E Shtunë, 31 Tetor 2026

KMSH: Gjykata na rrëmbeu "Disko Albanian"

 

TIRANE - Posedimi i "Disko-klub Albania", Gjykata e Tiranës rrëzon Komunitetin Mysliman. Ishte pikërisht ky institucion, i cili dje meë anë të një deklarate për shtyp pohoi se: "KMSH shpreh indinjatën e tij të thellë ndaj vendimit të marrë nga Gjykata e Tiranës, në procesin e zhvilluar më datë 27 maj 2009 lidhur me një çështje pronësie, ku në përfundim të seancës është vendosur masë sigurimi për pronën e KMSH-së dhe është urdhëruar Zyra e Përmbarimit ta bllokojë dhe t'ia japë në posedim shoqërisë private "Suisse Manegement" sh.p.k, e cila nuk ka asnjë titull pronësie dhe asnjë tagër mbi këtë pronë". Duke pretenduar se KMSH ka pasur në pronësinë e tij para vitit 1938 objektin, bodrumet e ish-Mapos Numër 2, të ndodhur në Rrugën e Dibrës, Tiranë, Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave të Bashkisë Tiranë, me vendimin numër 36, datë 21 maj 1995 ka vendosur, t'i njohë dhe kthejë këtij institucioni truallin me sipërfaqe 700 metër katrorë dhe bodrumet e ish-mapos numër 2, sot "Disko-klub Albania". Në bazë të këtij vendimi, trualli me sipërfaqe 700 m2 dhe bodrumet janë regjistruar në Hipotekë me numër 2060, datë 24 maj 1995, në pronësi të KMSH-së. Më 19 qershor 2002 kjo pasuri është futur në sistem dhe është regjistruar në ZRPP Tiranë, me numër pasurie TR-0-12, Volumi 22, Faqe 100, ZK 8150, Rruga e Dibrës, Tiranë. Më 17 tetor 2006 KMSH i është lëshuar certifikata për vërtetim pronësie nga ZRPP Tiranë për këtë pasuri, që ndodhet pas Pallatit të Kulturës. Ndërkohë pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka vendosur, pranimin e padisë së Shoqërisë "Suisse Manegement" sh.p.k. dhe rivendosjen në posedim të palës paditëse të kësaj pasurie, si dhe ka urdhëruar vënien në ekzekutim të përkohshëm të këtij vendimi. Burime nga gjykata pohojnë se objekt i kësaj çështjeje nuk ka qenë pronësia e "Disko-klub Albania" por një kontratë qiraje që firma zvicerane "Suisse Manegement", në cilësinë e posedueses së kësaj prone, kishte lidhur me të paditurën Silvana Vrapi. Sipas paditësit, Vrapi nuk u kishte paguar këtyre qiranë rreth 1500 USD në muaj, sipas një kontrate noteriale, por KMSH-së në shumën e 200 USD në muaj. Sipas gjykatës, pikërisht diferenca e madhe midis dy shifrave të qirasë është bërë shkak, që e paditura të pretendonte se pronari i objektit ishte KMSH dhe jo firma zvicerane.                         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›