Rexhepi: Serbia po i përdorë ligjet e xhunglës

Arrestimin e dy policëve kosovarë, Ministri Rexhepi e ka cilësuar provokim të hapur që ka për qëllim ngritjen e tensioneve dhe provokimin e konflikteve mes dy shteteve.
Ministri Rexhepi, ka thënë se këto arrestime bëhen edhe për
spektakle para elektoratit serb në prag të zgjedhjeve që pritet të mbahen në Serbi.
Ai ka theksuar se arrestimi ka qenë i përgatitur paraprakisht dhe se policët kosovarë janë arrestuar kilometra brenda territorit të Kosovës përkatësisht në fshatin Dumnicë të Podujevës. Paraprakisht, sipas tij, policia serbe kishte vendosur disa drunj në rrugë ndërkohë që më pas, dy policët e Kosovës, derisa po tentonin që t’i hiqnin nga rruga, befasisht janë kapur nga policia serbe.
Këto komente, Rexhepi i ka bërë gjatë orëve të mbrëmjes në Televizionin publik të Kosovës
Qeveria kërkon lirimin e menjëhershëm të policëve
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e organeve ta Serbisë, që ndodhi sot në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre dhe pa kushte.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt cenon rëndë raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës ju bënë ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare, para së gjithash Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për ti ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme.
Qeveria e Kosovës kërkon nga qeveria e Serbisë që menjëherë dhe pa kushte, të bëjë lirimin e policëve kosovarë.
MPB: Policët u kidnapuan brenda territorit të Kosovës
Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër kidnapimin e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës nga ana e Xhandarmërisë Serbe. Pjesëtaret e Policisë së Kosovës në momentin e kidnapimit kanë qenë duke patrolluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre.
Ky veprim tinzar dhe i organizuar i Xhandarmërisë serbe dëshmon edhe njëherë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit Serb ndaj Republikës së Kosovës. Përpjekjet e shtetit serb për agresion ndaj Republikës së Kosovës përmes veprimeve të tilla të nxitura nga Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, i cili me plot fanatizëm po dëshmohet si trashëgimtarë i politikës agresore të Millosheviçit, kanë dështuar historikisht dhe do të dështojnë edhe tani.
Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga EULEX-i dhe mekanizmat tjerë relevant të Bashkimit Evropian, të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, fton institucionet e Bashkimit Evropian të gjykojnë veprimet e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim të plotë me rendin dhe ligjin dhe janë veprime anti-europiane dhe në dëm të perspektivës evropiane të rajonit.
Rexhepi: Arrestimi i policëve, veprim i pamatur i Serbisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një prononcim për Telegrafin e ka cilësuar arrestimin dy policëve kosovarë si veprim të pamatur të palës serbe.
Sipas tij, ky rast do të qojë në destabilizimin të mëtejmë të situatës .
“Është tensionimi i gjendjes. Ata janë në fushatë elektorale dhe është veprim shumi pamatur i ministrit te Brendshëm te Serbisë”, ka thënë Rexhepi. “Do të shikojmë se a kanë qenë policët në anën e Serbisë. Do të shikojmë përmes EULEX-it se si ta zgjedhim këtë çështje”.