E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen rastet e dhunës në familje kundër të moshuarve

Vitet e fundit janë shtuar rastet e dhunës kundër të moshuarve në familje. Dhuna ndaj tyre është e të gjitha formave, si ajo psikologjike, ashtu edhe fizike e ekonomike. Këto janë rezultatet statistikore të bëra publike më 1 tetor, Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. Me këtë rast, Ministria e Punës ka prezantuar dje draftin e një strategjie të posaçme për ta. Qëllimi i saj është që t‘i paraprijë problemeve që do të sjellë rritja e numrit të personave të moshuar vitet e ardhshme, statusit aktual të tyre me mungesë të të ardhurave ekonomike, shërbimeve shëndetësore, pamundësia për të qenë pjesë aktive në tregun e punës. Shifrat statistikore flasin për një nivel të lartë të varfërisë mes të moshuarve, për të ardhura të pakta që nuk mbulojnë shpenzimet për minimumin jetik. Por edhe për një numër të kufizuar të institucioneve të përkujdesit social, rezidenciale dhe ditore, publike dhe jopublike dhe me një shtrirje të kufizuar territoriale. Në hartimin e kësaj strategjie është marrë parasysh fakti se varfëria e të moshuarve shtohet edhe me përdorimin e barnave. Aty thuhet se është një numër i kufizuar barnash të rimbursuara për ta, ka një mungesë të përfshirjes së tyre në jetën kulturore dhe shkencore, në proceset vendimmarrëse. "Për të garantuar një dokument cilësor dhe koherent janë vlerësuar raportet kombëtare e ndërkombëtare, të përshtatura me studimin e analizës në terren për këtë kategori. Përveç ekspertizës institucionale, dokumenti do të paraprihet nga marrja e mendimeve të të gjitha grupeve të interesuara", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Punës. Tashmë ka përfunduar faza e parë e një vëzhgimi në të 12 prefekturat e vendit. Ai synon të plotësojë tablonë e situatës aktuale të personave të moshuar me më shumë të dhëna statistikore.
Megjithëse Shqipëria ka popullsinë më të re në Evropë, përqindja e popullsisë mbi moshën 60 vjeç është në rritje graduale. Parashikohet që ajo të përbëjë 12.2 për qind të popullsisë deri në vitin 2010 dhe në 2020 kjo moshë parashikohet të përbëjë rreth 15 për qind të popullsisë së përgjithshme nga 9.4 për qind që zinte në vitin 2000. Emigracioni i të rinjve, strukturimi i familjes dhe ndryshimet në stilin e jetesës, po rritin përditë e më shumë numrin e të moshuarve të vetmuar që kanë nevojë për shërbime sociale. Shërbimet për të moshuarit ofrohen në pesë qendra shërbimesh rezidenciale publike në qytetet Shkodër, Tiranë, Kavajë, Fier dhe Gjirokastër, ku janë sistemuar 456 klientë të moshuar, të vetmuar dhe me probleme social-ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›