E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: Situata në veri ka filluar të bëhet e padurueshme

PRISHTINË- Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi e ka cilësuar situatën e krijuar në veri të vendit si të padurueshme.

Rexhepi rikonfirmoi edhe një herë bindjen se çdo veprim për largimin e barrikadave të vendosura nga serbët e rebeluar në veri do të bëhet në koordinim me EULEX-it dhe KFOR-in.

Këto deklarata ministri kosovar i bëri sot në Mitrovicë gjatë inagurimit të kampit ‘Belvedere’ në të cilin më parë kanë qëndruar ushtarët francezë të KFOR-it, e që tani i është dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës.

Rexhepi theksoi se në këtë kamp do të vendosen njësitë speciale operative të rajonit të Mitrovicës dhe trafikut rajonal, të cilët deri më tani kanë punuar në kushte të vështira, raporton Express.

“Për momentin nuk kemi ndonjë plan të veçantë as për aksione vetëm të njësive speciale, as për aksione për gjyqin e qarkut, siç ka qenë ky plan veprues për pikën 1 dhe 31. Çdo gjë do ta bëjmë në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in”,-ka thënë Rexhepi.

Për më tepër, ai ka theksuar se si pasojë e gjithë kësaj gjendja në veri është rënduar dhe se qytetarët kanë mbetur peng të grupeve kriminale serbe në këtë pjesë të vendit.

“Jemi duke shqyrtuar ose vëzhguar situatën me vëmendje. Natyrisht se këto barrikada janë bërë pengesë në rend të parë për një jetë normale të vetë qytetarëve në veri të të gjitha komuniteteve. Ato pamundësojnë furnizimin me gjëra elementare qoftë edhe ushqimore ose të natyrave tjera, pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, qarkullimin e tyre për nevoja shëndetësore, shkolla etj. Kanë mbetur këta qytetarë peng të grupeve të caktuara qoftë kriminale ose të interesit, dhe kjo situatë ka filluar të bëhet e padurueshme. Ne në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që qytetarët e pafajshëm të pësojnë për shkak të interesit të grupeve të caktuara, ose politike radikale”,- është shprehur ministri Rexhepi.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›