E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhepi: Kosova do ta ketë Strategjinë për liberalizimin e vizave nga mesi i shtatorit

Prishtinë, 18 gusht -  Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, vlerësoi të mërkurën se institucionet e vendit janë në dinamikën e paraparë për të përmbushur parakushtet e domosdoshme për heqjen e regjimit të vizave dhe se nga gjysma e muajit të ardhshëm Kosova edhe zyrtarisht do të ketë strategjinë për procesin e liberalizimit të vizave.
Këtë deklaratë ministri Rexhepi e bëri në takimin e shtatë të Grupit punues për liberalizim të vizave me BE-në, në të cilin ishin të pranishëm edhe zyrtarë të ndryshëm të ministrive relevante, zyrtarë të EULEX-it dhe organizatave tjera ndërkombëtare.
Në këtë takim, ku u prezantuan të arriturat e fundit të institucioneve Kosovare, në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, ministri Rexhepi theksoi se ky proces është një ndër prioritet kryesore të MPB-së dhe Qeverisë së Kosovës, ka raportuar KosovaLive. Ai po ashtu theksoi se obligimet e MPB-së për këtë proces janë duke u kryer me dinamikën e paraparë.
Në këtë takim u tha se Ligji për ri-pranim i cili është si parakusht për marrjen e një udhërrëfyesi zyrtar, është dekretuar edhe nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe se është në implementim e sipër.
Po ashtu, është bërë e ditur se edhe Strategjia për ri-integrimin e personave të riatdhesuar, është aprovuar nga Qeveria dhe se së shpejti do të fillojë edhe implementimi i Planit të veprimit të kësaj strategjie i cili po ashtu është aprovuar nga Qeveria.
Ministri Rexhepi shtoi se sipas gjitha gjasave me dinamikën e paraparë, do të plotësohen kushtet dhe pritet që nga mesi i shtatorit Kosova ta ketë Strategjinë për procesin e liberalizimit të vizave, që do të jetë dokument zyrtar dhe në bazë të tij, do të konkretizohet realizimi i detyrave tjera.
Në muajin shtator është paralajmëruar edhe mbajtja e një konference për donatorë që pritet të rrisë fondin inicial të ndarë nga Buxheti i Kosovës.
Ndër të arriturat që janë përmendur në këtë takim janë: avancimi i sistemit të regjistrit civil, ku është finalizuar digjitalizimi i plotë i të dhënave, skanimi i regjistrave civilë nëpër komuna, lidhja me intranet të mbi 98 për qind të qendrave komunale për regjistrim civil dhe zyrave lokale të gjendjes civile. Po ashtu janë hapur zyrat për regjistrim civil në komunat e reja që kanë dalë nga procesi i decentralizimit dhe është hapur një zyrë për regjistrim civil në veri të Kosovës.
Të gjitha këto veprime janë identifikuar nga Komisioni Evropian, si parakushte për marrjen e Strategjisë për liberalizimin e vizave, thekson një komunikatë nga Zyra për komunikim publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›