E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta obligon Qeverinë për të raportuar në Kuvend

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës pas raundeve të bisedimeve që janë zhvilluar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, është koha që ta njoftojë Kuvendin e Kosovës me këto zhvillime, ndërkohë ka shtuar se i mbetet institucioneve të vendit t’i kryejnë detyrat që kanë marrë nga qytetarët e vendit.

Ai këto komente i bëri pas mbajtjes së mbledhje së kryesisë, ku me këtë rast është vendosur që të mbahet një seancë më 9 mars e kërkuara nga grupi i grave deputete, ndërsa seanca e punës do të jetë një javë më vonë.

Më 20 janar Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një rezolutë ku obligon Qeverinë e Kosovës që raportojë çdo tre muaj para Kuvendit Kosovës për dialogun e zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Lidhur me këtë çështje edhe kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi mendon që kjo rezolutë e obligon Qeverinë e Kosovës që ta njoftojë Kuvendin.

“Ne e kemi një rezolutë të miratuar që e obligon Qeverinë për të raportuar në Kuvend për zhvillimin e atyre bisedimeve dhe unë mendoj që është koha që Qeveria ta njoftojë edhe Kuvendin në mënyrë zyrtare. Edhe opinionin për marrëveshjet që janë arritur mes Kosovës, Serbisë dhe Brukselit, pasi që Brukseli është ai që ka mbikëqyrur këto bisedime”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë këto bisedime tash janë ndërprerë dhe do të rifillojnë pasi të përfundojnë zgjedhjet në Serbisë. Krasniqi i pyetur lidhur me këtë çështje, që Kosova a duhet ta pres Serbinë sa herë të jetë e gatshme ajo të bisedojë, ai nuk është përgjigjur decidivisht, por ka thënë se të tri palët kanë bërë kompromise dhe tash u mbetet institucioneve të vendit që të marrin përgjegjësitë që u takojnë.

“Nuk thamë gjë të re, por thamë në bisedimet e arritura janë arritura tri palët kanë bërë kompromise, tri palët kanë bërë kompromise, ka bërë kompromis Brukseli, duke i dhënë kandidaturën një vendi që nuk i ka plotësuar kriteret, një vendi që duhet t’i plotëson ose kriteret që kanë qenë të obliguara t’i plotësojnë anëtarët e Bashkimit Evropian. Ka bërë kompromis edhe Serbia, dhe natyrisht ka bërë kompromis edhe Kosova. Tani çka i mbetet Kosovës, institucioneve tona, na mbetet që të ulemi të nxjerrim detyrat dhe përgjegjësit tona që i kemi në raport me qytetarët tanë”, ka theksuar ai.

Ndërsa ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pas kërkesë për debat, por ka sjellë në Kuvend rreth 15 mijë nënshkrime të qytetarëve për debat. Sipas tij, kjo kërkesë e 15 mijë nënshkrimeve të qytetarëve të organizuar nga Vetëvendosja i nënshtrohet procedurave të Kuvendit, duke shtuar në komisionin përkatës dhe pastaj ai komision pasi të sjellë edhe raportin me rekomandime, atëherë kryesia rekomandon për seancë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›