit (jo në kuptimin mjedisor po në kuptimin e mendësisë) dhe gjedhja e modernizmit; gjedhja shtetërore despotike dhe gjedhja shtetërore demokratike.
Gjedhja shtetërore despotike e nënkupton Shqipërinë e një klase të shqiptarëve, Shqipërinë e tajkunëve të pasuruar sa çel e mëshel sytë në mënyra të paligjshme dhe të sunduesve e memurëve rreth tyre, Shqipërinë e feudalëve të rinj dhe të bajraktarëve të rinj, Shqipërinë e shkretëruar shpirtërisht e moralisht dhe të shfrytëzuar e të plaçkitur materialisht prej koalicionit të tyre, Shqipërinë e të papunëve, të të heshturve, të të frikësuarve, të të dëshpëruarve, të të përçmuarve, në njërën anë, dhe Shqipërinë e gllabëruesve, të fuqishmëve, të kërcënuesve, të poshtëruesve, në anën tjetër. A ka nevojë të thuhet se përfaqësuesi i kësaj gjedheje shtetërore prapakthyese është pikërisht Sali Berisha.
Gjedhja shtetërore demokratike, moderne, e nënkupton Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë qytetarëve të saj, Shqipërinë që do të jetë shtet, vërtet, demokratik, me pushtete, vërtet, të ndara, që janë themeli i demokracisë, Shqipërinë shtet i së drejtës, Shqipërinë shtet i drejtësisë sociale,që do t'u ofrojë gjasa të barabarta të gjithë qytetarëve të saj, Shqipërinë e qytetarëve të saj të vetëdijshëm se pa kulturë, pa shëndet moral dhe pa demokraci nuk mund të ketë as liri. Ndër përfaqësuesit e kësaj gjedheje shtetërore do të jetë edhe Ina Rama, natyrisht, në qoftë se do të jetë e parimshme dhe e qëndrueshme në mbrojtjen e vlerave demokratike siç po tregohet këto ditë.
Zonja Ina Rama!
Mos harro: Ti sot nuk ke vetëm një detyrë juridike - kushtetutare, por ke një mision historik kombëtar.
Unë nuk po të mbroj Ty, sepse Ti nuk ke nevojë për mbrojtjen time dhe të askujt tjetër,sepse mbrohesh vetë, me integritetin dhe aftësinë tënde, por, duke shkruar për Ty sot, unë dua të mbroj Shqipërinë moderne, demokratike dhe të qytetëruar - çka, mjerisht, sot nuk po e lënë që të bëhet arrivistët, despotët, gllabëruesit dhe poshtëruesit e vlerave të saj këtu e të fytyrës së saj në botë.
Prishtinë, 20.2.201

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›