E Diel, 1 Nëntor 2026

190 rekomandime të OSBE/ODIHRNga Niazi JahoKam studiuar me vëmendje të gjitha raportet e OSBE/ODIHR të periudhës 2001-2009, ku bëhet fjalë për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare dhe të qeverisjes vendore në vendin tonë. Tërheq vëmendjen numri rel

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

190 rekomandime të OSBE/ODIHRNga Niazi Jaho

Kam studiuar me vëmendje të gjitha raportet e OSBE/ODIHR të periudhës 2001-2009, ku bëhet fjalë për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare dhe të qeverisjes vendore në vendin tonë.

Tërheq vëmendjen numri relativisht i madh i rekomandimeve që paraqiten në këto raporte. Le ta konkretizojmë: 24 rekomandime për zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, 48 për zgjedhjet e qeverisjes vendore të 12 tetorit 2005, 44 për zgjedhjet e qeverisjes vendore të 18 shkurtit 2007 dhe 31 rekomandime për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009.

I një rëndësie të veçantë ishte raporti i Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR i 23 prillit 2004, ku analizohen në mënyrë të argumentuar dhe kritike 89 dispozita të Kodit Zgjedhor. Edhe në këtë raport pasqyrohen rekomandimet përkatëse.

Duke patur parasysh rekomandimet e mësipërme dhe problemet e tjera që diktonte praktika e aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor, në Kodin tonë Zgjedhor janë bërë mjaft ndryshime.

Kodi i parë Zgjedhor u miratua në muajin maj 2000 dhe u shfuqizua në qershor të vitit 2003. Çdo vit dhe mbas çdo palë zgjedhjesh, Kodit Zgjedhor i janë bërë ndryshime (në vitit 2004, 2005, 2006, 2007). Në dhjetor 2008 u miratua Kodi që është në fuqi. Priten ndryshime të tjera sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009.

Praktika disavjeçare ka vërtetuar se në disa raste ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk janë vlerësuar si një çështje madhore që ka të bëjë me një nga reformat më të rëndësishme, por si “një betejë” apo “kompromis” për të krijuar avantazhe partiako-konjukturale. Kështu p.sh., dy partitë më të mëdha, PD dhe PS, nuk rishikuan nenin 22 të Kodit Zgjedhor, ku bëhet fjalë për procedurën e zgjedhjes të anëtarëve të KQZ, me gjithë rekomandimet e përsëritura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, me argumentin se ai binte ndesh me nenin 154 të Kushtetutës. Kjo ndodhi, sepse synohej në përbërjen e KQZ të ruhej balanca politike. Ata e kishin më të lehtë të shtonin numrin e anëtarëve të KQZ nga 7 në 9 dhe më pas të shfuqizonin të dy nenet e Kushtetutës (nenin 153 dhe 154). E megjithëkëtë kam mendimin se edhe pas kësaj nuk u arrit depolitizimi i KQZ.

Le t’i referohemi praktikës së fundit, zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Në raportet e ndërmjetshme dhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR jepen konsiderata pozitive për KQZ, por nuk mungojnë edhe disa të dhëna apo fraza për njëanshmëri, për pozicionime partiake. Votimi 4 me 3 në disa çështje të rëndësishme dhe delikate nuk është lënë jashtë vëmendjes të vëzhguesve ndërkombëtarë. Mosndërhyrja e KQZ në çrregullimet e vërtetuara në disa KZAZ të shoqëruara me presione dhe bllokime nuk ndihmuan në zhvillimin e rregullt dhe normal të procesit të numërimit të votave.

Për ata që i njohin ligjet vështirë të justifikohet qëndrimi i KQZ që refuzoi kërkesat e dy anëtarëve të KQZ për të marrë provat e kërkuara për rinumërimin ose rivlerësimin e votave. Kritika lidhur me këtë çështje mund të bëhen, edhe pse Kolegji Zgjedhor mbajti të njëjtën qëndrim. Nuk e di cili mund të ishte pozicioni që do të mbante KQZ, nëse ndonjë kërkesë e tillë do të bëhej nga dy anëtarë me funksionin e kryetarit dhe zv/kryetares të KQZ. Pa dashur të paragjykoj, besoj se mundësia më e madhe do të ishte pranimi i kërkesës. Në raportet e OSBE/ODIHR, gjithmonë u është rekomanduar partive politike që të mos ndërhyjnë në veprimtarinë e komisioneve zgjedhore.

Si shpjegohet që për vite të tëra, këto rekomandime nuk japin frytet e tyre? Si shpjegohet që ndërhyrjet dhe në raste të veçanta edhe presionet mbi këto komisione vazhdojnë?

Nëse edhe në zgjedhjet e ardhshme komisionet zgjedhore dhe të grupeve të numërimit do të zgjidhen sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor në fuqi, ç’garanci do të kemi që ato do të jenë të pavarura? Mund të na thuhet se kjo ka të bëjë me vullnetin politik, me sjelljen e partive (subjekteve zgjedhore). Dakord, por ky “angazhim” është përsëritur disa herë dhe praktika e ka zhvlerësuar.

Në kushtet tona mendoj se kjo gjendje duhet të ndryshojë. Nuk cenohet ndonjë parim, nëse komisionet zgjedhore nuk formohen në bazë të propozimeve të partive përkatëse politike. Mund të gjenden zgjidhje të tjera. Por, nëse problemi zvarritet ose lihet për në fund, do të jetë më lehtë të mendohet për militantët.

Që nga viti 2004 dhe në vazhdim në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias është rekomanduar të rishikohet neni 163 i Kodit Zgjedhor që i jep të drejtë partive politike të kërkojnë heqjen e 4 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që zgjidhen me short, madje pa paraqitur asnjë arsye, asnjë shkak. Edhe në Kodin Zgjedhor, të miratuar më 29 dhjetor 2008, kjo dispozitë nuk është prekur, kur dihet se në këtë rast cenohet parimi i pavarësisë të gjyqësorit. I njëjti rekomandim bëhet edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Kujt i intereson kjo dispozitë? Është thënë se kjo i shërben besimit të ndërsjellë partiak. Kjo do të thotë se për “të krijuar këtë besim” mund të sakrifikohet edhe shkelja e parimit!

Në raportin e OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009 veç arritjeve paraqiten edhe disa mungesa dhe shqetësime, siç është p.sh., ai i procesit të numërimit të votave, që, siç dihet, është një nga fazat më të rëndësishme të procesit zgjedhor. Do të ishte gabim që të nënvlerësohej apo të anashkalohej konstatimi i ndërkombëtarëve se veprimtaria e një të tretës të grupeve të numërimit të votave vlerësohet e keqe ose shumë e keqe. Fenomene të tilla në këtë apo atë masë janë vërejtur edhe në të kaluarën. Kështu p.sh., në raportin e OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet e 3 korrikut 2005 thuhet: “Ka vend për rritjen e transparencës në procesin e numërimit ... duhen bërë përpjekje për të kontrolluar saktësinë e numërimit” - (Rekomandimi Nr. 7), ndërsa në Rekomandimin Nr. 53 të raportit të OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet për qeverisjen vendore të 18 shkurtit 2007 thuhet: “Ka vend për përmirësimin e transparencës në numërimin e votave. Të gjithë garuesit në zgjedhje duhet të lejohen të vëzhgojnë numërimin mbi baza të barabarta. Përpjekje të qenësishme duhen bërë për të vëzhguar saktësinë e numërimit”.

Një tjetër fenomen negativ është përmendur thuajse në të gjitha raportet e OSBE/ODIHR. Kështu p.sh., në raportin e vitit 2001 lidhur me zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001 thuhet: “Fshehtësia e votës u minua shpesh, sepse KQV-të nuk arritën të shmangin votimin në grup”.

Mbas 8 vjetësh në raportin e fundit të OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009 përsëri jo në pak raste evidentohet votimi familjar. Kjo sigurisht u lejua nga KQV-të në mënyrë krejt të hapur, por deri më sot askush nuk është përgjigjur për këtë shkelje.

31 rekomandimet e fundit të OSBE/ODIHR bëjnë të nevojshme ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor. Sikur këto ndryshime janë bërë të zakonshme! Kjo është edhe arsyeja që shpesh bëhet fjalë për ndonjë çështje që përmban raporti dhe jo për rekomandimet. E keqja është se disa prej tyre janë të përsëritura, por të nevojshme për t’u patur parasysh. Një nga sugjerimet që mund të bëhej mund të ishte: shqyrtimi i tyre të mos lihej në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Në këtë drejtim ka përvojë negative.

Thuhet se në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 u arritën standardet më të shumta të OSBE. Ky është një lajm i mirë, por shumica e njerëzve mendoj se nuk kanë njohuri konkrete për këto standarde. Te ne me standardet shpesh kuptohen zgjedhjet që janë të lira dhe ndershme.

Prandaj, mendoj se do të ishte mirë që, meqë bëhet fjalë për standardet e OSBE, të bëhej e qartë se cilat janë këto standarde, çfarë standardesh u arritën në zgjedhjet e 28 qershorit dhe çfarë standardesh ngelen për t’u realizuar në zgjedhjet e ardhshme. Kjo mendoj se do t’i shërbente edhe përmirësimit të mëtejshëm të Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›