PE: Vizat i merrni, kur të plotësoni kushtet, për momentin jeni në listën e bardhëNga TemaKomisioni për Politikat e Jashtme në Parlamentin Evropian ndërmori dje një hap shumë të rëndësishëm, kur i hapi dritën jeshile Kosovës që të ketë dhe ajo një pl
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
PE: Vizat i merrni, kur të plotësoni kushtet, për momentin jeni në listën e bardhëNga TemaKomisioni për Politikat e Jashtme në Parlamentin Evropian ndërmori dje një hap shumë të rëndësishëm, kur i hapi dritën jeshile Kosovës që të ketë dhe ajo një plan reformash që duhen realizuar për të përfituar nga liberalizimi i vizave.
Ndërkohë ky komision ka vendosur që të miratojë liberalizimin e vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë në fillim të vitit që vjen. Burime diplomatike thonë se edhe Shqipëria e Bosnja janë përmendur në dokument, duke u përfshirë në atë që quhet lista e pritjes. Në fakt, për dy vendet do ketë liberalizim të vizave, vetëm kur të jenë plotësuar kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian në Udhërrëfyesin e përgatitur posaçërisht për këtë çështje.
Kosova
Propozimi për Kosovën ka shkaktuar trazim ndër eurodeputetët dhe ka pasur nga ata që e kanë kundërshtuar propozimin. Por më pas vendimi ka marrë formë duke marrë votat e shumicës së europarlamentarëve.
Kosova do të ketë kështu së shpejti një road map, mbi të cilën do të punojë për të arritur liberalizimin e vizave. Kosova nuk ishte përfshirë në këtë proces, për shkak se disa shtete të Bashkimit Evropian akoma nuk e kanë njohur atë. Tashmë, në rast se Kosova do të ecë me reformat, ajo do të jetë një vend që do ketë mundësi të lëvizë lirshëm në vendet Schengen.
Shqipëria dhe Bosnja
Ajo çfarë është e rëndësishme, është se Parlamenti Evropian ndërmerr një iniciativë për t’u treguar shqiptarëve dhe boshnjakëve se ata janë të gatshëm për të vepruar shpejt, në rast se plotësohen kushtet. Një mbështetje e tillë morale vjen në një moment kur shumë zëra janë ngritur kundër vendimit për të lënë Bosnjën dhe Shqipërinë jashtë listës së vendeve që do udhëtojnë pa viza në Evropë. Intelektualë dhe politikanë të ndryshëm nënshkruan madje dhe një peticion, ku kërkohej që Bosnja dhe Shqipëria të mos diskriminoheshin. Shpesh u hodh për diskutim dhe teza se dy vendet tona po liheshin jashtë skemës së liberalizimit, për shkak se janë vende me shumicë popullsie myslimane.
Të tilla pretendime janë hedhur poshtë nga zyrtarët e KE, që thonë se secili vend ka pasur një plan masash dhe reformash përpara, të cilat duhej të plotësoheshin që vendi të përfitonte lëvizjen e lirë.
Kjo duket e vërtetë, për shkak se një studim i fundit tregonte se Bosnja kishte përparuar me shumë shpejtësi drejt realizimit të kritereve për të lëvizur pa viza. Sipas këtij studimi, qeveria e vendosi si përparësi këtë çështje dhe ka arritur brenda disa muajve të jetë në të njëjtin hap si Serbia e Mali i Zi.
Hapat e mëtejshëm
Komisioni për Politikat e Brendshme i Parlamentit Evropian pritet që të përgatisë sërish një opinion për liberalizimin e vizave. Ajo çka duhet theksuar është se Parlamenti Evropian nuk merr pjesë në vendimmarrjen për këtë çështje, por mund të bëjë presion pranë Këshillit dhe Komisionit që janë organe që vendosin për këtë çështje.
Një propozim i eurodeputetes sllovene, Tanja Fajon, synonte që të shmangte fare Parlamentin Evropian nga kalimi nëpër procedura burokratike i vendimit për liberalizimin e vizave. Ajo kërkonte që sapo Komisioni Evropian të konstatonte që Shqipëria ka plotësuar kushtet e paraqitura në udhërrëfyes, të kalohej sa më shpejt në zbatimin në terren të liberalizimit të vizave. Propozimi i Fajon synon në këtë mënyrë thjesht të shmangë disa procedura, por jo të ndikojë që Shqipëria dhe Bosnja të përfshihen në listën e vendeve që lëvizin pa viza.
Transparenca e qeverisë
Edhe pse Komisioni ka vendosur disa kushte që duhen plotësuar nga qeveria shqiptare, kjo e fundit rrallë ka bërë transparencë për ecurinë e procesit. Madje, i gjithë diskutimi në lidhje me liberalizimin e vizave, nga qeveria dhe kryeministri, Sali Berisha, është reduktuar te përgatitja dhe shpërndarja e pasaportave biometrike. Aq e vërtetë është kjo sa disa herë kryeministri bënte të ditur se vetëm pasaportat po na pengojnë.
Parlamenti Evropian reagoi në përgjigje të këtyre deklaratave duke thënë që nuk ka ngecur procesi te çështja e pasaportave, por janë edhe të tjera kushte që duhen plotësuar.
Nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha dhe zëvendësi i tij kanë deklaruar se është opozita që po pengon liberalizimin e vizave.
Reagimi i PS
Opozita ka pretenduar se qeveria nuk ka plotësuar kushtet e vëna nga KE.
“Nga vlerësimi që i kemi bërë përmbushjes së reformave në bllokun e dytë të Udhërrëfyesit të Liberalizimit të Vizave, që përfshin çështjet e migracionit të paligjshëm dhe të ripranimit, rezulton se asnjë nga masat e parashikuara për t’u zbatuar gjatë muajit shtator, sipas Planit të Veprimit të miratuar nga vetë qeveria në korrik të këtij viti, nuk është realizuar.
Për të dalë nga kjo situatë e papranueshme, që rëndon në radhë të parë mbi qytetarët shqiptarë, PS i kërkon qeverisë që të miratojë sa më shpejt Strategjinë e përditësuar dhe Planin e Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve; të sigurojë bashkëpunimin e agjencive që operojnë në kufi, të tilla si shërbimi doganor, policor dhe kontrolli sanitar e fitosanitar; të sigurojë zbatimin e programit antikorrupsion për Policinë e Kufirit dhe Migracionit; të krijojë Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare; të intensifikojë instalimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, - tha deputeti i PS, Ditmir Bushati.
Një sondazh i Gallup
Një sondazh i bërë para disa kohësh nga Gallup Balkan Monitor synonte të nxirrte në pah prirjen për emigracion të vendeve të rajonit. Megjithatë, duke bërë disa kalkulime, edhe pse Shqipëria ishte vendi i parë për tendencën e emigrimit në Evropë, studiuesit e Gallup arrijnë në përfundimin se nuk do ketë një fluks të madh emigrantësh nga Shqipëria.