Kërkohej për korrupsion, kthehet në Rinas nëndrejtori i Pronave

Altin Ceni
Poli Hoxha
Altin Ceni sëbashku me 5 zyrtarë të tjerë ishte shpallur në kërkim për korrupsion e falsifikim. Në vitin 2011 akuzohen se falsifikuan dokumentet për 79 dynymë tokë- plazh, duke ia dhënë në mënyrë antiligjore, familjes Jenisheri, një sipërfaqe të konsiderueshme trualli e cila në pjesën më të madhe të saj, ishte ranishte. Pas më tepër se tre muajsh të shpallur në kërkim, nga Policia e Shtetit, Altin Ceni, u ndalua nga efektivët e Policisë Kufitare të Komisariatit të Rinasit, të cilëve Ceni, mësohet se iu është dorëzuar duke iu pohuar se ishte në dispozicion të organeve të hetimit në lidhje me një çështje penale të hapur ndaj tij dhe ndaj ish- kolegëve të tij, në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), e Tiranës.
Ish- zëvendësdrejtori rajonal i kësaj Agjencie, mësohet se kthehej me një avion të linjës Ahtinë- Tiranë, dhe menjëherë iu është prezantuar specialistëve të policisë kufitare në Rinas, duke iu pohuar se kishte dijeni se emri i tij ishte në kërkim nga Policia e Shtetit, për një hetim penal ndaj tij. Jam njoftuar nga të afërmit e mi, për një çështje ndaj meje dhe dua të vihem në dispozicion të drejtësisë,- mësohet të ketë thënë 41 vjeçari Ceni, Nga Burreli, banues në Tiranë.
Ish zyrtari i lartë i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është shpallur në kërkim që në 13 janar të këtij viti, pasi akuzohet për shpërdorim detyre, kur Gjykata e Tiranës, vendosi ndaj tij masën e sigurisë burg pa afat për akuzat shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve etj. Ai dhe 5 zyrtarë të tjerë të AKKP, akuzohen nga antikrimi ekonomik se, në mënyrë të qëllimshme për përfitim, kanë ndryshuar destinacionin e një sipërfaqe të madhe toke në plazhin e Spillesë, duke ja kthyer atë në mënyrë të jashtëligjshme trashëgimtarëve të familjes Jenisheri.
Por pas hetimeve të Prokurorisë, rezultoi se familja në fjalë, sipas tapisë nuk kishte fare tokë në bregdet, por toka e saj ndodhej në një fshat të Kavajës. Zyrtarëve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave u është komunikuar masa e sigurisë arrest me burg nga Gjykata e Tiranës, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion, në datën 13 Janar të këtij viti. Por kryejuristi i këtij institucioni, nuk u gjet në banesën e tij nga policia në atë kohë dhe për këtë u shpall në kërkim.