E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten pa shkollë 250 nxënës në Ndroq

Janë 250 fëmijë të shkollës 9-vjeçare "Seit Brahaj", të cilët nuk kanë bërë asnjë ditë mësim, që nga fillimi i këtij viti shkollor, por bëjnë vetëm protesta me parullat: "Duam shkollë!"
Shkolla më e afërt për këta nxënës ndodhet pesë kilometra larg dhe fëmijët, edhe ata të klasës së parë, duhet të ecin të paktën një orë në këmbë, për të kryer mësimin.
Shkolla e re ka përfunduar, por pronari i tokës mbi të cilën është ndërtuar shkolla 9-vjeçare nuk lë askënd që të hapë dyert e godinës së re.
"Nuk do të lejoj asnjë që të bëjë mësim pa marrë kompensimin", thotë pronari i tokës përpara kamerës së "Fiks Fare".
Ndërkohë që prindërit e fëmijëve kërkojnë me insistim që shkolla e re të fillojë të funksionojë, pasi nuk kanë pse t‘i çojnë fëmijët pesë kilometra larg për të mësuar, kur shkollën e kanë në derë të shtëpisë.
Me sa mësuam në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës, shkolla "Seit Brahaj" është gati që të hapë dyert për nxënësit e zonës së Urës së Beshirit, menjëherë sapo të zgjidhet problemi i shpronësimit të pronarëve.
Menjëherë sapo e pyet kryetaren e Komunës së Ndroqit, Fatime Goga, se përse nuk janë zgjidhur këto probleme përpara fillimit të vitit të ri shkollor, ajo përgjegjësinë e heq nga vetja dhe e hedh te Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës dhe Ministria e Arsimit. Sipas saj, shkolla ka përfunduar së ndërtuari më 30 gusht 2008. Fajin për mosfillimin e mësimit ia kalon DAR të Tiranës, e cila sipas saj, gjatë 15-ditëshit të parë të shtatorit nuk ka marrë masa për pajisjen me banka.
"Shkolla ka përfunduar më 30 gusht 2008 dhe gjatë 15-ditëshit të parë të shtatorit, kemi kryer negociata me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës për furnizimin me bankat dhe dy detyrime të papërfunduara".
Gjithashtu, kryetarja e komunës sqaron se kanë kërkuar ndihmë në dhjetor të vitit të kaluar nga Ministria e Brendshme. Por kjo ministri u ka kthyer përgjigje se këtë kërkesë duhet t‘ia drejtonin Ministrisë së Arsimit, që mbulon këtë veprimtari.
"Iu drejtuam Ministrisë së Arsimit dhe ajo nuk është përgjigjur", vazhdon kryetarja e Komunës së Ndroqit.
Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës, Ylli Xhaferri, ia faturon Komunës së Ndroqit përgjegjësinë për mosfillimin e vitit të ri shkollor në shkollën 9-vjeçare "Seit Brahaj".
"Nuk është e vërtetë që shkolla nuk është hapur për pajisjet, por ka një mangësi në procedurat e shpronësimit", thotë përpara kamerës së "Fiks Fare", Xhaferri.
Ai rikonfirmon se pronari i tokës ku është ndërtuar shkolla nuk është shpronësuar ende, sepse "komuna nuk i ka zgjidhur problemet në kohën e duhur".
Përfundimisht, sipas kreut të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës, këtë problem duhet ta zgjidhë komuna, sepse ajo i ka lidhur kontratat.
Drejtoria arsimore nuk e ka marrë ende shkollën në dorëzim, ndërkohë që stafi pedagogjik për këtë shkollë është ngritur dhe pret vetëm zgjidhjen e problemit të shpronësimit.
Nga ana tjetër, 250 nxënësit e zonës së Urës së Beshirit, që e nisën këtë vit shkollor me protesta, vazhdojnë të dalin dhe të kundërshtojnë me pankarta në dorë, të cilat i kanë të mbushura me gabime drejtshkrimore, një shembull ky që dëshmon se sa urgjente është zgjidhja e problemit të shpronësimit dhe hapja e shkollës në këtë zonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›