Rexhepi: Policët u zunë në kurth, Serbia me ligjet e xhunglës

19:52 Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi prononcimi për RTK-në, ka thënë se policët kosovarë nuk ishin futur në territor të Serbisë, ata sipas tij ranë prej e një plani që kishte përgatitur Serbia.
“Ka qenë kurth e përgatitur nga Serbia. Ata ishin duke bërë patrullime të rregullta, dhe kur u afruan te disa drunë për t’i hequr nga aty polica serbe i tërhoqi në territor të tyre”, ka thënë Rexhepi. Sipas tij Serbia po zbaton ligje të xhunglës dhe këtu siç tha ai nuk mund të flitet për shtet ligjor.
Rexhepi tha se policëve iu është shqiptuar masa e paraburgimit prej 48 orësh ndërsa tha se pret që tani ndërkombëtarët të bëjnë presion mbi Serbinë dhe policët të lirohen.
19:31 Ka reaguar edhe Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi. Ai ka thënë se është koha e fundit që veprimet e tilla të Serbisë të ndalen.
“ Arrestimi i dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e Policisë së Republikës së Serbisë është një akt i paskrupullt dhe provokues . Me këtë veprim krejtësisht të papranueshëm Policia e Serbisë atakon në mënyrë të pashembullt integritetin e Kosovës dhe acaron edhe më marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Këto dhe arrestimet e tjera të qytetarëve të Kosovës kurrsesi nuk i kontribuojnë ruajtjes së stabilitetit në mes dy shteteve dhe rajonit. Është koha që veprime të këtilla të pamatura e të dëmshme të ndërpriten, dhe njëherësh dy policët të lirohen menjëherë, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi me rastin e arrestimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Krasniqit.
18:15 Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e organeve ta Serbisë, që ndodhi sot në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre dhe pa kushte.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt cenon rëndë raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ju bënë ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare, para së gjithash Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për ti ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme. Qeveria e Kosovës kërkon nga qeveria e Serbisë që menjëherë dhe pa kushte, të bëjë lirimin e policëve kosovarë.
15:07 Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi e ka konfirmuar për RTK-në arrestimin e dy policëve kosovarë në kufirin me Serbinë. Rexhepi nuk ka dhënë detaje, por ka thënë se është duke u marrë intensivisht me rastin për të parë se si ka ndodhur dhe nëse policët tanë kishin kaluar kufirin.
14: 04 Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar sot në mëngjes në pikën kufitare në Merdar nga ana e Xhandarmërisë së Serbisë. Lajmin e ka bërë të ditur në Beograd ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic.
Ai ka thënë se janë arrestuar Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, që ishin të armatosur e që sipas tij është shkelje e Marrëveshjes së Kumanovës.
“Çka kërkojnë ata në territorin e Serbisë Qendrore dhe me çfarë marrëveshje sillen këtej”, ka thënë ish-bashkëpunëtori i Millosheviqit.
Sipas gazetës së Beogradit Blic, policët kosovarë e kanë kaluar kufirin ilegalisht dhe kanë hyrë në pjesën e Serbisë. /indeksonline/