E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultatet e letërsisë, vonesa pasojë e korrigjimit të dyfishtë

Fier, Tafaj monitoron testimin, përgjigjet për vlerësimet e provimit të parë

Procesi i zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore është vlerësuar si mjaft i realizuar në qytetin e Fierit. Një nga problemet e vetme që janë konstatuar është vonesa e publikimit të rezultateve të provimit të parë, atë të letërsisë. Ministri i Arsimit dhe Shkencave, Myqerem Tafaj, i cili ka ndjekur nga afër ecurinë e procesit të provimit në pothuajse të gjitha shkollat e mesme të Fierit, tha se vonesat e rezultateve të provimit të parë kanë ardhur për shkak të vlerësimit të detajuar dhe të kujdesshëm që i është bërë secilës tezë. Tafaj u ndal edhe në Patos, ku pasi vëzhgoi kushtet në të cilat po zhvillohej provimi i matematikës, bisedoi me administratorët për standardet dhe rigorozitetin e procesit. Në përfundim të provimit të matematikës, ministri qëndroi për pak kohë edhe në qytetin e Lushnjës. Në disa prej shkollave të këtij qyteti ai takoi maturantët që kishin përfunduar testin dhe u interesua për shkallën e vështirësisë së tij. Në të tria rrethet e Qarkut të Fierit, Lushnjës e Mallakastrës maturantët e kanë zhvilluar testin e matematikës qetësisht dhe pa asnjë problem. Që në orët e para të mëngjesit ishin marrë të gjitha masat për shpërndarjen e bazës materiale të nevojshme, madje ishte hedhur edhe shorti i ndarjes së administratorëve që do të qëndronin në sallat ku do të zhvillohej provimi. Ditë më parë ishin përgatitur edhe ambientet ku do të zhvillohej provimi i radhës. “Sot është zhvilluar provimi i dytë i Maturës Shtetërore për lëndën e matematikës. Nisëm që në mëngjes herët me ndarjen e administratorëve dhe përgjegjësve të administrimit nëpër shkolla. Vetëm për Fierin janë gjithsej 23 qendra, ku do të zhvillohet provimi”, tha drejtoresha Numani.

Në provimin e matematikës kanë marrë pjesë plot 2760 nxënës dhe janë përfshirë rreth 290 mësues.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›