Rezultat i ngushtë dhe akuza për manipulime
Zgjedhjet në Venezuelë
Pasardhësi i Çavezit mori vetëm 50.7 për qind të votave, shumë më pak nga sa pritej
Pasardhësi i Hugo Çavez, Nicolas Maduro, fitoi zgjedhjet presidenciale dje në Venezuelë, por me një rezultat shumë më të ngushtë nga sa pritej dhe me akuza për manipulime votash. Kandidati i opozitës Henrique Capriles refuzoi të pranojë humbjen dhe e konsideroi Maduron si të paligjshëm.
Capriles, i cili humbi me rezultat shumë të ngushtë, tha se ka pasur më shumë se 300 mijë incidente gjatë zgjedhjeve të së dielës, incidente që sipas tij, duhet të analizohen.
Zgjedhjet u zhvilluan si pasojë e vdekjes së Çavez nga kanceri më 5 mars. Maduro, një ish-shofer autobusi që u emërua nga Çavez si trashëgimtar i parapëlqyer, fitoi 50.7 për qind të votave, ndërsa Capriles fitoi 49.1 për qind.
Këshilli Zgjedhor tha se rezultatet janë të pakthyeshme. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe udhëheqësi kubanez Raul Castro qenë nga të parët krerë shteti që uruan Maduron për fitoren.
Ndërsa lajmi për fitoren e Maduros u publikua, festimet shpërthyen në kryeqytetin Karakas. Orët para njoftimit të rezultatit qenë të tensionuara, ndërsa të dy palët prisnin me ankth numërimin e çdo vote.
Mes festuesve nuk dukej se përbënte shqetësim rezultati shumë i ngushtë. Kjo fitore i dedikohet Hugo Çavezit, komandantit tonë, tha një grua.
Mbështetësit e opozitës i ranë tiganëve dhe tenxhereve në shenjë proteste ndërsa fishekzjarrët ndriçuan natën. Maduro tha para turmës te pallati presidencial se rezultati ishte i drejtë, i ligjshëm dhe kushtetues. Ai shtoi se rezultati tregon se Çavez vijon të jetë i pamposhtur dhe vijon të fitojë beteja.
Maduro, i cili mbante një kapele me ngjyrat e flamurit të Venezuelës, tha se kishte folur në telefon me kundërshtarin dhe se do të lejonte auditimin e rezultatit të zgjedhjeve. Ai i bëri thirrje atyre që nuk kishin votuar për të të punonin bashkë për vendin.
Por fitorja e Maduros është shumë më e ngushtë. Tetorin e kaluar Çavez mposhti Capriles me më shumë se 10 për qind diferencë. Pothuajse menjëherë, një anëtar i Këshillit Zgjedhor që nuk e mbështet qeverinë bëri thirrje për të kryer një numërim me dorë. Te zyrat e Capriles njerëzit qenë të trishtuar dhe disa nga mbështetësit e tij filluan të qanin.
Venezuela përballet me shumë probleme reale pas zgjedhjeve. Vendi është i ndarë thellë mes atyre që mendojnë se revolucioni bolivarin i Çavez është një zgjidhje për problemet dhe atyre që mendojnë se Çavez e ka dërguar vendin drejt shkatërrimit.
Një sistem kontrolli çmimesh ka sjellë mungesa të mallrave të domosdoshme në treg, përfshirë qumështin, gjalpin apo miellin e misrit, baza e bukës për këtë vend. Ndërprerjet e energjisë janë të zakonshme ndërsa inflacioni ka arritur në nivele dyshifrore.
Rezultat i ngushtë dhe akuza për manipulime burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email