Xavi, mbret i pasimeve

Reprezentuesi spanjoll deri më tani gjatë këtij sezoni ka 1553 pasime të kompletuara në fushën e kundërshtarëve. Në statistikat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Barcelonës, Xavi udhëheq në kategorinë e pasuesve më të mirë para bashkëlojtarit të tij nga Nou Camp, sulmuesit argjentinas Lionel Messi, i cili është i dyti me 1351.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso është i treti me 1271, para një tjetër anëtari të Barcelonës, mbrojtësit të djathtë Daniel Alves me 1215. Mesfushori i Arsenalit, Mikel Arteta është i pesti me 1207.
Megjithatë, Xavi përveç që udhëheq sa u përket pasimeve në fushën e kundërshtarit, ai është lider edhe me numrin e përgjithshëm të pasimeve prej 2139, i vetmi futbollist që kalon shifrën prej 2000 sosh.
Ai është larg para Alonsos me 1985, mesfushorit të Juventusit, Andrea Pirlo (1925), mbrojtësit të Bayern Munichut, Philipp Lahm (1896) dhe Artetas (1804).