E Hënë, 2 Nëntor 2026

Xhon Terri, gati për përballjen me Mourinjon

Kapiteni i Çelsit dhe skuadra kërkojnë një përballje me ish-trajnerin e tyre

Kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, ka treguar se ai dhe shokët e tij të skuadrës janë në pritje të një sfide në Ligën e Kampioneve me ish-trajnerin e tyre, Hoze Mourinjo. Çelsi, në fakt, në sezonet e fundit ka qenë protagonist përsa u përket koinçidencave në shortin e Ligës së Kampioneve. Pas eliminimit në 2005 ndaj Liverpulit në gjysëmfinalet e Ligës së Kampioneve, "blutë" kanë rënë gjithmonë përballë të besuarve të Benitez në të njëjtën fazë të kompeticionit në çdo sezon. Të besuarit e Avram Grant arritën në finalen e Moskës dhe Terri ka thënë se me marrjen e drejtimin nga Luiz Felipe Skolari, fati do të ndryshojë dhe rivalët do të jenë një tjetër skuadër. "Të gjithë djemtë janë të mendimit se ne do të kemi kundërshtar Interin në Ligën e Kampioneve", - tha mbrojtësi i Çelsit. Mourinjo u largua nga "Stemford Brixh" në shtator të 2007-s pas tre sezonesh të suksesshme në drejtim, gjatë të cilave londinezët fituan dy herë Premier Ligën , dy Kupa Lige dhe një Kupë të Anglisë. Terri e kujton me nostalgji kohën kur ishte nën urdhërat e portugezit. Megjithatë, ato ditë i përkasin të kaluarës dhe 27-vjeçari ka deklaruar se ai dhe shokët e tij janë të përqendruar në atë çfarë do të rezervojë ky sezon. "Hoze ishte një trajner i madh dhe dikush me të cilin kishe qejf të punoje, - vazhdoi ai. - Por ishte një ndryshim që klubi e bëri dhe kështu që ne nuk e kemi më mendjen aty". Krahasimet e pashmangshme me Skolarin vetëm sa kanë shtuar rivalitet, por trajneri i ri i Çelsit është përpjekur t'u qëndrojë larg polemikave, duke insistuar se metodat dhe karakteri i tij janë të ndryshme nga ato të portugezit. Terri ka shtuar se Skolari u ngjan më shumë trajnerëve italianë të Çelsit, që ishin para se të vinte Mourinjo. "Nën drejtimin e Skolarit vrapojmë në stërvitje nga 1000 metra në ditë, gjë që me Mourinjon nuk praktikohej", - shtoi kapiteni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›