Rexhepi nuk e sqaron prezencën policore rreth Kuvendit

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka sqaruar çështjen e prezencës policore sot rreth Parlamentit të vendit.
Ministri i brendshëm Bajram Rexhepi i kontaktuar nga Radio Kosova nuk ka dashur të përgjigjet rreth reagimit të kryetarit të Kuvendit se ministri ka urdhëruar rrethimin policor të Kuvendit.
Rexhepi me nervozizëm është përgjigjur se nuk ka çka të komentojë.
“Nëse kam çka them thërras konferencë për media, mos më lodhni tash”, ka thënë Rexhepi për Radio Kosovën.
Përgjigje rreth dërgimit të njësisë speciale të policisë nuk ka dhënë as drejtori i policisë Shpend Maxhuni dhe askish nga zyrtarët e tjerë të policisë së Kosovës.
Kuvendi vazhdon seancën
Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet pas një shtyrje diku një orëshe për shkak të pranisë së policëve brenda hapësirave të Kuvendit.
Kërkesën për largimin e policëve e bëri kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili në fillim të seancës tha se nuk janë respektuar rregullat procedurale meqë nuk është kërkuar leje nga ai.
Shtyhet seanca e Kuvendit, Krasniqi kërkon largimin e policisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme që të largojë forcat policore nga ndërtesa e Kuvendit, në mënyrë që seanca të vazhdoj punimet.
Ai për këtë ka kërkuar nga kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme të japin përgjegjësi, pasi që si ka thënë ai Kosova nuk është shtet policor.
Që në fillim të seancës plenare kur është planifikuar të nisë punimet seanca me propozim-rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kryetari Krasniqi nuk ka lejuar që të vazhdojnë punimet përderisa nuk largohen njësitë policore nga ndërtesa e kuvendit.
Sipas tij sot Policia e Kosovës ka hyrë pa urdhër të kryetarit gjë që nuk është e lejueshme.
“Nuk jemi këtu për të duartrokit për asnjë urdhër policor. Sot policia ka hyrë në Kuvend pa dijeninë e kryetarit. I bëjë thirrje ministrit dhe kabinetit qeveritar që pa urdhrin e kryetarit që asnjë polic të mos hy në Kuvend. I bëjë thirrje kabinetit qeveritar dhe kryeministrit që ato djem e vajza që janë për të mbrojtur demokracinë, identitetin e vet të mos përdoren për interesa private”, ka thënë Krasniqi.
Kryeparlamentari ka thënë se nuk guxon ministri të jap kësi urdhra deri edhe burgosjen e presidentit.
“Ky vend nuk ka vend për shtet policor, ky vend ka nevojë për demokraci dhe jo Bajram Rexhepi të burgos edhe presidentin. Institucionet janë të ndara. Një ministër nuk mund të urdhëron asnjë polic të hyjë në kuvend të Kosovës dhe është hera e fundit dhe për ministri duhet të jap përgjegjësi. Policët që kanë rrethuar, nuk e di me çfarë urdhri, por Kuvendi nuk mund të mbajë seancën plenare dhe unë kërkoj që kuvendi të shkoj në një pauzë një orëshe deri sa të hiqen forcat policore”, ka deklaruar Krasniqi. /Kosovapress/