E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, për herë të parë pas vitesh bie treguesi i konsumit Nga TemaEfektet e krizës ekonomike në vend janë duke u ndjerë pa ndalur dhe të dhënat zyrtare tregojnë se ato kanë kapur treguesit më të rëndësishëm ekonomikë të vendit, siç është konsumi. Ng

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kriza, për herë të parë pas vitesh bie treguesi i konsumit Nga Tema

Efektet e krizës ekonomike në vend janë duke u ndjerë pa ndalur dhe të dhënat zyrtare tregojnë se ato kanë kapur treguesit më të rëndësishëm ekonomikë të vendit, siç është konsumi. Nga të dhënat zyrtare vihet re se është ulur konsumi i mallrave të qëndrueshëm, si pajisjet elektroshtëpiake, blerjet e riparimet e makinave, veshjet e këpucët. INSTAT publikon çdo tre muaj indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, ku të dhënat e shitjeve krahasohen me vitin bazë 2005. Sipas këtyre të dhënave, në periudhën janar-mars të këtij viti, u shënua hera e parë në shumë vite që shitjet me pakicë shënuan ulje. Në tremujorin e dytë, situata ishte më e mirë, por volumi i shitjeve mbetet ende në të njëjtin nivel me qershorin e vitit të kaluar, pra me rritje zero. Indeksi i përgjithshëm i shitjeve me pakicë shënoi në qershor kuotën 174.2 (viti 2005 = me 100), shifër kjo në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. Në tremujorin e parë indeksi pati rënë në 156%. Sipas indeksit, goditjen më të rëndë e kanë vuajtur tregtarët e pajisjeve të ndryshme shtëpiake, të cilët shënuan një rënie prej gati 40% të shitjeve në tremujorin e parë, ndërsa në tremujorin e dytë, megjithëse shitjet u përmirësuan, mbeten ende larg nivelit të zakonshëm. Indeksi tregon se biznesi i dyqaneve që shesin artikuj të përzierë, ku përfshihen ushqimet, pijet duhani etj., kanë realizuar një biznes të zakonshëm në tremujorin e dytë, pasi qenë përballur me rrije të lehtë, por gjithsesi të qëndrueshme në tremujorin e parë. Edhe farmacitë nuk kanë raportuar ndonjë rënie të shitjeve gjatë kësaj periudhe. Rënia e shitjeve me pakicë në mallrat që nuk i përkasin konsumit të përditshëm lidhet edhe me kufizimin e kredisë për konsum nga bankat gjatë kësaj periudhe. Kështu, shumica dërrmuese e bankave ka kufizuar apo ndërprerë tërësisht kreditimin e shumave të vogla për familjet, kredi që zakonisht shkojnë për të mbuluar blerjet e mobilieve apo pajisjeve elektroshtëpiake, si dhe makinave.

INSTAT: Ekonomia u rrit me 5,3%, e gjejmë saktë me sondazhe

Instituti i Statistikave ka paraqitur të dhënat për rritjen ekonomike të vendit gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, ku vërehet se ekonomia është zgjeruar me 5,3%. Sipas Institutit të Statistikave, sektorët me rritjen më ndjeshme kanë qenë shërbimet, me 15,9% dhe postë-telekomunikacioni, me 18%. Instituti i Statistikave nëpërmjet një deklarate për shtyp bëri të ditur vetëm këto të dhëna dhe nuk tha asgjë për metodologjinë e llogaritjes së rritjes ekonomike në këtë tremujor. Është e qartë se INSTAT është përpjekur thjesht të paraqesë një situatë të pambështetur në argumente, në një kohë që rritja ekonomike është duke u konsideruar si një tregues i pavlefshëm për të kuptuar zhvillimet ekonomike. Në anën tjetër, ekonomia shqiptare është duke vuajtur rënie të eksporteve dhe nuk ka asfare të dhëna për rritje të numrit të njerëzve të punësuar. Gjithashtu, shitjet nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të tillë që të mund të mbështesë këtë rritje ekonomike për tremujorin e dytë. Fondi Monetar Ndërkombëtar bën të ditur se ekonomia shqiptare, pavarësisht se nuk u fut në krizë dhe pavarësisht se mundi të tregohet elastike, nuk mund të kalojë pragun e një rritjeje prej më shumë se 1%. Rritja ekonomike e një vendi në tre muaj është e vështirë të vlerësohet dhe mund të jepen vetëm të dhëna mbi kahjen nga ecën ekonomia. Shqipëria është një vend që ka statistika shumë të këqija dhe në raste si ky llogaritja e saktë edhe me presje, siç ka bërë INSTAT, e rritjes ekonomike është thjesht abuzim me detyrën. Të premten që kaloi dy prej ekonomistëve më të rëndësishëm sot, Stglitz dhe Sen, fitues të çmimit Nobel, thanë se rritja ekonomike nuk duhet të merret më si tregues i rëndësishëm, pasi ajo fsheh shumë gjëra. Po ashtu ata thanë se rritja ekonomike nuk është në gjendje të tregojë mbi nivelin e ekonomisë kriminale apo mbi pakësimin e burimeve. Instituti shqiptar i Statistikave mendon ndryshe dhe me anë të sondazheve që ai bën duke parë ecurinë e një grupi biznesesh arrin të llogarisë me përpikmëri rritjen ekonomike. Presidenti francez, Sarkozy, ka ngritur një ekip prej mbi 30 ekonomistësh të njohur për të shqyrtuar, nëse ishte e vlefshme të përdorej dhe të llogaritej rritja ekonomike si tregues i rëndësishëm për të kuptuar zhvillimet. Dy ditë më parë këta shkencëtarësh thanë se rritja ekonomike nuk ka asnjë vlerë. Shqipëria, e cila është duke u përballur me disa prej efekteve shtrënguese për ekonominë të krizës botërore, mendon nëpërmjet INSTAT se rritja ekonomike është tregues bazë, që tregon se ekonomia shqiptare po lulëzon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›