Rexhepi: UNMIK nuk mund të vendosë ligjin në Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, bën fajtor UNMIK-un, që sipas tij nuk po vepron që të vendosë rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Mitrovicës. Në një intervistë për “DWelle”, Rexhepi ka shpjeguar situatën në qytetin e ndarë përgjysmë.
Zoti Rexhepi, KS-it, diskutoi një raport për ngjarjet e 17 marsit të këtij viti në Mitrovicë dhe në një pjesë të raportit kritikohet ndërhyrja e forcave te rendit për të larguar serbët lokalë që kishin okupuar gjykatën në veri. Sipas jush cili ka qenë realiteti dhe a është dashur që të bëhet një ndërhyrje e tillë?
Raporti nuk ka qenë aspak profesional, palët që janë intervistuar kanë qenë palë të gabueshme dhe tendencioze prej fillimit. Prandaj, ky raport nuk përkon aspak me realitetin. Në raport, akuzohen forcat e rendit dhe KFOR-it, të cilat unë mendojë se kanë vepruar në mënyrë shumë profesionale dhe madje ato kanë përdorur minimumin e forcës që ta stabilizojnë situatën në terren. Ndërsa, në raport askund nuk përmenden veprimet e serbëve dhe dhuna që kanë ushtruar pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe rojet e urës. Ata kanë përdorur granata dore armë zjarri, kanë vrarë një polic ndërkombëtar dhe kanë lënduar mbi 80 policë dhe ushtarë.
Zoti Rexhepi, ju thoni se në raport janë minimizuar veprimet e serbëve, pse mendoni se është bërë kjo?
Kjo është një lojë djallëzore politike dhe inkurajon që strukturat paralele serbe të sigurisë të veprojnë edhe më shumë, që ta kenë rendin dhe ligjin në duart e tyre, thënë thjeshtë, të lejohen dhe të bëjnë çfarë të duan. Në këtë rast do të duhet të ndodhte e kundërta, të dënohet aktet e serbëve dhe veprimet e strukturave të MPB. UNMIK-u duhet që me këtë mandat që ka, ta vendosë rendin dhe ligjin, sepse kjo është edhe në interes të qytetarëve serb të Mitrovicës. Kjo nuk po ndodhë. Se a ka struktura të caktuara në Sekretariatin e OKB-së, unë nuk dua të paragjykoj, mirëpo, si duket ka njerëz që dëshirojnë ta denigrojnë edhe misionin e UNMIK-ut, në Kosovë edhe pse UNMIK-u thënë të vërtetën nuk gëzon ndonjë respekt të madh dhe pas raportit mbi ngjarjet e 17 marsit të vitit 2008, në Mitrovicë, UNMIK-u e ka humbur besueshmërinë e vet tek qytetarët.
Zoti Rexhepi, ju vazhdimisht kritikoni UNMIK-un, cilat janë raportet tuaja aktualisht me administratën e UNMIK-ut, në Mitrovicë?
Unë bashkëpunoj me UNMIK-un derisa ata të vënë në zbatim mandatin e tyre. Unë udhëhiqem nga principet, jo nga emrat dhe nga pozicioni dhe unë bashkëpunoj me ata sa ka hapësirë bashkëpunimi për vendosjen e rendit dhe ligjit. Për çdo gjë tjetër unë jam refuzues dhe mendoj se raportet mes nesh janë minimale dhe e gjithë kjo për shkak të qëndrimeve jo parimore të administratorit rajonal të Mitrovicës, zotit Galluci, i cili preferon status-quo në Mitrovicë dhe nuk ndërmerr asnjë hap për vendosjen e rendit dhe ligjit.