Rezart Taçi mohon borxhin. Ia ngec fajin bankës Credins
Rezart Taçi ka reaguar pas lajmeve se pasuritë e tij janë vendosur nën sekuestro. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të televizionit Albanian Screen, në pronësi të Taçit, thuhet se kompania ARMO nuk ka asnjë marrëdhënie financiare me Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit.
Në këtë mënyrë Taçi ia ngec të gjithë fajin bankës Credins, tek e cila ishte depozituar shuma. Në fakt banka ka nisur skandalin, pasi ia ka dorëzuar Taçit shumën.
Taçi nuk mohon ekzistencën e një dokumenti për sekuestrot, sepse tashmë ai është publik për të gjithë, por ia lë të gjithë barrën bankës Credins.
Nisur nga lajmet e publikuara në disa media, sipas të cilave, Gjykata e Tiranës ka vendosur nën sekuestro konservative kompaninë ARMO për një borxh të pashlyer prej 75 milion euro ndaj Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, sqarojmë opinionin publik se gjithçka është një shpifje dhe pa lidhje me të vërtetën. Kompania ARMO garanton se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje apo marrëdhënie financiare me Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit. Për rrjedhim ARMO nuk ka asnjë detyrim të pashlyer ndaj këtij institucioni financiar.
Spekulime të tilla i konsiderojmë si sulme të qëllimshme e të inskenuara posaçërisht për të shkatërruar imazhin e kompanisë ARMO, një nga më seriozet në vend, e cila paguan në mënyrë të rregullt të gjitha detyrimet e saj karshi shtetit dhe kontraktorëve, thuhet në deklaratën e Taçit.