Maqedonia zbulon atentatet ndaj kryeministrit Gruevski
SHKUP - Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, rrezikoi të përballej me dy atentate ndaj tij vitin e kaluar. Media maqedonase njoftoi dje se dy tentativa për të vrarë shefin e qeverisë në Shkup ishin parandaluar nga forcat e shërbimit sekret dhe policia. Sipas gazetës maqedonase 'Vreme', një prej këtyre atentateve ishte planifikuar në një vend fqinj, por burimet që konfirmuan lajmin për gazetën nuk pranuan të zbulonin se cili ishte ky vend. Sipas të dhënave, atentatet kishin qëllime kriminale e politike dhe jo personale dhe vetë kryeministri Gruevski ishte vënë në dijeni të tentativave pas zbulimit dhe parandalimit të tyre. Media maqedonase shkruante dje se tentativa e parë ishte e lidhur me botën e fshehtë kriminale dhe ishte planifikua në fillim të vitit 2007, ndërsa tentativa e dytë ishte për qëllime politike dhe do të ndodhte në fund të vitit të kaluar. Në të dyja rastet, shërbimi sekret maqedonas i parandaloi atentatet dhe rriti sigurinë për shefin e qeverisë në nivelin maksimal, ndërsa shtoi edhe truprojat si dhe snajperat e vendosur pranë ndërtesës së qeverisë dhe shtëpisë së kryeministrit. Ministria e Brendshme në Maqedoni nuk i ka konfirmuar, por as nuk i ka përgënjeshtruar njoftimet e medias. Por zyrtarët që nuk deshën të bënin të ditur identitetin e tyre, thanë se disa persona janë marrë në pyetje, por asnjë nuk është akuzuar apo burgosur lidhur me këto tentativa për atentate. Disa media vendase kanë hedhur dyshimet në lidhje me tentativat për atentate ndaj Gruevskit, duke i lidhur ato me vizitat në shtetet e rajonit, por asnjë prej tyre nuk ka bërë të ditur emrin e vendit ku ishte planifikuar të ndodhte atentati i dytë. Policia ka njoftuar se ka përforcuar masat e sigurisë për kryeministrin dhe se tashmë nuk ka asnjë rrezik për të.
(s.g/BalkanWeb)