Rezultatet, Celibashi:Do nxjerrim fituesin e zgjedhjeve për 24 orë
BLEDAR HOTI
Ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në intervistën për “Panorama” shpjegon arsyet se pse ECA dhe KRIIK Albania, dy organizata jofitimprurëse shqiptare ndërmarrin procesin e monitorimit të procesit zgjedhor më 28 qershor. Hedhja e rezultateve paralele me KQZ-në, do të ndihmojë në transparencën e procesit dhe nuk i bie ndesh këtij institucioni që gëzon të drejtën ligjore të shpalljes zyrtare të fituesve.
Zoti Celibashi, Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve (ECA) që ju drejtoni, së bashku me KRIIK Albania dhe me fondet e USAID, jeni duke bashkëpunuar për nxjerrjen e rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 28 qershorit. Çfarë përbën konkretisht projekti juaj?
Për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 28 Qershorit 2009, ECA dhe KRIIK, në një projekt të përbashkët janë angazhuar për të vëzhguar procesin e numërimit të votave dhe të nxjerrjes së rezultatit nga grupet e numërimit dhe KZAZ-të. Të dhënat që do të merren nga ky proces numërimi do të bëhen publike sapo ato të merren nga strukturat zgjedhore përkatëse, përgjegjëse sipas ligjit. Ky projekt është mbështetur financiarisht nga USAID, të cilin unë edhe në emër të KRIIK Albania e falënderoj për mirëkuptimin dhe kurajën e treguar në këtë mbështetje.
Si do të merren të dhënat nga 450 vëzhguesit në 66 Grupet e Numërimit të Votave. Cila do të jetë teknika që ju do të përdorni në mbledhjen e të dhënave?
ECA dhe KRIIK, në përputhje të plotë me sa parashikohet në Kodin Zgjedhor, do të akreditojnë rreth 450 vëzhgues në secilën prej 66 KZAZ/VNV-ve-Vende të Numërimit të Votave. Do të jenë 6 vëzhgues për çdo VNV, të cilët do të punojnë, apo më mirë të themi do të vëzhgojnë procesin e numërimit të votave, për çdo qendër votimi. Këta 8 vëzhgues do të ndahen në grupe me nga 2 anëtarë dhe secili prej këtyre grupeve do të jetë prezent gjatë numërimit në VNV për rreth 8 orë. Në 8 orët e tjera në vazhdim, procesi do të vazhdojë të vëzhgohet nga grupi tjetër i vëzhguesve. Procesi i numërimit do të vëzhgohet në 24 orë pa ndërprerje, por me turne në çdo 8 orë. Gjatë vëzhgimit, vëzhguesit tanë, në përputhje me të drejtat që ju njeh Kodi Zgjedhor, do të marrin dijeni për rezultatin e numërimit të votave për çdo qendër votimi dhe këto të dhëna, ata do t’i bëjnë publike.
Si do t’i transmetoni këto të dhëna për publikun? A mendoni se mund të ketë ndonjë konfuzion në shpalljen e këtyre rezultateve, në një kohë që i njëjti proces do të zhvillohet dhe nga ana e KQZ-së? A mendoni se nxjerrja e këtyre rezultateve mund të sjellë përplasje ndërmjet jush dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve?
Të dhënat mbi rezultatin e numërimit për çdo QV do të hidhen në një pajisje elektronike të posaçme, (e cila në një rast tjetër është një telefon mobil) dhe nëpërmjet kësaj pajisje do të transferohen në një kompjuter qendror këtu në Tiranë. Ky kompjuter bën përpunimin automatik të gjitha të dhënave që vijnë nga VNV-të dhe po në mënyrë automatike i bën ato publike në faqen e internetit të ECA, www.eca.al, por edhe të KRIIK i cili do të ketë të lidhur faqen e tij të internetit me atë të ECA. Veç kësaj në një sallat e Hotel “Tirana Internacional”, ECA dhe KRIIK do të organizojnë një qendër mediatike të dhënies së informacionit. Media elektronike dhe ajo e shkruar do të kenë mundësi që të marrin në mënyrë të vazhdueshme të dhëna mbi ecurinë e procesit të numërimit me burim projektin tonë.
Televizioneve më të shikuara dhe me shtrirje territoriale më të gjerë, do t’u ofrojmë falas sinjal, i cili përcjellë të dhëna mbi rezultatet në mënyrë të vazhdueshme. Secili prej tyre nëpërmjet këtij sinjali mundet të zgjedhë, të kërkojë të dhënat që ai do, pa u kushtëzuar nga ajo se çfarë japim ne në konferencat e shtypit, apo nga ajo se çfarë kërkon një media tjetër.
Nuk kam arsye të mendoj se ajo çfarë ECA dhe KRIIK do të bëjnë sa më sipër shpjegova, do të krijojë konfuzion. Përkundrazi projekti synon rritjen e transparencës së procesit, pasi është një instrument më shumë dhe presupozohet jo i ndryshëm në qëllim nga KQZ, parti politike, etj, për publikun për të marrë informacion mbi rezultatin e votës së tij. Në kuptimin e informacionit për këtë ai nuk është monopol i askujt. Rezultatit zyrtar dhe i cili duhet të respektohet, është ai që në mënyrë fundore, të ligjshme dhe detyrimisht i pranuar nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR, do të deklarohet nga institucionet ligjore përgjegjëse për ta bërë këtë. Ky projekt nuk është një gjetje e ECA dhe KRIIK. Projekte të tilla janë bërë dhe vazhdojnë të aplikohen edhe në vende të tjera. Përfshi edhe ato me demokraci të përparuara dhe të konsoliduara.