E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhepi: Serbët duhet të pozicionohen, s`ka ndarje të veriut

Ndarja e Kosovës nuk është e pranueshme dhe Serbia nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi për portalin serb Pinkonlajn. Rexhepi shtoi se serbët në veri të vendit do të duhej të përcaktohen vullnetarisht se a do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, “ose do të jetojnë në ëndrrat e tyre”.
 

“Kishte pak gjasa për ndarje në vitet 2002 e 2003, derisa kryeministër i Serbisë ishte Zoran Xhinxhiç. Atë kohe disa shtete mendonin që ndarja ishte zgjidhja më e mirë, por pas kësaj bashkësia ndërkombëtare, Grupi i Kontaktit dhe institucionet tona vendosën `vijën e kuqe` se nuk ka ndarje”, tha Ministri kosovar.
 

Ndarja e pjesës veriore do të shkaktonte efektin domino, tha më tej Rexhepi, duke shtuar se ka kaluar koha e shteteve një etnike. Ky nuk është opsion, theksoi ai.
 

Edhe vet kryeministri i Serbisë e di se kjo nuk do të realizohet dhe kjo tingëllon si një fontin dëshirash, tha Rexhepi, dhe shtoi se çështja e veriut të Kosovës duhet të zgjidhet sipas Planit të Ahtisaarit.
 

“Mund të quhet edhe ndryshe ai plan, nëse dikë e pengon emri, por esenca do të jetë pakoja e Ahtisaarit dhe përtej saj nuk do të shkohet”, theksoi ai.
 

Rexhepi kërkoi nga institucionet serbe që të tërheqin nga Kosova pjesëtarët e MUP-it, BIA-s e grupe të tjera, të cilat organizojnë veprime jolegale, kurse serbë në Kosovë janë peng i atyre grupeve.
 

Ato grupe, sipas Rexhepit duhet të ikin nga Kosova dhe që njerëzit të përcaktohen vullnetarisht se a do të jenë pjesë e institucioneve kosovare apo “të jetojnë në ëndrrat e tyre”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›