E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhep Qosja: “Unë nuk i meritoj vlerësimet që më bëhen në Shqipëri, pasi Aleks Buda, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, janë shumë më lart se unë”

1989/RAPORT I MPB-SË MBI GJENDJEN NË KOSOVË - Shqetësuese vlerësoheshin dorëzimet që Tirana zyrtare u bënte emigrantëve politikë tek Beogradi


Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, informonte udhëheqjen e Partisë në vitin problematik 1989 mbi atë që po ndodhte në Kosovë. Deri atë çast, Kosova kishte akoma statusin e krahinës autonome socialiste brenda Republikës Socialiste të Serbisë, status ky i fituar me anë të kushtetutës së Republikës Socialiste. Federative të Jugosllavisë së vitit 1974. Por tema e Kosovës nëpër analet e shtetit komunist shqiptar të kësaj kohe ishte pak rrahur. Në të shumtën e rasteve në zyrat e Komitetit Qendror të PPSH-së elaborohej ndonjë temë e vjetër e ngjyrosur me elementë të fortë ideologjikë marksistë, ndërsa kjo çështje shihej e lidhur ngushtë si zgjidhje në flamurin e marksizëm - leninizmit. Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, duke përpunuar opinionet e personave që kishin mundur të vizitonin Kosovën në këtë kohë, si edhe në rrugë të tjera, ka konceptuar materialin informues për udhëheqjen e kohës. Në këtë material bie në sy fakti i largësisë së kapjes së situatës (gjë që duket në besimin se kushtetuta e 1974-s nuk kishte rast të rrëzohej dhe tek mosvlerësimi i faktorit negativ Milosheviç), i opinioneve të disa intelektualëve të atjeshëm si dhe fakti se Tirana zyrtare linte shije të keqe me kthimin që i bënte emigrantëve politikë nga Kosova, të cilët në të shumtën e rasteve, torturoheshin e burgoseshin. Duket e çuditshme sesi shteti komunist shqiptar i kësaj kohe në një vit problematik si ai 1989, kishte guximin e kthente emigrantët politikë shqiptarë nga Kosova të cilët mendonin të gjenin pak qetësi në shtetin amë, me shpresën se nuk do ta shihnin më shtypjen serbe.


Po ashtu në raport bie në sy edhe deklarimi i Rexhep Qosjes, për të cilin Televizioni Shqiptar kishte nisur një fushatë lavdëruese. Vetë Qosja është shprehur se nuk i meritonte ato lëvdata pasi e ndjente veten shumë më poshtë intelektualëve të tjerë, duke vlerësuar më shumë Aleks Budën, Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin.


Por më shumë rreth këtyre fakteve, lexoni një pjesë nga raporti i ministrit të Punëve të Brendshme, Simon Stefani, dërguar Ramiz Alisë. 


Republika Popullore e Shqipërisë


Ministria e Punëve të Brendshme


Drejtoria I


Tiranë 28 shkurt 1989


Sekret


Lënda: Për disa probleme mbi gjendjen në Kosovë


Sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, shokut Ramiz Alia


Tiranë


Kohët e fundit qytetaret tanë që kane qenë vizitorë në Kosovë, nëpërmjet lidhjeve të tyre, kane mësuar për mjaft probleme të gjendjes aktuale, etj. Myslim Qosja, pedagog ne Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës; Ali Qasja, ish-avokat ne gjykatën e këtij qyteti dhe Isa Qosja, regjisor në “Kosova-Film”, janë shprehur: “Gjendja ekonomike ne Kosove është mjaft e rëndë. Bujqësia është lënë krejtësisht pas dore. Fusha e Rrafshit te Dukagjinit është lënë djerrë, e pasistemuar dhe e pashfrytëzuar. Edhe ajo pak industri që është ngritur në Kosovë është organizuar në atë mënyrë që të jetë e varur nga Serbia. Kështu për shembull Fabrika e Akumulatorëve në qytetin e Mitrovicës prodhon vetëm për Bashkimin Sovjetik dhe kur ka oferte nga Serbia. Aktualisht 200o punëtore të kësaj fabrike rrezikohen të ngelen pa punë, pasi Serbia nuk ka plan prodhimi. Problem shqetësues në Kosove është ai i emigrimit te kosovareve ne SHBA, dhe kjo për faktin, se


kosovarët shkojnë atje familjarisht dhe nuk kthehen më prej andej”. Vete serbët janë të interesuar dhe e nxisin një fenomen të tillë. Kështu, ne Beograd është krijuar një zyrë që merret me emigrimin e shqiptarëve në SHBA me ndërmjetësimin e Meksikës. Kjo për faktin, se shteti amerikan nuk pranon emigrante shqiptarë direkt nga Kosova, por nëpërmjet Meksikës. Në Meksike emigrantet shqiptare i presin njerëz te ngarkuar me këtë pune. Kështu, vetëm gjatë vitit 1988 ne SHBA kanë emigruar rreth 20 mijë kosovarë. Po bëhen të gjitha përpjekjet për ta frenuar një fenomen të tillë. Në manifestimet e muajit nëntor, në përkrahje të kryesisë së Kosovës për të mos dhënë dorëheqjen, punëtoret e Trepçës dhe gjithë pjesëmarrësit ishin të vendosur që në rast se serbët do të ndërhynin kundër manifestuesve, siç bënë në Vojvodinë, në Beograd e Mal të Zi, t’ju kundërviheshin deri edhe në gjakderdhje, me armë, me luftë. Kosovaret janë të armatosur me “armë, të cilat i kanë futur nëpërmjet emigracionit kosovar në vendet perëndimorë. Kosova është e vendosur të mbrojë të drejtat e saj të garantuar nga Kushtetuta e vitit 1974. Kushtetuten e të drejtat që ajo u ka garantuar Kosovës dhe kosovarëve do të


mbrohen deri me luftë. Ne manifestimet e Prishtinës të nëntorit 1988, Kryetari i Presidencës se Jugosl1avise, Dizdareviç, thirri ne Beograd Remzi Kolgecin dhe i kërkoi që të pranonte dhe te nënshkruante se “është dakord qe ushtria jugosllave të hynte në Kosovë për të shpërndarë demonstruesit”, por Remzi Kolgeci nuk pranoi dhe tha, se një gjë e tillë do të shkaktonte, gjakderdhje. Megjithatë, me qellim që në Kosovë të mos shkaktohej gjakderdhje e te mos dëmtohej rinia, u mor vesh me manifestuesit që të shpërndahen. Me dorëheqjen e Remzi Kolgecit, me te cilën kosovaret nuk ishin dakord, në vend të tij u vendos Rahman Morina, i cili nuk gëzon simpatinë e popullit kosovar, pasi në manifestimet e nëntorit 1988 në Prishtinë foli keq për to, duke i quajtur ato, ashtu si edhe vete serbet, demonstrata”. Mendimi i përgjithshëm është, se Sllobodan Millosheviçi nuk do të mund të arrijë heqjen e të drejtave kushtetuese krahinës autonome të Kosovës, jo vetëm se nuk e miraton populli kosovar, por edhe për vetë qëndrimin pozitiv që kanë republika e Sllovenisë, e Kroacisë dhe një pjesë e udhëheqjes të Bosnjë-Hercegovinës. Në përkrahje të Serbisë, tani për tani është vetëm Maqedonia dhe udhëheqja e re e Malit te Zi. Sllobodan Millosheviçi ka bërë për vete rininë serbe e mbështetet tek ajo me parullën “Bashkim-Vëllazërim”, duke hedhur edhe parullën “Serbia është e madhe se është serbe edhe Mali i Zi”. Për këtë parullë, Vllado Strugar, akademist i Malit te Zi, ka dale me propozimin që Mali i Zi të bashkohet në një republike me Serbinë. Rexhep Qosja, kryetar i Akademisë se Shkencave dhe pedagog ne Universitetin e Prishtinës, është shprehur: “Me është bërë qejfi për faktin se televizioni i Tiranës ka dhënë një emision për mua, por unë nuk i meritoj gjithë ato vlerësime që me bëhen nga Shqipëria, se pse në Shqipëri ka figura me të mëdha se unë si: Aleks Buda, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, etj.


...


Po kështu, ne përgjithësi kosovaret e kane pritur mirë kthimin nga Shqipëria të disa emigranteve kosovarë që u arratisën pas demonstratave të vitit 1981. Këta emigrantë pasi janë kthyer nga Shqipëria në Jugosllavi, jugosllavët i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore e më në fund i kane dënuar deri në 18 vjet burgim, gjë kjo që nuk duhet lejuar nga Shqipëria.


Ministri i Punëve të Brendshme


Simon Stefani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›