Jahjaga: Gruaja, më pak se burri e përfshirë në krim

Përvoja e deritashme po tregon se gruaja në Kosovë është shumë më pak sesa burri e përfshirë në krim të organizuar, në korrupsion dhe në dukuritë e tjera negative.
Kështu ka deklaruar Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, gjatë konferencës me temën “Gratë dhe Qasja në Pronë dhe Resurse”.
Ajo ka theksuar se pozita e gruas, të drejtat dhe liritë e saj e përcaktojnë nivelin e demokratizimit të shoqërisë dhe parakushtet për zhvillim e drejtë në të ardhmen.
“Gruaja në Kosovë gjithnjë e më shumë po avancon në pozitën e saj të barabartë me burrin duke zgjeruar gamën e realizimit të të drejtave të saja natyrore, kushtetuese dhe ligjore, duke zënë pozita të rëndësishme në vendimmarrje në përfaqësim dhe pozita udhëheqëse në lëmi të ndryshme si është tashmë tradicionalisht në arsim, në shëndetësi, por karakteristikë e re e Kosovës pas çlirimit se gruaja po zë një vend të rëndësishëm në biznes duke udhëhequr dhe duke dhënë kontributin në zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të vendit”, është shprehur Jahjaga, raporton “Zëri”.
Sipas saj, gruaja në vendin tonë ka mbetur prapa në realizimin e të drejtës në pronë si pasojë e, siç tha ajo, “të drejtës zakonore dhe të marrëdhënieve tradicionale brenda familjes dhe shoqërisë kosovare”.
“Ne sot i kemi të gjitha ligjet me standarde dhe norma evropiane dhe mbetet që këto të përjetësohen në përditshmëri.
Gruaja duhet plotësisht ta realizojë të drejtën e pronës sepse vetëm kështu mund të jetë një nënë e mirë, një grua e mirë dhe një qytetare e barabartë plotësisht me burrin e aftë dhe e përgjegjshme t’i merr mbi vete të gjitha përgjegjësitë”, theksoi Jahjaga.
Ndërkaq, sipas Presidentes, “gruaja e cila posedon pronën jo vetëm që ndjehet më sigurt por me administrimin e pronës bëhet një ndërmarrëse e devotshme e cila vepron dhe punon sipas ligjeve të tregut duke menaxhuar kapitalin dhe duke vënë në funksion të zhvillimit të saj, të familjes dhe të shoqërisë”.
“Gruaja pronare e të gjitha të mirave materiale thyen tabutë e së kaluarës duke u dëshmuar se perëndia na ka krijuar të gjithëve të barabartë, dhe se gruaja në të gjitha aspektet është po aq e zonja sa edhe burri”, tha Jahjaga.
Ajo tha se duhet të punohet më shumë që të krijohet një ambient të përshtatshëm i cili i pranon këto vlera të reja të gruas.
“Askush nga ne nuk mund të jetë i kënaqur nëse gruaja përjashtohet apo privohet nga e drejta e trashëgimisë apo nëse gruaja vlerësohet më pak se mashkulli në të drejtën e pronës. Të gjithë e kuptojmë se barazia e gruas në shoqëri, që tashmë u dëshmua në lëmit e veçanta, është një e mirë që një kohë i ka munguar shoqërisë tonë por që sot të gjithë e kuptojmë si një të drejtë themelore e cila e çon shoqërinë përpara dhe nga realizimi i të drejtave dhe lirive të gruas përfiton e gjithë shoqëria. Sepse avancimi i të drejtave të gruas po dëshmohet gjithkund nëpër botë në avancimin dhe zhvillimin ekonomik të një vendi dhe zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë”, theksoi Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga./Indeksonline/