Rezoluta serbe, Gjykata e Hagës fton Kosovën të paraqesë faktet e saj
HAGË - Kosova do ta thotë fjalën e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sot Gjykata e me seli në Hagë ka vendosur të ftojë edhe përfaqësuesit e Kosovës të japin argumentet në lidhur me shpalljen e pavarësisë. “Duke marrë parasysh faktin se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse në Kosovë më 17 shkurt 2008 është subjekt i pyetjes së shtruar për opinion këshillëdhënës, autorët e deklaratës të sipërpërmendur mund të jenë në gjendje të furnizojnë Gjykatën me informata për këtë çështje, prandaj Gjykata ka vendosur që t'i ftojë ata të japin kontribute me shkrim brenda afateve të caktuara”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Gjithashtu Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka caktuar edhe datën e fundit kur pala serbe dhe ajo kosovare mund të dorëzojnë deklaratat e tyre me shkrim për rezolutën e Serbisë mbi pavarësinë e Kosovës. Afati i fundit është data 17 prill i vitit 2009, ndërsa në datën 17 korrik të vitit 2009 është afati i dorëzimit të komenteve ose deklaratave të shkruara nga shtetet ose organizatat e tjera në lidhje me këtë çështje.
Kur të përfundojë dërgimi i të gjitha deklaratave dhe komenteve më pas procedura do të vijojë me shqyrtimin dhe marrjen e vendimit nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë e ligjshme apo e paligjshme.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 8 tetor me shumicë votash miratoi kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendim këshillëdhënës për formën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
(a.s/Balkanweb/Telegraf)