Rezultat i dyshimtë

Rrëzimi i papritur i dekretit të presidentit Bamir Topi për kandidaturën e Zamir Podës, shton zërat kritikë brenda mazhorancës. Pas deklaratës së deputetit Spartak Ngjela, i cili e konsideron fitues kandidaturën që mori 65 vota pro dhe 62 kundër, edhe deputeti i Partisë Demokratike, Sali Shehu, ka të njëjtin mendim. Ai thotë se kandidati Zamir Poda është fitues, ndërsa është dakord me propozimin e deputetit tjetër demokrat, Besnik Mustafaj, për ngritjen e një grupi pune për shqyrtimin e procesverbalit të seancës ku u votuan kandidaturat. Pas votimit të pesë kandidaturave të propozuara nga presidenti për Gjykatën e Lartë, mazhoranca deklaroi fillimisht, se vetëm kandidati Zamir Poda shpallej fitues me 65 vota pro, 62 kundër, 1 abstenim dhe 2 vota të pavlefshme. Pak minuta pas mbarimit të seancës, duke argumentuar nenin 55 të rregullores parlamentare, mazhoranca e deklaroi të rrëzuar edhe kandidaturën e Zamir Podës, pasi në votim merrnin pjesë 130 deputetë dhe kandidati duhej të merrte vota pro më shumë se gjysma e deputetëve votues. Në këtë mënyrë, që kandidati Poda të shpallej fitues, duhej të merrte 66 vota pro, duke bërë që ai të konsiderohej i rrëzuar vetëm për mungesën e 1 vote pro. “Zamir Poda ka fituar. Vota e pavlefshme nuk llogaritet kurrë në totalin e votave. Llogariten abstenimet, votat kundër dhe pro. Po të kandidosh për deputet, në një zonë ku ke 1000 votues dhe po të marrësh 490 vota pro, 480 kundër dhe 10 vota janë të pavlefshme, nuk shpallesh deputet?!” - deklaron Sali Shehu për “Korrierin”. I pyetur në lidhje me akuzën e Partisë Socialiste për falsifikimin e procesverbalit dhe propozimin e deputetit Besnik Mustafaj për ngritjen e një grupi pune për verifikimin e procesverbalit të seancës, deputeti demokrat Sali Shehu shprehet pro ngritjes së një grupi pune. “Patjetër. E mbështes si ide racionale për zgjidhjen e konfliktit për çështjen e procesverbalit të seancës. Ajo që është thënë në seancë, duhet hedhur në procesverbal. Grupi duhet të përbëhet edhe nga mazhoranca, edhe nga opozita, pasi të dyja palët duhet të verifikojnë bashkë për atë që është folur në seancë”, deklaron deputeti Shehu. Ndërkohë, “Korrieri” kontaktoi edhe me dy deputetët e tjerë të Komisionit të Ligjeve, që njihen edhe si mbështetës të presidentit Bamir Topi, Pal Dajçi dhe Dashnor Sula, të cilët nuk pranuan të komentojnë propozimin e deputetit Besnik Mustafaj për ngritjen e një grupi pune, për verifikimin e procesverbalit të seancës së datës 16 qershor, ku mazhoranca rrëzoi me votë dekretet e presidentit Bamir Topi.