E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria kërkon lirimin e menjëhershëm të policëve

(E plotësuar)Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e organeve ta Serbisë, që ndodhi sot në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre dhe pa kushte.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt cenon rëndë raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ju bënë ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare, para së gjithash Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për ti ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme.

Qeveria e Kosovës kërkon nga qeveria e Serbisë që menjëherë dhe pa kushte, të bëjë lirimin e policëve kosovarë.

MPB: Policët u kidnapuan brenda territorit të Kosovës

Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër kidnapimin e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës nga ana e Xhandarmërisë Serbe. Pjesëtaret e Policisë së Kosovës në momentin e kidnapimit kanë qenë duke patrolluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre.

Ky veprim tinzar dhe i organizuar i Xhandarmërisë serbe dëshmon edhe njëherë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit Serb ndaj Republikës së Kosovës. Përpjekjet e shtetit serb për agresion ndaj Republikës së Kosovës përmes veprimeve të tilla të nxitura nga Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, i cili me plot fanatizëm po dëshmohet si trashëgimtarë i politikës agresore të Millosheviçit, kanë dështuar historikisht dhe do të dështojnë edhe tani.

Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga EULEX-i dhe mekanizmat tjerë relevant të Bashkimit Evropian, të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, fton institucionet e Bashkimit Evropian të gjykojnë veprimet e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim të plotë me rendin dhe ligjin dhe janë veprime anti-europiane dhe në dëm të perspektivës evropiane të rajonit.

Rexhepi: Arrestimi i policëve, veprim i pamatur i Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një prononcim për Telegrafin e ka cilësuar arrestimin dy policëve kosovarë si veprim të pamatur të palës serbe.

Sipas tij, ky rast do të qojë në destabilizimin të mëtejmë të situatës .

“Është tensionimi i gjendjes. Ata janë në fushatë elektorale dhe është veprim shumi pamatur i ministrit te Brendshëm te Serbisë”, ka thënë Rexhepi. “Do të shikojmë se a kanë qenë policët në anën e Serbisë. Do të shikojmë përmes EULEX-it se si ta zgjedhim këtë çështje”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›