Rezultatet e Tiranës, në çdo KZAZ Mediu merr përqindje të njëjtë votashNga TemaRezultatet e zgjedhjeve parlamentare të qarkut të Tiranës duket se kanë qenë të kontrolluara së paku në një pikë, në atë që do të dërgonte Fatmir Mediun në parlament. Qark
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rezultatet e Tiranës, në çdo KZAZ Mediu merr përqindje të njëjtë votashNga TemaRezultatet e zgjedhjeve parlamentare të qarkut të Tiranës duket se kanë qenë të kontrolluara së paku në një pikë, në atë që do të dërgonte Fatmir Mediun në parlament. Qarku i Tiranës ka gjithsej 15 zona të administrimit të zgjedhjeve dhe është qarku më i madh në vend. Rezultatet e zgjedhjeve në secilën ZAZ dëshmojnë për një kontroll të imtësishëm të procesit të numërimit, në mënyrë që Partia Republikane e zotit Mediu të merrte aq vota sa kryetari i saj të bëhej deputet. Nuk ka asnjë dyshim për këtë, pasi Partia Republikane ka marrë në secilën zonë, tek pesëmbëdhjetë të tilla, thuajse të njëjtën përqindje votash.
Vota për Partinë Republikane është shpërndarë në mënyrë të habitshme, në mënyrë krejtësisht uniforme ose krejtësisht të njëtrajtshme. Kjo gjë nuk ka ndodhur me asnjë nga partitë e tjera dhe nuk ka ndodhur as me partinë e z. Mediu në qarqet e tjera. Kësisoj, në ZAZ 45, Partia Republikane ka 142 vota nga rreth 18 mijë të vlefshme ose rreth 0.7%. Në ZAZ 46, Partia e z. Mediu ka marrë 0.67% ose 201 vota, nga 30 mijë të vlefshme. Në ZAZ 47, Partia Republikane ka marrë 0.6% të votave. Në zonën zgjedhore 48, Partia Republikane ka marrë 0.6% të votave. Në zonën zgjedhore 49 ka marrë 0.58% të votave. Njëtrajtshmëria e votave për Partinë Republikane vijon në të gjitha zonat habitshmërisht njëlloj. Kështu, rezultatet për zonat 50, 51, 52, 53, 54 e me radhë janë respektivisht 0,79%, 0,6%, 0,8%, 0,86% etj. Rezultatet për Partinë Republikane pësojnë një thyerje të hatashme, në momentin që shihen rezultatet e zonës 59, ku Partia Republikane ka marrë 1500 vota nga 15 mijë të vlefshme ose rreth 10%.
Duhet thënë se, pavarësisht se partia e Mediut ka një prishje të rregullit në zonën 59 për numrin e votave, Mediu ishte deputet edhe pa përfunduar rezultatet për çdo zonë, pasi ai që me nisjen e numërimit të votave në Tiranë, thuajse në të gjitha kutitë që hapeshin dhe për të cilat paraqitej rezultati, në ECA-Kriik, ishte deputet. Kompania ECA-Kriik arriti të tregojë që në fillim se për zotin Mediu kishte njëtrajtshmëri të shpërndarjes së votave dhe se partia e tij kishte vetëm aq sa vota sa për një deputet dhe aspak më shumë ose më pak. Në krye të kësaj sipërmarrjeje ishte Ilirian Celibashi, kunati i Mediut.
Mandati i zotit Mediu nuk u vu në diskutim nga rezultatet e asnjë zone zgjedhore, pasi që të gjitha kishin aq vota sa e mbanin atë deputet. Zoti Mediu, me këtë njëtrajtshmëri votash dhe me këtë përqindje, mundi të marrë rreth 6000 vota në Tiranë nga rreth 370 mijë gjithsej. Asnjë parti tjetër nuk e ka këtë rezultat të njëtrajtshëm. Partia Demokratike, për shembull, ka rezultat të dobët, madje shumë të dobët në ZAZ-të 45, 46, 47, 48 etj., ashtu siç Partia Socialiste ka rezultat shumë të dobët në ZAZ 55, 56, 57 etj. Partia Lëvizja Socialiste për Integrim gjithashtu ka rezultat shumë të dobët në mbi gjysmën e ZAZ-ve dhe rezultat shumë të mirë në ZAZ e Kombinatit, zonës së Bllokut etj.
Vetë Partia Republikane nuk e ka në asnjë qark këtë uniformitet të votave. Në qarkun e Durrësit, për shembull, që ka tipare të ngjashme me Tiranën për disa arsye që kanë të bëjnë me madhësinë e qarkut, me lëvizjet demografike etj., Partia Republikane ka disa rezultate mjaft larg njëra-tjetrës nga secila zonë. Kështu, në një ZAZ Partia Republikane ka 1.000 vota nga rreth 63 mijë gjithsej ose rreth 1.5%. Në një ZAZ tjetër ajo ka 600 vota nga rreth 20 mijë gjithsej ose 3%. Pra kemi një lëvizje me rreth dy herë ose me rreth 200%. Në një ZAZ tjetër përsëri vihet re një luhatje e tillë e madhe, ku Partia Republikane ka 300 vota nga rreth 20 mijë zgjedhës. Në qarkun e Elbasanit është e njëjta situatë me Partinë Republikane dhe votat e saj lëvizin nga 3% në një zonë, në 2% në tjetrën dhe në 1,7% apo 2,4% në tjetrën. Është e habitshme se si Partia Republikane ka mundur të jetë kaq e pranuar në mënyrë të barabartë në Tiranë, ku kanë votuar 370 mijë njerëz dhe të gjitha partitë e tjera pëlqehen në një zonë më shumë e në një zonë më pak. Po ashtu është e habitshme se Partisë Republikane i ka ndodhur kjo vetëm në Tiranë dhe jo në qarqe të tjera.