E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet tuneli, ministria pranon rrezikun që kanë pasur mbi kokë udhëtarëtNga TemaMinistria e Punëve Publike bëri të ditur dje se do të mbyllet tuneli i Thirrës, pjesë e aksit Rrëshen-Morinë. Kjo ministri tha se një veprim i tillë është ndërmarrë, pë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mbyllet tuneli, ministria pranon rrezikun që kanë pasur mbi kokë udhëtarëtNga Tema

Ministria e Punëve Publike bëri të ditur dje se do të mbyllet tuneli i Thirrës, pjesë e aksit Rrëshen-Morinë. Kjo ministri tha se një veprim i tillë është ndërmarrë, për shkak se do të bëhen punime. Por mediat prej kohësh kanë njoftuar se tuneli ishte i rrezikshëm dhe hapja e tij do të rrezikonte udhëtarët. Madje kohët e fundit ai ishte bërë akoma më i rrezikshëm, për shkak se një pjesë e mirë e tij nuk është veshur siç duhet.

Por ajo çka e bën të frikshëm dhe nxjerr në pah lojën që është bërë me jetën e qytetarëve është se njoftimi i ministrisë thekson se punimet po bëhen për të sistemuar një shtresë të paqëndrueshme. Sipas saj, kjo situatë ishte e paparashikuar. Ministria duhet të sqarojë qytetarët se pse është lejuar që të kalojnë në tunel, kur ka pasur shanse që të ketë situata të paparashikuara dhe shtresa gjeologjike të paqëndrueshme.

Tuneli po bëhet gjithmonë e më i rrezikshëm

tema.al

18.09.2009

Ministria e Transporteve bëri të ditur ditën e djeshme se do të kufizojë qarkullimin e automjeteve në tunelin e Thirrës, pjesë e aksit Rrëshen-Kalimash.

Duke nisur nga e hëna, tuneli do jetë i mbyllur që në orën 19.00 deri në orën 07.00 të mëngjesit.

“Kjo për arsye se punimet e tunelit të Thirrës në këtë autostradë kanë hyrë në një fazë intensive me përforcime masive të strukturës së shkëmbit, të cilat sjellin nevojën e optimizimit të proceseve inxhinierike duke i dhënë më shumë kohë kontraktorit. I kërkojmë ndjesë për shqetësimin të gjithë përdoruesve të kësaj autostrade në Shqipëri dhe Kosovë dhe njëkohësisht i falënderojmë për mirëkuptimin”, - thuhet në njoftimin e MPPTT.

Megjithatë, burimet flasin dhe për mundësinë e mbylljes së tunelit për një kohë më të gjatë, për shkak se ai po pëson shembje dhe asfalti i hedhur është deformuar. Një opsion i hedhur është që të ketë një rrugë që do të kalojë anash tunelit, e cila duhet të asfaltohet për të qenë në kushte optimale. Kjo mund të zgjasë sërish kohën e udhëtimit, por sërish do jetë më pak se koha që merrte rruga e vjetër.

Tuneli i Thirrës u hap për shkak të sezonit, duke rrezikuar në fakt udhëtarët që kalonin në të. Ajrimi ishte në gjendje shumë të rënduar, ndërsa një pjesë e mirë e tunelit nuk ishte veshur duke rrezikuar shembje. Shpesh makinat me pasagjerë detyroheshin të parkonin brenda tunelit për shkak të problemeve të pasagjerëve me frymëmarrjen. Radhët e shumta në të dy krahët e tunelit kanë bërë që edhe kalimi përmes tunelit të zgjaste më tepër.

Përpara se të hapej tuneli, autoritetet kompetente kishin sugjeruar që ai të mos hapej, për shkak se mund të rrezikonte jetën e njerëzve. Një vendim politik bëri që tuneli të bëhej i kalueshëm, duke shkaktuar shpesh probleme për inxhinierët e kësaj rruge.

Rruga për askund

Nga Lawrence Marzouk, Balkan Insight

13.07.2009

“Rruga patriotike”, e cila lidh Kosovën pa dalje në det me Shqipërinë, ka qenë biseda e ditës në Prishtinë prej muajsh.

Kurrë më parë nuk është folur me kaq qejf për një segment asfalti, kurrë më parë nuk ka qenë kaq tërheqës një tunel 5 km. Me njëfarë të drejte - për kosovarët kjo rrugë nuk është një kalim nga pika A në B, është një deklaratë vëllazërimi, dhe më e rëndësishmja, është një autostradë drejt pushimeve me diell.

Me dëshirën e zjarrtë për të braktisur shirat e Prishtinës, dhe me kureshtjen për të shijuar këtë mrekulli të botës moderne, u nisa me makinën time “Renault Clio” për në Shqipërinë e jugut një të premte pasdite, për një fundjavë eksplorimi dhe çlodhjeje.

Tri orë udhëtim Prishtinë-Durrës ishte një nga premtimet optimiste që bëhej para përurimit të rrugës, vetëm pak ditë para se shqiptarët të shkonin në votime.

Nuk shpresoja dhe aq shumë, ndërsa e dija se rruga ishte e pambaruar dhe vetëm një kalim ishte hapur, megjithatë, u shqetësova shumë nga ajo që zbulova.

Jo pse rruga Prishtinë-Durrës zgjati 6 orë - të tjerë që kishin kaluar andej një ditë më pas, më thanë se u ishin dashur 9 orë - por se disa segmente të rrugës ishin hapur me kurrfarë vëmendjeje për sigurinë.

Segmenti Rrëshen-Kalimash ishte perfekt, udhëtim i shtruar, ndërsa punëtorët punonin në kalimin tjetër për të përmbushur afatin e shtatorit. Tuneli ishte thuajse i përfunduar, dhe vargu i makinave për t’u futur në kalimin e hapur ishte i shkurtër.

Por ishte segmenti i parë i kësaj autostrade, Kosovë-Kalimash, ai që më bindi të bëj një paralajmërim para se rruga të përfundojë tërësisht.

Rruga është thjesht e pasigurt dhe do të habitesha, nëse nuk do të ketë aksidente serioze.

Në disa vende kishte sipërfaqe të tëra me asfalt pa asnjë sinjalistikë. Ajo që e bën më të rrezikshme, është fakti që katër kalimet që pritet të shenjohen nuk janë të gjitha të kalueshme, që do të thotë se herë-herë je i detyruar të kalosh në krahun tjetër të rrugës.

Në një pikë, rruga me katër kalime ngushtohet në një urë me dy kalime, pa paralajmërimin e mjaftueshëm. Në qoftë se nuk e keni mendjen në këtë detaj të rrugës, do të përfundoni në fund të humnerës.

Në një segment, rruga të çon drejt e në anën e kodrës, sepse ndërtuesit nuk e kanë çarë rrugën plotësisht. Nuk ka drita emergjence, tabela, dhe as punonjës me xhaketa fosforeshente për t’ju paralajmëruar.

Shoferët thjesht ktheheshin drejt një kamioni të pistë 500 metra mbrapa, me shpresën e verbër se kjo ishte rruga për në Durrës.

E vetmja ndihmë hyjnore ishte se unë e bëra këtë rrugë ditën. Nëse do të kishte qenë natë, udhëtimi do të kishte qenë tmerr. Në kthim për në Prishtinë, vendosa të kthehesha nga Maqedonia, pavarësisht se rruga ishte goxha më e gjatë.

Pra, pse është hapur për publikun kjo rrugë në shumicë e pambaruar, kur mund të përfundonte shumë më shpejt, nëse do të kishte qenë e mbyllur? E vetmja përgjigje racionale është se rruga shikohej si një aset elektoral për kryeministrin Berisha vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve kritike të Shqipërisë.

Balkan Insight zbuloi muajin e shkuar se qeveria Berisha u kishte bërë presion projektuesve që ta mbaronin tunelin në autostradë para zgjedhjeve të 28 qershorit, duke rritur shqetësimin për sigurinë.

Në e-mail-e të para nga BIRN, projektuesit e segmentit Rrëshen-Kalimash paralajmëruan se presioni i qeverisë për të mbaruan punën në kohë për zgjedhjet mund të rezultonte në “katastrofë”.

Megjithëse shkëmbimet e e-mail-eve përqendroheshin te tuneli dhe rruga Rrëshen-Kalimash, jo te segmenti shumë shqetësues pranë kufirit me Kosovën, kjo tregon se përurimi u përdor për fushatë elektorale. Dhe ia vlen të përmendet se tuneli u mbyll për katër ditë pasi kalova unë, për të vazhduar punimet.

Padyshim ky projekt prej miliarda eurosh do të jetë një burim i madh krenarie për shqiptarët në të ardhmen, do të rritë tregtinë mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe një lehtësim i madh për turistët kosovarë.

Segmenti i përfunduar tashmë përfaqëson një vepër inxhinierike mbresëlënëse. Rruga gjithashtu lidh komunitete të izoluara në kufirin shqiptar me Kosovën.

Por hapja e rrugës për përfitime politike, sipas meje, ishte një gabim i madh, dhe shpresoj që të mos jetë një gabim që do të paguhet me jetë njerëzish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›