E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi i Edvinit, një karikaturë e ’97-s, i cili konfirmon karikaturën e 2009-s

S’ka asnjë shpresë që mendjet e shkurtra që rrinë rrotull ylberistit të Pezës të mundin të japin shpresa se protesta e 10 tetorit do të mund të regjistrojë rezultate që do të sjellin fitime për kryesinë uzurpatore të PS-së. Edhe bashkimi politik i karavidheve të së djathtës si dhe i të tjerëve – pa din e pa iman – që vetëshpallen si “Forumi i ri i Edi Ramës” konfirmohet veç si një një karikaturë politike që do i ofrojë vendit një paçavure të rebelimit komunist e antishtetëror të 1997-s


Tashmë është zyrtare. Edi Rama ka vetëm shembullin e rebelimit komunist të 1997-s, padurimin e falangave komuniste për të ardhur në pushtet dhe domosdoshmërinë për t’u vënë në krye të nomenklaturës si modelin e tij politik në vitin 2009. Nuk shfaqet asnjë ndjeshmëri për reformat me të cilat po përballet vendi, për nevojën urgjente për të përfunduar një kurbë detyrimesh që do ta integronte edhe formalisht në Bashkimin Evropian, por si leninisti më i bindur, Edi Rama i është rikthyer sërish celulave të Hakmarrjes për Drejtësi, të krimeve të ’97-s dhe të filozofisë së marrjes së pushtetit me dhunë. Rasti e do që edhe emërtesa e amalgamës antishtetërore që pretendon të udhëheqë politikën e rrugës pas 10 tetorit mban të njëjtin emër “Forumi për Demokraci”, duke treguar se kuzhina që urdhëron të tilla nisma antishqiptare mbetet e njëjta. Mbetet të imagjinohet se cili do të pretendojë të luajë rolin e Hakmarrjes për Drejtësi e të Zani Çaushit në konfigurimin e ri, cili do të jetë ithtari i komiteteve të shpëtimit, por edhe se cilët do të pretendojnë të marrin pushtetin në të ardhmen... Nuk është e vështirë të lexohet edhe rishpërdorimi i Rexhep Qoses, edhe sulmet ndaj intelektualëve me filozofi evropiane, por edhe segmentet mediatike që janë rreshtuar në llogoren e parë të rikthimit të Shqipërisë në gjirin e familjes perëndimore. Të gjitha antifigurat pretendohen të përfaqësohen nga Edi Rama, i cili mishërohet si karikatura e protagonistëve të rebelimit leninist të 1997-s. Në takimin e sotëm u shfaqën të djathtë-karavidhe, u shfaqën renegatë të LSI-së, u shfaqën ylberistë të orëve të para, por më e lexueshmja ishte se u rishfaqën fosile të tilla të 1997-s si Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Arta Dade, etj. “Edhe ne te spektrit te djathte u japim mbështetjen dy pikave esenciale te kohes, bojkotit dhe protestes. Sot kur ka marre fund gjithcka, kjo eshte zgjidhja e vetme”, u shpreh Spartak Ngjela, krejt si në një film karikaturesk bardhezi, që merrte shkas nga 1997-a. Bërthama e karikaturës mbetet Edi Rama, i cili gjatë viteve të fundit ka koleksionuar aq shumë dështime politike, sa ka vënë në pozitë edhe ndërkombëtarët, të cilët s’po dinë si t’ia bëjnë me një kufomë politike, që ka të vetmen energji, atë të refuzimit për t’u varrosur. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, pohoi se, “në takim u diskutua për një bashkëpunim në mbështetje të protestës së ditës së shtunë për hapjen e kutive, si dhe për hartimin e një platforme të përbashkët të partive opozitare, që do kenë të bëjnë me bashkëpunimin për të lejuar një demokraci funksionale në Shqipëri”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe një nga hienat e vjetra, kreu i një partie inekzistente, si PSD-ja, Skënder Gjinushi. Ai pohoi për mediat se, “ky është një bashkim i majtë dhe i djathtë i të gjitha forcave që janë për një bashkim, si dhe janë për rikthimin e votës së lirë”. Çdo gjë është e qartë për Skënderin e Et’hemit, antikomunistët janë në pushtet dhe të gjithë të tjerët, pa dallim ideje, ngjyre e shijeje janë me të... Është një tollovi që s’ndal dot përpjekjen për një ripërsëritje të një manifestimi haxhiqmilist, në mbrojtje të së ashtuquajturës “votë të lirë” dhe “demokracisë në vend”. Është një tubim karavidhesh në Tiranë, i cili thjesht do të konfirmojë fundin e një tubimi karikaturash... Edvini, thirrje anarshiste vendorëve - “Mos iu bindi qeverisë dhe kryeministrit të vendit”/Kryesocialisti Edi Rama, i cili nuk po mundet të dalë nga kriza nervore, e shkaktuar nga humbja e zgjedhjeve parlamentare dhe nga mos bindja e një pjese të mirë të deputetëve brenda partisë, duket se është kuadruar drejt të zgjedhurve vendorë, duke u apeluar atyre për mos bindje nga ligjeve të qeverisë dhe shtetit shqiptar. Përmes një takimi të zhvilluar dje me drejtuesit vendorë socialistë, Edvini u mëshoi atyre, që të mos respektojnë vendimet e qeverisë dhe ligjet e shtetit, duke e përligjur pretendimin e tij, se kjo qeveri dhe ky parlament është ilegjitim. Në cilësinë e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit Edi Rama tha se qeveria aktuale po praktikon sipas tij, një politike antidemokratike dhe antikushtetuese. “Autonomia vendore po përballet me politikën antidemokratike, e cila antikushtetueshmërisht po shkel të drejtat dhe autonominë vendore. Është koha për të refuzuar këtë politikë refraktare. Kryeministri ka vënë masa ndaj qeverisjes sonë. Ne i kemi kontestuar këto masa në Gjykatën Kushtetuese dhe do ta vazhdojmë ta bëjmë. Por ashtu siç është një proces gjyqësor, i cili mbetet pezull për disa kohë ashtu mbeten dhe investimet tona pezull për qytetarët”, tha ai. Rama vijoi apelin e tij anarshist, duke u thënë vendoreve që krahas luftës ligjore të ndiqet dhe një rruge tjetër paralele. “Është koha për të ndërmarrë dhe hapa të tjerë paralele me ato të Gjykatës Kushtetuese. Është koha për të ndërmarrë hapa në nivelin e vendorëve dhe autonomisë sonë duke i thënë stop këtij regresi dhe kësaj kokëfortësie në dëm të qeverisjes vendore”, tha më tej ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›