Të djegur përfundimisht

Pesë kandidatët që u propozuan nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për anëtarë të Gjykatës së Lartë, nuk do të jenë pjesë e përzgjedhjes së emrave të rinj që do të propozohen nga kreu i shtetit. Burime nga Presidenca i thanë dje “Korrierit”, se pesë emrat e rrëzuar nga Kuvendi nuk mund të paraqiten sërish. “Kuvendi u shpreh njëherë për kandidaturën e tyre, kështu që ata nuk mund të jenë më pjesë e emrave që do të përzgjidhen. Pjesë e kësaj përzgjedhjeje do të jenë kandidatët që i kishin paraqitur CV-të më parë dhe ata që do të sjellin kërkesat për t’u bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë. Sot u ftuan të gjithë kandidatët të sjellin CV-të”, - tha i njëjti burim. Altina Xhoxhaj, Zamir Poda, Artan Zeneli, Medi Bici dhe Kristaq Traja nuk do të kenë mundësinë të rivotohen. Numri i kandidatëve që do të jenë automatikisht pjesë e përzgjedhjes është rreth 45, duke përjashtuar 5 kandidatët e rrëzuar tashmë nga Kuvendi. Por edhe kandidatët e vjetër duhet të çojnë në Presidencë dokumente të tjera për të pasuruar CV-të e tyre. Lidhur me emrat e rinj që do të propozohen, pavarësisht konsultimit që pritet të ketë grupi i punës me përfaqësues të partive politike, ekskluziviteti i përzgjedhjes i takon Presidentit të Republikës. Ripërzgjedhja e emrave nuk përjashton mundësin, që dekretet të rrëzohen sërish, ndonëse gjasat që kjo të ndodhë janë të pakta. Kjo mund të thuhet falë deklaratave të fundit të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare e atyre diplomatike në vendin tonë. Por, çfarëdo që të ndodhë, në votimin e ardhshëm bie në sy fakti se, pesë emrat që u rrëzuan (ende në pikëpyetje Zamir Poda), nuk do të mund të zgjidhen më anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Grupi i punës
Mbledhja e parë e grupit të punës për asistencë juridike, e zhvilluar dje, u drejtua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ai e cilësoi këtë si një rast, ku të gjithë duhet të kenë vëmendjen ndaj integritetit moral dhe kapaciteteve profesionale gjatë përzgjedhjes së kandidatëve të rinj. Grupi i punës, që do të vazhdojë punën për 10 ditë, diskutoi për standardet mbi të cilat do të vlerësohen kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Përveç dokumentacionit që do të paraqitet nga kandidatët, grupi i punës do të kërkojë nga institucionet e tjera informacion mbi punën e tyre, çka u bë nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli për pesë kandidaturat e rrëzuara. Pikërisht ky veprim u cilësua si tejkalim kompetencash nga opozita.
Kërkesat për kandidatët
Kopje diplome dhe listë notash
Kopje të titujve shkencorë
Kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit
Kopje të shkrimeve e botimeve në fushën e drejtësisë
Vërtetim nga institucioni ku ka punuar, se gjatë 8 viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore
Çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit