Rexhepi: Policia nuk do të ndërhyjë në veri

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka përjashtuar një ndërhyrje të policisë në veri të vendit. Gjatë vizitës që bëri në fshatin Drenoc të Klinës, Rexhepi deklaroi se qeveria e Kosovës është e interesuar të shpërbëhen strukturat paralele serbe në veri dhe të integrohet edhe ajo pjesë e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t`i shpërbëjë strukturat paralele në veri të Mitrovicës, mirëpo kjo nuk mund të arrihet pa ndihmën e KFOR-it dhe të policisë së EULEX-it”, theksoi ai.
Rexhepi ka dënuar djegien e dy shtëpive të banorëve serbë, që kishte ndodhur kohë më parë në fshatin Drenoc të Klinës, dhe ka premtuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim më institucionet komunale se do të punojnë në procesin e kthimit, pavarësisht sfidave.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se Policia e Kosovës ka plan të veçantë për banorët e fshatit Drenoc, me qëllim ofrimin e sigurisë për këta banorë.