Rexhepi VV-së: Me 14 janar do të përballeni me ligjin

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka dërguar mesazhe të qarta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje paralel me paralajmërimet e saj për 14 janarin, për bllokimin e pikave kufitare. Në një takim me strukturat e larta të Policisë, Rexhepi ka thënë se nuk do të tolerohet asgjë.
“E drejta e disa qytetarëve për të protestuar dhe shprehur pakënaqësinë nuk do të lejohet të abuzohet në dëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve tjerë dhe mallrave në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin MPB-së.
“Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos përkrahin forma joligjore të shfaqjes së pakënaqësisë. Policia e Kosovës do të ketë zero tolerancë ndaj bllokimit ilegal të rrugëve dhe do të jetë në gatishmëri të plotë për t`u përballur me të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme me forcën e ligjit, forcë kjo që buron nga Kushtetuta më moderne dhe që respekton të drejtat e njeriut” përfundon njoftimi.